Një misionar në Papua Guinenë e Re: Papa do të gjejë një Kishë të fortë
R.SH. – Vatikan
“Papa Françesku do të gjejë një Kishë praktikante, por në stilin e Papua Guinesë së Re… Janë popuj të stërlashtë, me tradita të vjetra. Për ta, prania e Papës është konfirmim i rrugëtimit të tyre si Kishë, si popull i Zotit”. Át Mario Abzalón Alvarado Tovar, Epror i përgjithshëm i Misionarëve të Zemrës së Krishtit (MSC), përshkruan me këto fjalë, në mediat e Vatikanit, pritjen e besimtarëve për Papën Françesku, që do të shkojë në udhëtim apostolik në Azi dhe Oqeani, planifikuar nga 2 deri më 13 shtator 2024.
Origjina e misionit në Papua Guinenë e Re
Rregulltari guatemaltek kujton se misionarët e parë të Zemrës së Krishtit u dërguan në Papua Guinenë e Re kur themeluesi i tyre, Át Julius Chevalier, ishte ende gjallë. Ata e morën mandatin misionar në fund të viteve 1878-1879. Pas përpjekjes së parë për t'u vendosur në ishull duke filluar nga viti 1881, më 4 korrik 1885, kremtuan meshën e parë dhe themeluan disa misione në bregdetin jugor, ndërmjet fiseve Roro dhe Mekeo. Sot, në vend shërbejnë 115 misionarë, të gjithë autoktonë, në një Kishë shumëngjyrëshe, shumëgjuhëshe, shumëkulturore. Është një tokë me tradita shumë të lashta, por me ritme jetese tejet të ndryshme nga ato perëndimore. Papa Françesku – vëren Át Alvarado – do të gjejë një Kishë praktikante, por në stilin e Papua Guinesë së Re, të ishujve të Guinesë së Re, të kontinentit, të pllajave, të tokave bregdetare... Janë popuj stërgjyshorë e, kur arrijmë aty, ne të Kishës duhet ta ndryshojmë mendësinë”.
Vështirësitë në kumtimin e parë të Ungjillit
Át Alvarado kujton vështirësitë që hasën misionarët gjatë shpalljes së parë të Ungjillit. “Në fillim ka pasur praktika si kanibalizmi, i cili tani nuk ekziston më, praktikisht është zhdukur. Kjo ishte një nga sfidat më të mëdha fillestare. Pastaj sfida të tjera në fushën e shëndetësisë, në kohët e malaries dhe të sëmundjeve të tjera, sepse ishin qytete pothuajse pa asnjë kontakt me Perëndimin. E akoma, vështirësitë fizike, sepse nuk kishte rrugë e autostrada. Pastaj, bota kulturore... në fillim misionarët nuk e kuptonin plotësisht botën e tyre fetare, sepse kishin praktikat e ritet e tyre. Ungjilli ishte i pranishëm, farat e Mbretërisë së Zotit kanë qenë gjithmonë aty, por me disa tradita dhe praktika, me të cilat ishte e vështirë të pajtoheshim fillimisht”.
Sfidat aktuale të një Kishe në lëvizje
Aktualisht, Papua Guinea e Re duhet t’u bëjë ballë sfidave si ndryshimi i klimës, varfëria dhe veprimtaria minerare çnjerëzore. “Ka varfëri sistematike – denoncon meshtari. - Duke qenë vend me burime natyrore tejet të mëdha, ka tërhequr disa kompani ndërkombëtare, që po ia shfrytëzojnë territorin. Prerja e pemëve apo vendosja e monokulturave bujqësore në shkallë të gjerë i dëmton njerëzit. Për të mos folur për veprimtarinë minerare, që s’merr parasysh njeriun. Natyrisht, bota e fiseve është sfidë për të huajt dhe për vetë Kishën: si të respektohet struktura fisnore, ose e klaneve; si të ungjillëzohen strukturat fisnore, duke i respektuar, por edhe duke u përpjekur për zhdukjen e antivlerave ekzistuese. Ka botëkuptime shumë të ndryshme në botën e fiseve e të etnive dhe kjo sjell vështirësi për Kishën, për sinodalitetin, për dioqezat dhe kongregatat”. Pavarësisht nga kjo, Papua Guinea e Re ka të Lumin e vet. Është Pietër To Rot, laik misionar i Zemrës së Krishtit, martirizuar në vitet ’40 dhe lumnuar më 1995.
Lutje për udhëtimin e Papës në Azi dhe Oqeani
Së fundi, Eprori i përgjithshëm i Misionarëve të Zemrës së Krishtit fton katolikët e gjithë botës të luten për udhëtimin e Papës Françesku.
“Të lutemi shumë... – kërkon ai - njerëzit në Papua Guinenë e Re, në Indonezi, në Timorin Lindor, në Singapor, e presin me zemër të hapur. Prania e Papës Françesku është konfirmim i rrugëtimit të tyre si Kishë, si popull i Zotit”, përfundon ai duke uruar "të ecet në sinodalitet në të dyja anët e botës. Do të ishte hir...”.