Papa në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal: t’i ndihmojmë të gjithë të gjejnë rrugën e Zotit

Papa: ''Misioni që Jezusi i beson Pjetrit nuk është të bllokojë dyert e shtëpisë, duke lejuar hyrjen vetëm për pak a disa mysafirë të përzgjedhur, por t'i ndihmojë të gjithë të gjejnë rrugën e hyrjes, në besnikëri ndaj Ungjillit të Jezusit, të gjithë, të gjithë mund të hyjnë në Mbretërinë e Zotit''. Kështu tha Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, sot në mesditë në sheshin e Shën Pjetrit.

R.SH. / Vatikan

Pas Meshës solemne, kremtuar në Baizilikën e Shën Pjetrit, në mesditë, në Sheshin e Vatikanit, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke lëvduar Zotin për predikimin dhe dëshminë e Apostujve Pjetër e Pal, që kremtohen sot, dy shtylla, mbi të cilat ngrihet ndërtesa e dukshme e Kishës.             

Në Ungjillin, e festës së Apostujve të Shenjtë Pjetër dhe Pal, nga Mateu, Jezusi i thotë Simonit, që njihej me emrin Pjetër: “Ty do do t'i jap çelësat e Mbretërisë së qiejve" (Mt 16:19). Kjo është arsyeja pse ne e shohim shpesh Shën Pjetrin me dy çelësa të mëdhenj në dorë, si në shtatoren që gjindet këtu, në këtë shesh. Këta çelësa përfaqësojnë shërbimin e autoritetit, që Jezusi ia besoi atij në ndihmë të mbarë Kishës.

Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm që ta kuptojmë mirë domethënien e gjithë kësaj. Çelësat e Pjetrit janë çelësat e një Mbretërie, të cilën Jezusi nuk e përshkruan si kasafortë e as si dhomë të blinduar, por me figura të tjera: si farë e vogël, margaritar i çmuar, thesar i fshehur, një grusht maja (shih Mt 13.1-33), domethënë, si diçka e çmuar, si pasuri, po, por në të njëjtën kohë, e vogël dhe e padukshme. Për ta arritur, pra, nuk duhet të aktivizohen mekanizmat e sigurisë dhe bravat, por të kultivohen virtyte si durimi, vëmendja, këmbëngulja dhe përvujtëria:

“Pra, misioni që Jezusi ia beson Pjetrit, nuk është të mbyllë dyert e shtëpisë, duke e lejuar hyrjen vetëm për disa të ftuar të përzgjedhur, por t’i ndihmojë të gjithë të gjejnë rrugën e hyrjes, me besnikëri ndaj Ungjillit të Krishtit”.

E Pjetri do ta bëjë këtë gjatë gjithë jetës së tij, besnikërisht, deri në martirizim, pasi të ketë jetuar fillimisht, jo pa vështirësi e edhe me shumë rrëzime, gëzimin dhe lirinë që lindin nga takimi me Zotin. Atij, të parit, për t'i hapur derën Jezusit, iu desh të pendohej,  gjë aspak e lehtë:

“Të mendojmë: vetëm pak pasi i tha Jezusit: ‘Ti je Krishti’, Mësuesit iu desh ta qortonte sepse refuzoi ta pranonte profecinë e mundimit dhe të vdekjes së tij në kryq (shih Mt 16,21-23)”.

Pjetri i mori çelësat e Mbretërisë së Hyjit jo sepse ishte i përsosur, por sepse ishte i përulur dhe i ndershëm dhe Ati i kishte dhuruar një fe të sinqertë (shih Mt 16,17). Prandaj, duke i besuar mëshirës së Zotit, ai ishte në gjendje, siç i qe kërkuar, t'i mbështeste dhe t’i përforconte vëllezërit e tij (shih Luka 22,32).

Ta pyesim veten…

Ta pyesim veten atëherë - kujtoi si zakonisht në përfundim Papa - “A e kultivoj dëshirën për të hyrë, me hirin e Zotit, në Mbretërinë e tij dhe për të qenë, me ndihmën e tij, kujdestar mikpritës edhe për të tjerët? E për ta bërë këtë, a e lë veten të "lëmohem", të zbutem, të formohem nga Jezusi dhe Shpirti i tij, që jeton në mua?”.

Pyetje që presin gjegje! Jo të lehta a të paramenduara, por të vështira, e që na kërkojnë ta mbështesim njëri-tjetrin:

“Maria, Mbretëresha e Apostujve dhe shenjtorët Pjetër e Pal, na ndihmofshin me lutjen e tyre të jemi udhërrëfyes dhe mbështetje për njëri-tjetrin në takimin me Krishtin”.

29 qershor 2024, 12:32

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >