Përmbytjet në Brazil, Imzot Spengler: solidariteti i Papës në një telefonatë
R. SH. - Vatikan
Viktimat e shirave të dendura që kanë goditur Brazilin jugor nga fundi i prillit, arritën në 137 të vdekur. Numri i të shpërngulurve kaloi mbi 600 mijë. Situata më dramatike është shënuar në shtetin Rio Grande do Sul, në kufirin mes Argjentinës dhe Uruguait, ku reshjet vijojnë furishëm që nga dita e djeshme dhe ku, sipas shërbimit meteorologjik të Institutit Kombëtar të Meteorologjisë në vend, pritet që në vijim të shtohen erërat dhe niveli i ujit.
Solidariteti i Papës
Të gjithë ata që po vuajnë në këto orë nga kjo katastrofë, e cila prek veçanërisht shtresat më të varfra të popullsisë, e ndjenë fort afërsinë e Papës shprehur mëngjesin e djeshëm, të shtunën 11 maj, në një telefonatë me kryeipeshkvin e Porto Alegre dhe kreun e Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të Brazilit, Imzot Jaime Spengler. Kryeipeshkvi, i cili shprehu emocionin e tij për gjestin atëror të Françeskut, foli edhe për habinë që i shkaktoi telefonata, gjatë së cilës Papa shprehu fjalë ngushëllimi për popullsinë e Rio Grande do Sul:
“Shpreh solidaritetin tim - tha Papa - për të gjithë ata që po e vuajnë këtë katastrofë. Jam pranë jush dhe lutem për ju”.
Ndihma konkrete e Françeskut
Papa e pati shprehur solidaritetin e tij për njerëzit e prekur nga shirat e dendura edhe në fund të Mbretëreshës Qiellore, të dielën, më 5 maj. “Dua t'ju siguroj - u tha - se lutem për popullsinë e shtetit të Rio Grande do Sul, në Brazil, i cili është goditur nga përmbytjet e mëdha. Zoti i mirëpritët të vdekurit, i ngushëlloftë familjet e tyre si dhe ata që u detyruan të lënë shtëpitë e veta".
Afërsi, kjo, e cila më pas u shndërrua në ndihmë konkrete, siç e vërtetoi imzot Spengler. Më 9 maj, Nunciatura Apostolike në Brazil njoftoi se Ati i Shenjtë caktoi një shumë të konsiderueshme, nëpërmjet Bamirësisë Apostolike, për të ndihmuar të pastrehët. Shuma, afërsisht 100,000 euro, do t’i dorëzohet Rajonit Jugor 3 të Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të Brazilit, e cila mbulon të gjithë Rio Grande do Sul. Shuma e dhuruar, në monedhën vendase të Brazilit, i kalon 500,000 reai, burim që do të jetë ndihmë e madhe për popullsinë e Rio Grande do Sul.