Kërko

Papa mbyll punimet e Scholas Occurrentes: nëse dhimbja hyn në zemër, është helmuese

Françesku mbyll, në Vatikan, punimet mbledhjes së Universitetit të Sensit, organizuar nga Scholas Occurrentes. Në një atmosferë miqësie dhe gëzimi, disa të rinj bënë pyetjet, fryt i punës treditore në grup. “Arti është çlirues”, pohon Papa, që u kërkon edukatorëve të kultivojnë shpresën: “Dhimbja në ndihmë të të tjerëve, është e frytshme”

R.SH. / Vatikan

Në prani të Papës Françesku, dje, në Sallën e Re të Sinodit, u mbyllën punimet e Takimit Ndërkombëtar të Sensit, organizuar nga Scholas Occurrentes dhe Banka e Zhvillimit e Amerikës Latine e Karaibeve (CAF). Pjesëmarrës, disa rektorë nga universitetet kryesore të botës, personalitete të kulturës, politikës dhe teknologjisë, të rinj me ndikim në bashkësitë e tyre dhe artistë. Objektivi i takimit ishte kërkimi i zgjidhjeve konkrete për sfidat e Universitetit të Sensit, drejtimin e të cilit Papa ia besoi Lëvizjes Arsimore Ndërkombëtare  Scholas Occurrentes.

Kur  dhimbja shndërrohet në gëzim për të tjerët, është e frytshme

Teknologjia, mjedisi dhe shëndeti mendor ishin temat mbi të cilat punuan për tre ditë pjesëmarrësit, të cilët ia paraqiten përfundimet e tyre Papës, në një atmosferë familjare e gazmore. “Kur dhimbja shndërrohet në ndihmë për të tjerët, është e frytshme” - pohoi Papa - duke iu përgjigjur një gruaje të re, që pyeti si mund të vazhdojë të jetojë dashuria, pavarësisht nga  vuajtjet e pësuara.

“Rreziku është që dhimbja të ta mbyllë zemrën, ndërsa zemrën duhet ta kesh gjithmonë të hapur”- shpjegoi Françesku e në vijim, i  ftoi të gjithë të edukojnë me shpresë, sepse kur dhimbja ngërthehet në zemër “është helmuese, gjithmonë”. Një djalë e pyeti mbi rëndësinë e artit e Papa nënvizoi se "arti të hap horizontin. Arti të çliron, të projekton deri në fund, të bën të ecësh përpara". E në vijim citoi një fragment nga një poezi e Borges-it, duke kujtuar edhe se kur ishte i vogël, së bashku me vëllezërit e tij kalonin shumë kohë te gjyshja e tyre, ose dëgjonin babain, kur u lexonte librin “Zemra” të De Amicis.

Mos e humbni aftësinë tuaj për të luajtur

Një artist kolumbian ndërhyu nga asambleja. Papa u kënaq duke e dëgjuar dhe kur djali i nxiti të pranishmit të duartrokasin me ritëm, edhe Françesku  “u infektua”, domethënë nisi të rrahë shuplakë. Sepse "çelësi i gjithçkaje është aftësia për të luajtur. E aftësia e vërtetë për të luajtur, është krijuese", këmbënguli. E këtë e pohoi pas dëshmisë së një gruaje të re që kishte vështirësi në ecje, por që megjithatë, i ftoi të pranishmit të përfshihen në çdo mjedis. Ajo u kujtoi të pranishmëve se në moshën 12-vjeçare ishte viktimë e bullizmit dhe se mbeti jashtë sistemit për gjashtë muaj derisa shoqata Teresiana i dha shtytje dhe besim të ri. Krijoi një themel dhe i dorëzoi Papës parimet mbi të cilat qëndron.

Një edukim i shëndetshëm integron mendjen, duart dhe zemrën

Konteksti vë në qendër edukimin e njeriut. Promovon kulturën e takimit në këndvështrimin e shpresuar nga Papa argjentinas. E kjo, sepse ideja e themelimit të një lëvizjeje të këtij lloji lindi pikërisht në Argjentinë. Universiteti i Kuptimit nuk duhet të humbasë marrëdhënien ndërmjet tri gjuhëve: "të duarve", "të zemrës" dhe "të kokës". Kështu përsëriti Papa Françesku, i cili kujdeset shumë për këtë përmasë të integruar të njeriut. Pas Papës, foli edhe Ambasadorja e Bolivisë, duke u ndaluar tek tema e integrimit të fesë me jetën. Më pas mori kitarren, këndoi një këngë dhe shpjegoi se në vendin e saj, me 36 kombësi, njerëzit janë shumë të gëzuar, pavarësisht nga fakti se shumë fëmijë rrojnë në varfëri.

Takimi përfundoi me Papën, që kishte në dorë një “top leckash”, simbol i një loje varfanjakësh. Kujtoi kohën e fëmijërisë, kur luante me të, dhe ftoi për ta zbuluar mistikën që ka brenda.

24 maj 2024, 11:41