Kërko

2024.04.01 Regina Caeli 2024.04.01 Regina Caeli

Papa: me Jezusin çdo “sot” mund të jetë shpresë e një “nesre”.

“Kur ndahet, gëzimi shtohet”. Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore komenton vrapin e grave për t’u kumtuar dishepujve se kishin parë të Ngjallurin: “me Të çdo ditë projektohet përtej kufizimeve të kohës, drejt amshimit”, ndaj “nuk duhet të heqim dorë nga gëzimi i Pashkëve!”.

R.SH. / Vatikan

“Të ndash gëzimin është një përvojë e mrekullueshme, të cilën e mësojmë që në moshë të re: le të mendojmë për një djalë që merr një notë të mirë në shkollë dhe mezi pret t'ua tregojë prindërve, ose për një të ri që arrin sukseset e para sportive, ose një familje në të cilën ka lindur një fëmijë. Le të përpiqemi të kujtojmë, secili prej nesh, vetëm një moment të lumtur që ishte edhe e vështirë për ta shprehur atë me fjalë, por që donim t'ia tregonim të gjithëve menjëherë!". Kështu tha mes tjerash Papa Françesku gjatë lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore në Regina Caeli - lutja mariane që zëvendëson lutjen e Engjëllit të Zotit gjatë kohës së Pashkëve - duke komentuar gëzimin e graveë që ishin dëshmitaret e para të Ngjalljes së Jezusit, sikur pohon Ungjill

Kështu, sot ditën e dytë të Pashkës, duke nisur lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku përshkroi ngjarjen e jashtëzakonshme, që ia ndryshoi faqen botës: ngjalljen e Krishtit Zot (shih Mt 28, 8-15), duke hapur një kohë të re liturgjike e shpirtërore, atë të Tetëditshes së Pashkëve. Këstu, asi e kremtoi Krishtin në udhën e mundimeve, në Kalvar, në kulmin e dhimbjeve, e deri në Kryq, Papa, në lutjen e sotme mariane të Mbretëreshës Qiellore, na mori përdore e na çoi në kulmin e ngjarjes së jashtëzakonshme, që ia ndryshoi faqen botës dhe njerëzimit.

Gëzimi për ngjalljen e Jezusit

Sot, e Hëna e Tetëditshes së Pashkëve - kujtoi Ati i Shenjtë - Ungjilli (krh. Mt 28,8-15) përshkruan gëzimin e grave për Ngjalljen e Jezusit: ato - siç i përshkruan teksti - e braktisën varrin me "gëzim të madh" dhe "vrapuan" për t'u dhënë dishepujve të tij lajmin e gëzueshëm" (v. 8). Nga ky gëzim, që lind nga takimi me të Ngjallurin, gurron një emocion tronditës, që i shtyn të përhapen dhe të tregojnë çka panë.

Një çast i lum, që nuk shprehet dot me fjalë

Jeta është plot me çaste të hidhura, të gëzuara e të trishtuara. T’i ndash këto çaste me të tjerët - kujtoi Papa - është përvojë e veçantë,  e mrekullueshme, të cilën mësohemi ta shijojmë që në moshë të re: mendojmë për një djalë që merr një notë të mirë në shkollë dhe mezi pret t'ua tregojë prindërve, ose për një të ri, që arrin sukseset e para sportive, ose për një familje, ku lind një fëmijë. Le të përpiqemi të kujtojmë, secili prej nesh, një çast aq të lum, sa të jetë e vështirë ta shprehësh me fjalë, edhe pse do të dëshironim t'ua tregonim turrshëm të gjithëve.

 Ringjallja e Jezusit, fitore e shpresës mbi dëshpërimin

Ja pra, gratë, në mëngjesin e Pashkëve - kujtoi Papa - e jetojnë këtë përvojë, por në një mënyrë shumë më prekëse. Pse?

Sepse ngjallja e Jezusit nuk është thjesht lajm i mrekullueshëm, as fund i lumtur i një historie, por diçka që ta ndryshon jetën plotësisht dhe përgjithmonë:

“Është fitorja e jetës mbi vdekjen, e shpresës mbi dëshpërimin. Jezusi  e  davariti errësirën e varrit dhe u rikthye në jetë përgjithmonë: prania e tij mund ta mbushë me dritë gjithçka. Me Të çdo ditë bëhet etapë e një udhëtimi të përjetshëm, çdo “sot” mund të shpresojë për një “të nesërme”, çdo fund, për një fillim të ri, çdo çast projektohet përtej kufijve të kohës, drejt amshimit”.

Mos kini frikë!

Vëllezër, motra, gëzimi i Ngjalljes nuk është diçka e largët - vijoi Papa - Është shumë pranë, është joni, sepse na u dhurua në ditën e Pagëzimit tonë. “Që atëherë edhe ne, si gratë, mund ta takojmë të Ngjallurin dhe Ai, si u tha atyre, na thotë edhe ne: "Mos kini frikë!":

“E nëse Jezusi, ngadhënjyesi mbi mëkatin, mbi frikën dhe mbi vdekjen na thotë të mos kemi frikë, duhet të mos kemi, të mos zhytemi në një jetë pa shpresë, të mos heqim dorë nga gëzimi i Pashkëve! Përkundrazi, ta ushqejmë gëzimin e Jezusit, i cili është motori i jetës”.

Takimi me Krishtin, gurrë gëzimi!

Por si ta ushqejmë këtë gëzim? – pyeti në përfundim të lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore Papa - siç bënë gratë - gjegji – duke e takuar të Ngjallurin, sepse Ai është burimi i një gëzimi që nuk mbaron kurrë:

Pra, le të nxitojmë ta kërkojmë në Eukaristi, në faljen e tij, në lutjen dhe bamirësinë e jetuar! Dhe të mos harrojmë se gëzimi i Jezusit rritet edhe në një mënyrë tjetër, siç e tregojnë gjithmonë gratë: duke e shpallur, duke e dëshmuar. Sepse gëzimi shtohet kur ndahet me të tjerë.

Në përfundim të lutjes, si zakonisht, thirrja drejtuar Nënës së Kriahtut të Nagjallur:

“Virgjëra Mari, e cila u gëzua për Birin e saj të ringjallur në Pashkë, na ndihmoftë të jemi dëshmitarët e Tij të gëzuar”.

01 prill 2024, 11:24

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >