Kërko

Komisioni Papnor për Arkeologjinë e Shenjtë, ruajtës i trashëgimisë së fesë dhe artit të katakombeve të krishtera të Italisë Komisioni Papnor për Arkeologjinë e Shenjtë, ruajtës i trashëgimisë së fesë dhe artit të katakombeve të krishtera të Italisë  (Pontificia Commissione di Archeologia Sacra)

Papa: vizita në katakombe gjatë Jubileut forcon fenë e shpresën

Pjesëmarrësve në Mbledhjen Plenare të Komisionit të Arkeologjisë Kishtare, Françesku u shprehu vlerësimin për punën në këto varreza, dëshmi e pritjes së ringjalljes. I përshtatshëm, vendimi për të zgjeruar numrin e vendeve të vizitueshme, pohon Papa. Ndalimi para varreve të martirëve "na nxit të ndjekim shembullin e guximshëm të këtyre të krishterëve, gjithnjë aktual, dhe na fton të lutemi për shumë vëllezër të përndjekur për fenë e tyre".

R. SH. - Vatikan

Të vlerësosh, me rastin e Jubileut, shtegtimin në katakombet e krishtera, posaçërisht në varret e martirëve, është shenjë shprese e jete. Ky, mesazhi i Françeskut gjatë fjalimit drejtuar sot pjesëmarrësve në mbledhjen plenare të Komisionit Papnor për Arkeologjinë Kishtare. Këto vende, këto varreza - saktëson Papa -  janë fjetore, pra dëshmi e pritjes së ringjalljes.

Vlera e Ditëve të Katakombeve

Papa Françesku priti sot në audiencë anëtarët e Komisionit, kujdestarë të trashëgimisë së fesë dhe të artit të katakombeve të krishtera të Italisë, të kryesuar nga presidenti, Imzot Pasquale Iacobone. Takim që tregon se e vlerëson lart angazhimin për t’i përfshirë veçanërisht të rinjtë në mbrojtjen, kërkimin dhe restaurimin e këtyre vendeve të cilat nga lashtësia - i flasin kohëve tona.

Shumë vëllezër sot persekutohen për fenë e tyre

Duke folur për martirët, Papa nënvizoi “shembullin e guximshëm të këtyre të krishterëve, gjithmonë aktual dhe na ftoi të lutemi për shumë vëllezër që sot përndiqen për fenë e tyre në Krishtin”.

Këtë theksoi Françesku në audiencën me Komisionin Papnor të Arkeologjisë Kishtare.

Foli, më pas, për Jubileun, duke nënvizuar se tema e tij "Shtegtarë të shpresës", të kujton "pikërisht shtigjet e katakombeve”. Aty shtegtari  gjen gjurmët e shumta të shtegtimit të krishterë të zanafillës".

"Në katakombe çdo gjë flet për shpresën: për jetën përtej vdekjes, për çlirimin nga rreziqet dhe nga vetë shkatërrimi, përmes veprës së Zotit". "Gjithçka flet për shpresën, për jetën! Katakombet, edhe pse "varreza", domethënë "fjetore", dëshmojnë për pritjen e të krishterit, që beson në ringjalljen e Krishtit, domethënë, në ringjalljen e korpit.

Prandaj, shtegtimi në katakombe shëmbëllen si itinerar, në të cilin mund të përjetohet ndjenja e pritjes dhe e shpresës së krishterë”, përfundoi Papa, me optimizmin e atmosferës së ringjalljes, që na e kujton shtegtimi në këto vise meditimi e pritjeje…

17 maj 2024, 12:41