Kërko

Françesku: të heqim dorë nga e keqja, për të arritur cakun e jetës së pasosur

Për t’u ngjitur në Qiell me Krishtin, duket të ecim të bashkuar, të rrimë larg meskinitetit, të bëhemi të afërm me atë që vuan e të mos mbetemi të lidhur me sendet, që kalojnë. Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Françesku reflekton për fragmentin e Ngjitjes në Qiell: “Ne, Kisha, jemi pikërisht ky korp që Jezusi e tërheq pas vetes”. Më pas, thirrjet për fundin e konflikteve dhe kërkesa për shkëmbimin e të burgosurve ndërmjet Rusisë e Ukrianës.

R.SH. / Vatikan

Sot në Itali dhe vende të tjera kremtohet Solemniteti i Ngjitjes së Jezu Krishti Zot në Qiell. Ungjilli i kësaj së kremte nga Marku na kujton se Jezusi, pasi u besoi Apostujve detyrën për ta vazhduar veprën e tij, "u ngjit në qiell dhe u ul në të djathtën e Atit" (Mk 16:19).

Kthimi i Jezusit tek Ati na duket jo si  shkëputje prej nesh - shpjegon Papa - por më tepër sikur na prin drejt majës:  

“Ashtu si kur ngjitesh në një maje mali ecën me vështirësi e në fund, në një kthesë të shtegut, hapet horizonti dhe shikon panoramën mahnitëse. Më pas i gjithë trupi gjen forcë për të përballuar ngjitjen përfundimtare. I gjithë trupi - krahët, këmbët dhe çdo muskul - tensionohet dhe përqendrohet për të arritur majën”.

Kisha, trupi që Krishti e tërheq drejt qiellit

Dhe ne, Kisha - vijoi të kujtojë Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - jemi pikërisht ai trup që Jezusi, pasi u ngjit në qiell, e tërheq me vete si me një "litar".

“Është Ai që na e zbulon dhe na e komunikon, me Fjalën e tij dhe me hirin e Sakramenteve, bukurinë e atdheut drejt të cilit ecim. Kështu edhe ne, gjymtyrët e tij, ngrejmë të gëzuar bashkë me Të, kokën tonë, duke ditur se hapi i njërit është hap për të gjithë dhe se askush nuk duhet të humbasë ose të lihet pas, sepse jemi një trup i vetëm (shih Kol 1: 18; 1 Kor 12,12-27)”.

Jezusi na tregon rrugën

Hap pas hapi, hap pas hapi, Jezusi na tregon rrugën. Po cilët janë këto hapa për t’u bërë? Ungjilli sot na drejton ftesën:

"Shpalleni Ungjillin, pagëzoni, dëboni djemënt, përballoni gjarpërinjtë, shëroni të sëmurët" (shih Mc 16,16-18)

Thënë me pak fjalë, na fton të kryejmë veprat e dashurisë: të dhurojmë jetën, të sjellim shpresën, të largohemi nga çdo ligësi dhe poshtërsi, t’i gjegjemi së keqes me të mirë, të rrimë pranë atyre që vuajnë:

“Dhe sa më shumë e bëjmë këtë, aq më shumë transformohemi nga Shpirti i tij, aq më shumë ndjekim shembullin e tij dhe aq më shumë, si në male, e ndjejmë ajrin përreth nesh duke u bërë i lehtë dhe i pastër, horizontin të gjerë dhe cakun pranë, fjalët dhe gjestet bëhen të mira, mendja dhe zemra zgjerohen dhe marrin frymë”.

A është gjallë në shpirti tim dëshira për Zotin?

Pas kësaj skene aq të dëshiruar në endjen për të gjetur cakun e fundit – kujtoi Papa - nuk mund të rrimë pa e pyetur veten: a është e gjallë tek unë dëshira për Zotin, për dashurinë e tij të pafundme, për jetën e tij që është jetë e amshuar? Apo jam i lidhur me gjërat që kalojnë, me paratë, sukseset, kënaqësitë? E dëshira për Parrizin thua më izolon, apor më shtyn t'i dua vëllezërit e mi me shpirt të madh e të çinteresuar, t'i ndjej si shokë rruge drejt Parrizit? Rrugë  e vështirë, por që mund të bëhet e lehtë në se na prin drejt shtegut Maria:

“Na ndihmoftë Ajo, që tashmë ia ka arritur qëllimit, të ecim së bashku me gëzim drejt lavdisë së Qiellit”.

12 maj 2024, 12:44

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >