Papa ushtarakëve në Lourdes: shërbejini paqes në këtë çast të errët të historisë
R. SH. - Vatikan
Tradita, që nisi 64 vjet më parë, të tërheq gjithnjë me pamjen e mijëra uniformave të ndryshme, rreshtuar në lutje para Shpellës së Masabielës. Për Papën është e qartë "thirrja ushtarake" e ushtarit, që gjunjëzohet në një çast të jetës së tij para Zojës Lourdë: prej këndej, porosia: "Kudo që t’ju dërgojnë, dëshmojeni Ungjillin ndërmjet shokëve tuaj".
Kuptimi i shtegtimit
Kështu shkruan Françesku në një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, me rastin e shtegtimit vjetor ndërkombëtar të ushtarëve në Shenjtëroren franceze, të kryesuar nga Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Ashtu si Bernadette, të cilën Zoja e nxiti t'u kërkonte meshtarëve të ndërtonin një kishë, për të lejuar njerëzit të vinin në procesion, po ashtu Papa i fton ushtarët "të nisen edhe shpirtërisht në shtegtim", "para së gjithash drejt Zotit, por edhe drejt vëllezërve dhe motrave tona, për të ndërtuar një botë më solidare e më vëllazërore”. Një angazhim që është edhe më i fortë sepse u drejtohet atyre që - shkruan Françesku - thirren “të luajnë një rol të pazëvendësueshëm për të mirën e përbashkët, në shërbim të paqes në botë”.
Pranë shokëve të sëmurë
Edhe për ata që veshin uniformën - vëren Papa - shtegtimi është përvojë feje, që të ndihmon "të zbulosh bukurinë e ecjes së bashku, duke mbështetur njëri-tjetrin dhe duke u takuar me të tjerët. Të krijon mundësinë të jesh pranë bashkëluftëtarëve të sëmurë dhe të plagosur, të kujdesesh për ta dhe ta çosh mëshirën e Zotit në botën ushtarake”.
Bota - përfundon Papa - “ka nevojë për ju, veçanërisht në këtë çast të errët të historisë sonë. Ne kemi nevojë për burra dhe gra të fesë, të aftë për t'i vënë armët e tyre në shërbim të paqes dhe vëllazërisë".