Kërko

Papa: të gjithë janë të mirëpritur dhe të dashur, pa etiketa e paragjykime

Në lutjen e Engjëllit, Françesku kujtoi historinë e dyfishtë ungjillore të shërimit të gruas me hemorragji, që prek mantelin e Jezusit, dhe të vajzës së Jairit. Shpjegon kuptimin dhe lejimin e prekjes, shprehje e një Zoti që takohet me dhimbjen e njerëzve, pa bërë asnjë dallim. "Ne kemi nevojë për një kishë dhe një shoqëri që nuk përjashton askënd, që nuk trajton askënd si të papastër"

R.SH. / Vatikan

R.SH. / Vatikan

“Kemi nevojë për një Kishë dhe një shoqëri që nuk përjashton askënd, që nuk e trajton askënd si ‘të papastër’, që secili me historinë e vet të mirëpritet dhe të dashurohet pa etiketa, pa paragjykime: të dashurohen pa mbiemra”. Kështu pohoi Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë, në Sheshin e Vatikanit.

Në pjesën e Ungjillit, të kësaj së diele të 13–të gjatë vitit kishtar, nga Marku, Jezusi - tha Papa- niset drejt në shtëpinë e Gjairit, njërit nga krerët e sinagogës, mbasi e bija është e sëmurë rëndë kur, gjatë rrugës, një grua që vuante nga hemorragjia, domethënë që humbiste shumë gjak, ia cik lehtas mantelin. E Ai ndalet për ta shëruar. Ndërkaq i vjen lajmi i zi: e bija e Gjairiti ka dhënë shpirt! Po Jezusi nuk ndalet. Arrin në shtëpinë e së vdekurës, shkon në dhomën e saj, e merr për dore dhe e ngre përsëri në këmbë, domethënë, e sjell rishtas në jetë! (Mk 5,21-43).

Dy mrekulli, në një episod të vetëm

Këto dy shërime tregohen në një episod të vetëm. Të dy ndodhin përmes kontaktit fizik. Gruaja prek mantelin e Jezusit, ndërsa Jezusi e merr vajzën për dore. Pse është e rëndësishme kjo "prekje"? – pyet Papa - që i përgjigjet sakaq pyetjes së tij.

Zoti minon një koncept të gabuar fetar

 E rëndësishme, “sepse këto dy gra - njëra për shkak të humbjes së gjakut dhe tjetra për shkak të vdekjes që ia rrëmbeu frymën e fundit - konsiderohen të papastra, ndaj Jezusi për këtë arsye nuk mund të ketë kontakt fizik me to:

“Po Jezusi i lë të sëmurat  ta prekin e nuk ka frikë t’i prekë. Edhe para shërimit fizik, Ai minon një koncept të gabuar fetar, sipas të cilit Zoti ndan të pastërt në njërën anë dhe të papastërt në anën tjetër”.

Ndyrësia vjen nga zemra e papastër

Zoti nuk e bën këtë ndarje - shpjegoi Papa Françesku - sepse ne jemi të gjithë bijtë e bijat e tija. E ndyrësia nuk vjen nga ushqimet, nga sëmundjet, madje as nga vdekja, por vjen nga zemra e papastër. Le ta mësojmë këtë, pra: “… përballë vuajtjeve të trupit, plagëve të shpirtit, situatave që na dërrmojnë, madje edhe përballë mëkatit, Zoti nuk rri larg nesh, nuk i vjen turp prej nesh, ai nuk na gjykon; përkundrazi, Ai afrohet për t'u prekur e për të na prekur dhe na ringjall gjithmonë nga vdekja. Na merr gjithmonë për dore e na thotë: bijë, bir, çohu! (shih Marku 5,41)”.

Zoti i do të gjithë njësoj

Ta ruajmë ndër zemra këtë figurë, që na dhuron Jezusi:

“Zoti është ai që të merr për dore, që të ngre lart, që e lë veten të preket nga dhimbja jote dhe të prek për të të shëruar, për të të kthyer jetën. Ai nuk përbuz askënd, sepse i do të gjithë”.

Një pyetje jetike për secilin nesh!

Pas këtij portreti të gjallë, që i bën Papa Zotit, nis pyetja tejet jetike për secilin, mbasi ka të bëjë me jetë e mbi jetë: jetën tokësore, krejtësisht të përkohshme, pas së cilës para nesh hapen dy rrugë: njëra të ngjit lart në qiell, tjetra të rrogomis në ferr!

Ta shikojmë zemrën e Zotit!

 Atëherë - na kujton Papa – mund, e edhe duhet, ta pyesim veten: a besojmë se Zoti është i tillë? A e lëmë veten të prekemi nga Zoti, nga Fjala e tij, nga dashuria e tij? A hyjmë në marrëdhënie me vëllezërit tanë duke ua zgjatur dorën, që të ngrihen përsëri në këmbë, apo rrimë larg njerëzve dhe i etiketojmë sipas shijeve dhe pëlqimeve tona?

Thirrja e Papës – gjatë pushimeve të tija e tonave

Vëllezër dhe motra – është thirrja e Papës në këtë të dielë të 13–të gjatë vitit kishtar, në mbyllje të qershorit, kur nis pushimet me një këshillë, që ka vlerë të veçantë për jetën e secilit prej nesh. Le ta shikojmë zemrën e Zotit - na këshillon - sepse kemi nevojë për një kishë dhe një shoqëri që nuk përjashton askënd, që nuk trajton askënd si ‘të papastër’, në mënyrë që secili, me historinë e vet, të jetë i mirëpritur dhe i dashur pa etiketa dhe pa paragjykime.

Fund optimist ky, që të bën ta harrosh edhe ajrin përvëlues, i cili endet në Sheshin e Shën Pjetrit, ku turma e ndjek në heshtje të thellë Papën, i cili përfundon, si zakonisht, me një lutje të re drejtuar Marisë:

“T'i lutemi Virgjëreshës së Shenjtë: Ajo që është Nëna e butësisë, të ndërmjetësojë për ne dhe për mbarë botën”.

Këtë i kërkoi Papa një turme, që nuk mund largohej nga Sheshi më i bukur i botës, pa iu përgjigjur ftesës së Tij për t’ia lartuar Zotit lutjen për ne, të vegjlit, të pafuqishmit, por sidomos, për botën e madhe, të kapërthyer në armë e në gjak, që t’i japë fund urrejtes, e që secili, me historinë e vet, të jetë i mirëpritur dhe i dashur, pa frikë. E pa harruar se në paqe bijtë varrosin etërit, ndërsa në luftë, etërit varrosin bijtë!

 

 

30 qershor 2024, 12:43

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >