Françesku: gjatë stuhive, të kapemi pas Jezusit, për të gjetur paqen
R.SH. / Vatikan
Stuhia që godet barkën, agjitacioni i dishepujve dhe qetësia e Jezusit, që madje fle. Është Ungjilli i sotëm i shën Markut nga i cili Papa Françesku frymëzohet gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, për të shpjeguar "fuqinë" e Krishtit Zot që qëndron pranë në vështirësi, duke forcuar ata që janë pranë tij, duke i ftuar kështu apostujt të ecin përpara për të shpallur Fjalën e Hyjit. "Nuk na kursen kundërshtitë, por, - tha Papa- nuk na braktis kurrë, na ndihmon të përballemi me to".
“Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!”
Sot Ungjilli nga Marku na e paraqet Jezusin në barkë me dishepujt e tij, në liqenin e Tiberiadës. Papritur vjen një stuhi e fortë dhe anija rrezikon të fundoset. Jezusi, i cili ishte duke fjetur, zgjohet dhe kërcënon erën, e mbi ujërat e shqeta, bie rishtas qetësia (shih Mc 4,35-41). Një mbrëmje më parë, ishte vetë Jezusi që u tha dishepujve të hipnin në barkë dhe të kalonin liqenin. Ata ishin specialistë, ishin peshkatarë dhe ky ishte mjedisi i jetesës së tyre; por stuhia mund t'u krijonte vështirësi, si atë natë…
Jezusi i vë dishepujt në provë, por pa i lënë vetëm
Duket se Jezusi dëshiron t'i vërë dishepujt në provë - vijoi të shpjegojë Papa Françesku - Por nuk i lë vetëm, rri me ta në barkë, i qetë, madje edhe fle. E kur shpërthen stuhia, i qetëson me praninë e tij, i inkurajon, i nxit të kenë më shumë besim dhe i shoqëron përtej rrezikut. E pse sillet kështu?
Duke kapërcyer sprovat me Jezusin, mund ta shpallim pa frikë Ungjillin
Jezusi sillet kështu thjesht për të forcuar fenë e dishepujve dhe për t'i bërë më të guximshëm - vijoi të shpjegonte Papa. - E ata dalin nga kjo përvojë më të vetëdijshëm për fuqinë e Jezusit dhe për praninë e tij ndërmjet tyre e, për këtë arsye, më të fortë dhe më të gatshëm për të përballuar pengesa dhe vështirësi të tjera, duke përfshirë edhe frikën për të dalë e për ta shpallur kudo Ungjillin - vijoi Papa - e shtoi:
“Duke e kapërcyer këtë sprovë me Të, ata do të mund të përballen me shumë të tjera, deri në kryq e në martirizim, për t'ua kumtuar Ungjillin të gjithë njerëzve”.
Jezusi na fton ta ndajmë me të gjithë, atë që morëm
E edhe me ne Jezusi bën të njëjtën gjë, veçanërisht në Eukaristi - kujtoi me emocion Papa, në sa shpjegonte çastin kulmor:
“Çastin kur Jezusi na mbledh rreth vetes, na jep Fjalën e tij, na ushqen me Trupin dhe Gjakun e tij dhe më pas na fton të dalim në det të hapur, për t'u transmetuar të gjithëve atë që morëm në jetën e çdo dite, edhe kur dita është tejet e vështirë”.
Mbretëria e Zotit është këtu!
Krishti nuk na i kursen kundërshtitë - vijoi ta komentojë Papa këtë faqe të veçantë të Ungjillit nga Marku - që i kujton secilit çaste nga jeta e vet, kur Zoti, pa na braktisur kurrë, na ndihmoi t'i përballojmë, si i përballuan edhe dishepujt. Kështu edhe ne, duke i kapërcyer me ndihmën e Jezusit, mësojmë gjithnjë e më shumë të kapemi pas tij, t'i besojmë fuqisë së tij, e cila shkon shumë përtej mundësive tona, të kapërcejmë pasiguritë dhe ngurrimet, mbylljet dhe paragjykimet, me guximin e madhështinë e zemrës”…
“… për t’u treguar të gjithëve se Mbretëria e Qiellit është e pranishme, është këtu. Me Jezusin përkrah mund ta bëjmë atë të rritet së bashku, përtej çdo pengese”.
Pyetje, vetvetes…
Le ta pyesim veten atëherë - na nxiti të gjithëve Papa - në çastet e provës a di të kujtoj kohët në të cilat e jetova praninë dhe ndihmën e Zotit në jetën time? Kur tërbohet stuhia, a pushtohem nga frika, a kapem pas Tij, për të gjetur qetësinë dhe paqen, në lutje, në heshtje, në dëgjimin e Fjalës, në adhurim dhe në ndarjen vëllazërore të besimit?
Pyetje, që kërkojnë përgjigje e, sidomos kthesë, kur shpirti ynë kërkon me ngulm praninë e Zotit, për të gjetur çaste të paqta, në këtë botë plot me zhurmë e me shqetësime:
“Virgjëra Mari, e cila e pranoi vullnetin e Zotit me përvujtëri e guxim, na dhuroftë në çaste të vështira qetësinë e lëshimit të plotë në prehër të Saj”.