Papa: liria, vlera më e çmuar, larg parasë, pushtetit e famës
R.SH. Vatikan
Pjesa e Ungjillit të të kësaj së diele të 10-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, nga Marku (Mk 3,20-35)që na thotë se Jezusi, pasi filloi shërbimin e tij publik, u gjend përballë një reagimi të dyfishtë: atij të të afërmve të tij, të cilët u shqetësuan, ngaqë besonin se po çmendej, dhe të autoriteteve fetare, që e akuzuan se po vepronte i shtyrë nga një shpirt i keq. Ndërkaq Jezusi predikonte e shëronte të sëmurët me fuqinë e Shpirtit Shenjt. Dhe ishte pikërisht Shpirti që e bëri atë hyjnisht të lirë, domethënë të aftë për të dashur dhe për të shërbyer pa masë e pa kushte.
Liria e Jezusit
Të ndalemi pak për ta soditur këtë liri të Jezusit - e ftoi Papa turmën e njerëzve ardhur nga të katër anët e botës së madhe - Jezusi ishte i lirë përballë pasurive: prandaj u largua nga siguria e fshatit të tij, Nazaret, për të përqafuar një jetë të varfër plot pasiguri (shih Mt 6,25-34). U largua, duke u kujdesur për të sëmurët dhe këdo që vinte për t'i lypur ndihmë, pa kërkuar kurrë asgjë në këmbim (shih Mt 10.8):
“Ishte i lirë përballë pushtetit: edhe duke thirrur shumë njerëz që ta ndiqnin, nuk e detyroi kurrë askënd ta bënte një gjë të tillë, as nuk kërkoi mbështetjen e të fuqishmëve, por qe gjithnjë përkrah më të voglit, duke i mësuar dishepujt e tij të bëjnë të njëjtën gjë (krh. Luka 22,25-27)”.
I lirë, përballë pushtetit
Në jetën e Tij të shkurtër, iu desh të ndeshej ballë për ballë me pushtetin e kohës:
“Ishte i lirë edhe kur u përball me kërkimin e famës dhe të miratimit por, për këtë arsye, nuk hoqi kurrë dorë nga e vërteta, edhe me çmimin e moskuptimit (shih Mt 3,21), të humbjes së popullaritetit, deri në vdekje në kryq, duke mos lejuar askënd ta frikësonte, ta blinte apo ta korruptonte (shih Mt 10,28).
Liria, vlera më e çmuar!
Jezusi ishte njeri i lirë. E kjo vlen edhe për ne: nëse kushtëzohemi nga kërkimi i kënaqësisë, i pushtetit, i parasë apo miratimit, bëhemi sakaq skllevër të këtyre gjërave:
“Por nëse e lejojmë dashurinë e lirë të Zotit të na e mbushë dhe të na e zgjerojë zemrën, e nëse e lëmë të vërshojë spontanisht duke ua ridhënë të tjerëve, me gjithë vetveten, pa frikë, pa llogaritje, pa kushte, atëherë rritemi në liri dhe përhapim aromën e saj të mirë edhe rreth nesh, në shtëpitë tona, në familjet tona dhe në bashkësitë tona”.
Pyetje jetike, drejtuar vetvetes
Atëherë mund t’i drejtojmë vetes pyetje, edhe tejet të vështira - na kujtoi Papa: a jam njeri i lirë? Apo e lë veten të burgosem nga mitet e parasë, të pushtetit, të suksesit, duke flijuar qetësinë e paqen time e edhe të të tjerëve për këto? A përhap, në mjediset ku jetoj dhe punoj, ajër të pastër lirie, sinqeriteti, spontaniteti?
Këto, pyetjet e reja drejtuar nga Papa turmës, që e ndiqte nga Sheshi i Vatikanit dhe nga të katër anët e botës - në pritje të përgjigjeve tona të heshtura, të cilat na zjejnë në zemra, ndërsa kërkojmë gjegje, që mund t’i marrim me ndihmën e Zojës së Bekuar. Këtë kujtoi në vijim Françesku, duke ia drejtuar Marisë, si çdo të diel, thirrjen për ndihmë:
“Virgjëra Mari na ndihmoftë të jetojmë e të duam si na mësoi Krishti, në lirinë e bijve të Zotit( krh Rm 8,15.20-23)”.