Papa: me Eukaristinë jemi të thirrur ta bëjmë jetën dhuratë për të tjerët

Jemi thirrur “të bëhemi ‘eukaristikë’, pra njerëz që nuk jetojnë më për veten e tyre, në logjikën e zotërimit dhe konsumit”, por “njerëz që dinë ta bëjnë jetën e tyre dhuratë për të tjerët”. Kështu pohoi Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Korpit të Krishtit. Kështu, falë Eukaristisë, ne bëhemi profetë dhe ndërtues të një bote të re”, tha Papa.

R.SH. / Vatikan

Kisha katolike Universale kremton sot Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit, kështu tha  Papa Françesku, gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të shumë besimtarëve, ardhur nga vende të ndryshme. Në qendër të fjalëve të Papës gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, reflektimi plot pasion  për vlerën e pallogaritshme të Eukaristisë. 

"Jemi thirrur “të bëhemi ‘eukaristikë’, pra njerëz që nuk jetojnë më për veten e tyre, në logjikën e zotërimit dhe të konsumit”, por “njerëz që dinë ta bëjnë jetën e tyre dhuratë për të tjerët”. Kështu pohoi Papa gjatë lutjes së Engjëllit Zotit në solemnitetin e Korpit të Krishtit. Kështu, falë Eukaristisë, ne bëhemi profetë dhe ndërtues të një bote të re”, tha Papa.

Kujtojmë Darkën e Mbrame të Jezusit

Vëllezër dhe motra, mirëdita! - fillon kështu, si çdo të diel, lutja e Engjëllit të Zotit. Në Itali dhe vende të tjera – kujton në fillim Papa - sot kremtohet Solemniteti i Korpit të Krishtit Corpus Domini. Ungjilli i liturgjisë së sotme na flet për Darkën e Mbrame të Jezusit (Mk 14,12-26), gjatë së cilës Zoti bën një gjest dorëzimi: në bukën e thyer dhe në kupën që u ofrohet dishepujve, është Ai vetë:

“Ai, që jep veten për të gjithë njerëzimin dhe ofrohet për jetën e botës. Në këtë gjest të Jezusit duke thyer bukën, ka një aspekt të rëndësishëm që Ungjilli e nënvizon me fjalët "ai ua dha atyre" (r. 22). Le t'i fiksojmë këto fjalë në zemrat tona: ai ua dha atyre”.

Krishti nuk e mbajti jetën për vete, na e dhuroi ne

Eukaristia, para së gjithash kujton përmasën e dhuratës. Jezusi e merr bukën jo për ta konsumuar vetë, por për ta thyer dhe për t'ua dhënë dishepujve, duke zbuluar kështu identitetin dhe misionin e tij:

“Ai nuk e mbajti jetën për vete, por na e dhuroi neve; ai nuk e konsideroi thesar xheloz qenien e tij, por e zhveshi lavdinë e vet për ta ndarë me njerëzimin tonë dhe për të na prirë drejt jetës së amshuar (shih Fil 2,1-11). E bëri kështu gjithë jetën e tij dhuratë!”.

Jemi bukë e thyer për botën

 Më pas - vijoi të shpjegojë Papa në lutjen e Engjëllit të kësaj dite të madhe - kuptojmë se kremtimi i Eukaristisë dhe ngrënia e kësaj Buke, siç bëjmë veçanërisht të dielave, nuk është akt adhurimi i shkëputur nga jeta ose çast i thjeshtë ngushëllimi personal:

“… duhet të kujtojmë gjithmonë se Jezusi, duke marrë bukën, e theu e ua dha atyre dhe, për rrjedhojë, bashkësia me Të na mundëson të bëhemi bukë e thyer edhe për të tjerët, të ndajmë atë që jemi dhe atë që kemi”

Shën Leoni i Madh na kujton: "Pjesëmarrja jonë në Korpin dhe Gjakun e Krishtit nuk ka për qëllim asgjë tjetër, veçse të na bëjë të shndërrohemi në atë që hamë" (Predikimi XII mbi Mundimet, 7).

Të bëhemi “eukaristikë”

“Për këtë jemi të thirrur: të bëhemi çka hamë, të bëhemi "eukaristikë", domethënë njerëz që nuk jetojnë më për veten e tyre (shih Rom 14.7), në logjikën e zotërimit dhe të konsumit, por që dinë të bëjnë me jetën e tyre një dhuratë për të tjerët.

Eukaristia na bën profetë

Kështu, falë Eukaristisë, ne bëhemi profetë dhe ndërtues të një bote të re: kur mposhtim egoizmin dhe ia hapim zemrën dashurisë, kur kultivojmë lidhje vëllazërie, kur marrim pjesë në vuajtjet e vëllezërve tanë dhe ndajmë bukën dhe burimet me ata që kanë nevojë, kur i vëmë në dispozicion të gjitha talentet tona, atëherë po, e thyejmë bukën e jetës sonë si Jezusi.

Pyetje të përjavshme, që presin përgjigje

Le të pyesim veten atëherë – tha në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit Papa duke na kujtuar çfarë duhet të bëjmë gjatë javës, që na troket te porta:

“.. a e mbaj jetën time vetëm për vete, apo e jap atë si Jezusi? A e shkrij veten për të tjerët, apo mbyllem brenda vetes sime të vogël? E, në situatat e përditshme, a di të ndaj, apo kërkoj gjithmonë interesin tim?

Dhuratë dashurie!

Duhet t’u përgjigjemi jo vetëm këtyre pyetjeve aspak të lehta - na kujton në përfundim Papa:

“Virgjëra Mari, e cila e priti Jezusin, bukën nga qielli, dhe e dhuroi veten tërësisht bashkë me Të, na ndihmoftë edhe ne të bëhemi dhuratë dashurie, të bashkuar me Jezusin Eukaristi”.

02 qershor 2024, 12:32

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >