Kërko

Papa Françesku takon rreth 70 meshtarë në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale Papa Françesku takon rreth 70 meshtarë në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale

Papa, meshtarëve të moshuar të një famullie të Romës: bëhuni dëshmitarë të kujtesës

Papa Françesku takon rreth 70 meshtarë të shuguruar së paku prej 40 vjetësh, për një bisedë me dyer të mbyllura, në një famulli romake pranë Vatikanit. Gjithashtu, përshëndet një grup nxënësish të shkollave fillore dhe fëmijët, që ndjekin katekizmin

R.SH. – Vatikan

Të jeni "dëshmitarë të kujtesës", si edhe të keni guximin rinor për të ecur përpara së bashku: kjo është nxitja e Papës Françesku për rreth 70 meshtarë të dioqezës së Romës, shuguruar së paku prej 40 vjetësh, të cilët i takoi dje pasdite (14 maj) në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale. Dialogu me dyer të mbyllura zgjati afërsisht dy orë, gjatë të cilave u trajtuan çështje baritore dhe impenjimi meshtarak e kishtar në famullitë e kryeqytetit italian.

Papa Françesku në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale
Papa Françesku në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale

"Kur njerëzit e ndiejnë butësinë e bariut, afrohen"

Papa nënvizoi vlerën e punës së famullitarit dhe të priftit në rrugë, rëndësinë e përdorimit të butësisë për të udhëhequr grigjën, që u ka besuar Zoti: "Kur njerëzit e ndiejnë butësinë e bariut, afrohen".

Biseda me Atin e Shenjtë përshkoi temat e mikpritjes së të tjerëve, të Sakramentit të Rrëfimit, të dëgjimit e faljes, si edhe atë të impenjimit në shenjtëroret e dioqezës. Dolën në pah disa nga vështirësitë e meshtarëve më të vjetër: vetmia, pas vitesh jetese në mesin e njerëzve; lodhja, që ndiejnë ndërsa përballojnë ndryshimin; hidhërimi, nganjëherë, për t'u kapërcyer me lutje; kujtimi i dashurisë së Zotit dhe ndjenja e bijësisë me Zojën e Bekuar. Papa Françesku nënvizoi disa herë vlerën e lidhjeve ndërmjet priftërinjve të vjetër dhe të rinj: “Le të diskutojnë… kjo është jeta… e të ecin përpara së bashku”, sepse, shtoi Ati i Shenjtë, “gjyshërit duhet të rrinë bashkë me familjen”.

Papa Françesku bekoi barkun e një gazetareje shtatzënë, në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale
Papa Françesku bekoi barkun e një gazetareje shtatzënë, në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale

Papa bekoi barkun e një gazetareje shtatzënë

Françesku mbërriti pak para orës 16.00, ndërsa ishin mbledhur për ta pritur qindra njerëz, në oborrin e kishës, por edhe në dritaret e ballkonet përreth. Përshëndeti menjëherë zëvendësin e dioqezës së Romës, imzot Baldo Reina, ipeshkvin Michele Di Tolve, delegat dioqezan i fushës së kujdesit për diakonatin, klerin dhe jetën rregulltare, si edhe famullitarin, don Tommaso Gigliola. Më pas, foli me një grup gazetarësh pas barrierave e bekoi barkun e një gazetareje shtatzënë.

Brenda famullisë, Papa u prit nga tri murgesha, të cilat e përqafuan, duke e falënderuar për emocionet, që po u dhuronte. Në një sallë të kishës, Françesku u takua me grupin e meshtarëve të moshuar: tre rreshta kokash gri, njerëz, që u ngritën në këmbë për ta duartrokitur. Ndërmjet tyre, don Antonio Ciamei, 94 vjeç, me 70 vjet shërbim meshtarak. “T’i lutemi Zojës dhe pastaj të flasim!”, u tha Papa.

U lutën së bashku, iu drejtuan Shpirtit Shenjt e, pastaj, imzot Di Tolve paraqiti shkurtimisht realitetin e famullisë së Shën Jozefit në Trionfale, për t’ia lënë vendin dialogut me dyer të mbyllura, me pyetje dhe përgjigje.

Papa Françesku në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale
Papa Françesku në famullinë e Shën Jozefit në Trionfale

Takimi me fëmijët

Në fund, Bergoglio falënderoi për bisedën, duke i ftuar të pranishmit të mos lodhen shumë, të luten dhe të shoqërojnë kishat. Pasi i përshëndeti meshtarët një nga një, Papa u ndal në kishë me rreth 70 fëmijë, që së shpejti do të marrin Kungimin e Parë, me 100 fëmijë të tjerë nga shkolla e afërt e Shën Jozefit dhe me një grup prej rreth njëqind besimtarësh. Më pas, u kthye në Vatikan.

15 maj 2024, 09:47