Kërko

 Audienca e Papës me José Maria Neves, president i Republikës së Cabo Verde Audienca e Papës me José Maria Neves, president i Republikës së Cabo Verde  (Vatican Media)

Në audiencë tek Papa, Presidenti i Republikës së Kepit të Gjelbër

Papa Françesku priti në Pallatin Apostolik të Vatikanit José Maria Pereira Neves, President i Republikës së Kepit të Gjelbër. Në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, bisedime me Kardinalin Parolin dhe Imzotin Gallagher: shkëmbim mendimesh për çështjet aktuale ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë për problemet e sigurisë, konfliktet në botë, fenomenet migratore dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

R. SH. - Vatikan

Pak para se të nisej në Pulia për takimin e G7, Papa Françesku priti sot, 14 qershor, në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Presidentin e Republikës së Kepit të Gjelbër, José Maria Pereira Neves, i cili më pas u takua edhe me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

"Gjatë diskutimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit - njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - u nënvizuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kepit të Gjelbër dhe u theksuan disa aspekte të situatës shoqërore dhe ekonomike në vend. U fol edhe për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe, ratifikuar në vitin 2014”. "Në vijim të bisedës - shënon akoma Salla e Shtypit - u shkëmbyen mendime për aktualitetin ndërkombëtar, duke nënvizuar kryesisht problemet e sigurisë, të konflikteve të vazhdueshme në botë, të fenomeneve migratore dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

14 qershor 2024, 15:33