Papa: ta mbjellim Ungjillin me besim e durim në çdo fushë të jetës

Françesku në lutjen e Engjëllit kërkon nga besimtarët ta përhapin farën e Fjalës së Zotit e ta kultivojnë pritjen besimplote,që ajo të sjellë fryt edhe atje ku terreni është armiqësor e rezultatet nuk janë të menjëhershme, duke ndjekur kështu, shembullin e Krishtit, “i cili vijon të na shoqërojë, që të mund të rritemi si kallinjtë përplot me kokrra”. Në përfundim, thirrja për Kongon, zonat e tjera të konfliktit dhe kujtimi i të krishterëve të vrarë nga urrejtja për fenë.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku komentoi sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, faqen e Ungjillit të kësaj së diele që flet për Mbretërinë e Zotit (krh. Mk 4,26-34). Jezusi e përdor shpesh shëmbëltyrës së farës që bujku e hedh në tokë dhe atë të farës së senapit, për të folur për Mbretërinë e Zotit, për praninë e Tij, që gjindet në zemrën e sendeve e të vetë botës(krh Mt 13, 1-23; Mk 4, 1-20; Lk 8, 4-15), e sot e bëri duke na ftuar të reflektojmë posaçërisht për një sjellje të rëndësishme: pritjen besimplote!

Mrekullia e mbirjes

E Papa e filloi sakaq komentin e pjesë së Ungjillit të kësaj së Diele të 11-të gjatë vitit kishtar nga Marku, duke përshkruar punën e bujkut. Si bujk i mirë, nisi nga shpërndarja e farës së begatë, për të na kujtuar se sado që të përgatitet toka, bimët nuk dalin menjëherë: duhet kohë! Prandaj është e nevojshme që bujku, pasi të ketë mbjellë, të dijë të presë me besim, t’i lejojë farët të hapen në kohën e duhur e filizat të dalin nga toka dhe të rriten aq të fortë, sa të garantojnë, në fund, begati në korrje (shih v. 28-29).

Mrekullia po ndodh

Nëntokë mrekullia tashmë po ndodh (shih 27), ka zhvillim të madh, por të padukshëm, nevojitet durim e, ndërkohë, duhet vazhduar kujdesi për bucat, të ujiten dhe të mbahen të pastra, edhe pse në sipërfaqe duket se nuk po ndodh asgjë:

“Kështu është edhe Mbretëria e Hyjit. Zoti hedh në ne farën e Fjalës së tij dhe të hirit të tij, farë të mira dhe të begata e, më pas, pa pushuar asnjëherë, së bashku me ne, pret me durim”.

Zoti dëshiron që asgjë të mos humbasë!

Zoti - theksoi në vijim Papa - vazhdon të kujdeset për ne, me besimin e një Ati, por na jep edhe kohë që farët të hapen, të rriten dhe të zhvillohen, derisa të japin frytin e veprave të mira:

“E kjo, sepse dëshiron që asgjë të mos humbasë në arën e tij, që gjithçka të arrijë pjekurinë e plotë; ai do që të gjithë ne të rritemi si kallinj plot kokrra. Jo vetem. Duke vepruar kështu, Zoti na jep një shembull: na mëson ta mbjellim ungjillin me besim, atje ku jemi - si prindër, si meshtarë, rregulltarë, mësues, katekistë - dhe më pas të presim që fara e mbjellë të rritet dhe të japë fryt, tek ne dhe tek të tjerët, pa u çkurajuar dhe pa pushuar së mbështeturi dhe së ndihmuari njëri-tjetrin edhe aty ku, pavarësisht përpjekjeve tona, nuk duket se shohim rezultate të menjëhershme”.

Një breshëri pytjesh, gjatë “mbirjes së farës”

Shpesh edhe tek ne, përtej pamjes, mrekullia tashmë është duke u zhvilluar dhe në kohën e duhur do të japë fryte të begata! Prandaj, ne mund e duhet ta pyesim veten: a e mbjell me besim Fjalën e Zotit në mjediset ku jetoj? A jam i duruar në pritje, apo çkurajohem sepse nuk i shoh rezultatet menjëherë? Dhe - a di si t'ia besoj në mënyrë paqësore gjithçka Zotit, ndërkohë që bëj çmos për të shpallur Ungjillin?

“Virgjëra Mari, e cila e mirëpriti farën e Fjalës dhe e rriti brenda vetes, na ndihmoftë të jemi mbjellës bujarë e besimplotë të Ungjillit”.

16 qershor 2024, 13:49

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >