Papa: paqja e fituar me vdekje është e tmerrshme
R. SH. - Vatikan
Në ditën kur Kisha kujton Shën Jozefin Punëtor dhe nis Majin e Zojës, Papa Françesku, vijon të lutet për paqen dhe popujt, viktima të luftës. “Lufta është gjithmonë disfatë, gjithmonë” - rikujton Papa gjatë përshëndetjes në fund të audiencës së përgjithshme:
“Të mendojmë për Ukrainën e martirizuar, që vijon të vuajë kaq shumë. Të mendojmë për banorët e Palestinës dhe të Izraelit, ende në luftë. Të mendojmë për Rohingya-t, për Mianmarin e të kërkojmë paqe, paqe të vërtetë për këta popuj dhe për të gjithë botën”.
“Të kërkojmë paqen, që të shkojë përpara paqja” - theksoi Papa, duke kujtuar edhe një herë se për fat të keq “sot investimet që japin më shumë të ardhura, janë në fabrikat e armëve”. Të fitosh para duke shitur vdekjen - përsëriti - është "e tmerrshme". Do të thotë ta blesh me para vdekjen, jo jetën!
Lutja për viktimat e përmbytjeve në Kenia
Françesku ndjehet edhe pranë popullit të Kenias "në këtë kohë kur një përmbytje e rëndë mori tragjikisht jetën e shumë prej vëllezërve dhe motrave tona, duke plagosur të tjerë dhe duke shkaktuar shkatërrime të jashtëzakonshme". Deri tani numërohen 169 të vdekur për shkak të pasojave të motit të keq, që goditi Nairobin dhe zonën aty pranë, Mai Mahui, ndërsa 91 janë të zhdukur. Mbi 190 mijë, njerëzit e prekur.
“Ju ftoj të lutemi për të gjithë ata që po vuajnë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore” - tha në përfundim Papa - duke theksuar se “edhe në mes të fatkeqësive, ne kujtojmë gëzimin e Krishtit të ngjallur”.