Kërko

Angelus Angelus

Papa: zgjidhni një mënyrë jetese të matur, "për të qenë të lirë"

“Ungjilli nuk shpallet i vetëm, shpallja është më e lehtë kur ecim përpara së bashku”. Këto janë dy konceptet kryesore të katekizimit të Françeskut në lutjen e sotme të Engjëllit të Zotit, me frymëzim nga fragmenti ungjillor i kësaj së diele nga Marku: "Bashkësia dhe maturia janë vlera të domosdoshme për një Kishë të vërtetë misionare, në të gjitha nivelet".

R.SH. - Vatikan

“Ungjilli nuk shpallet i vetëm, por së bashku, si komunitet dhe për këtë është e rëndësishme të dimë të ruajmë maturinë”. Kështu tha Papa Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke komentuar Ungjillin e kësaj së diele të 15-të nga Marku, në të cilin Jezusi "i dërgon dishepujt e tij në mision" dhe "i dërgon ata dy nga dy’”, duke i rekomanduar “një gjë të rëndësishme: të marrin me vete vetëm atë që është e nevojshme”.

Pra, Ungjilli i kësaj së dieleje të 15-të nga Marku, na flet për Jezusin që i dërgon dishepujt e tij në mision (shih Mc 6,7-13). I dërgon “dy nga dy” dhe i porosit të kenë me vete vetëm çka është e nevojshme. Kështu e nisi sot në mesditë lutjen e Engjëllit të Zotit Papa Françesku, duke e ftuar turmën e besimtarëve të ndalet së bashku me Të për një çast, për t’i soditur dishepujt që dërgohen së bashku…

Ungjilli shpallet në bashkësi

Ungjilli nuk kumtohet i vetëm - kujtoi në vijim - por së bashku, si bashkësi. E, për ta bërë këtë, është e rëndësishme të dish ta ruash maturinë:

“Të dish të jesh i matur në përdorimin e gjërave, të ndash burimet, aftësitë dhe dhuratat dhe ta bësh gjithçka pa e tepruar, që të jesh  i lirë e që të gjithë të kenë çka u nevojitet për të jetuar me dinjitet dhe për të kontribuar aktivisht në mision; e të jesh edhe i matur në mendime e ndjenja, duke braktisur vegimet tuaja të pjesshme, paragjykimet dhe ngurtësinë, të cilat, si bagazhet e padobishme, rëndojnë dhe e pengojnë udhëtimin, për të nxitur, kështu, diskutimin dhe dëgjimin dhe për ta bërë edhe më të vlefshme dëshminë”.

Ta jetojmë fenë dhe risinë e Ungjillit

Papa vijon të kujtojë se misioni nuk ka vetëm një prirje, nuk është vetëm kërkim i mjedisve - larg mjediseve tona. Përkundrazi. Ndaj na fton të mendojmë, për shembull, për atë që ndodh në familjet tona ose në bashkësitë tona: kur jemi të kënaqur me atë që është e nevojshme, qoftë edhe me pak e, me ndihmën e Zotit, arrijmë të ecim përpara duke shkuar mirë me njëri-tjetrin, duke ndarë atë, që na fal Zoti e duke e mbështetur njëri-tjetrin (shih Veprat e Apostujve 4,32-35):

“E  ky është kumt misionar, para e më shumë se fjalët, sepse mishëron bukurinë e mesazhit të Jezusit në konkretësinë e jetës. Familja apo bashkësia, që jeton në këtë mënyrë, krijon rreth vetes një mjedis të pasur me dashuri, në të cilin është më e lehtë ta jetojmë fenë dhe risinë e Ungjillit dhe prej të cilit rinisemi përsëri më të mirë, më të qetë”.

Nëse, përkundrazi, secili shkon në rrugën e vet, nëse rëndësi kanë vetëm sendet - të cilat nuk mjaftojnë kurrë - nëse nuk e dëgjojmë njëri-tjetrin, nëse mbizotëron individualizmi dhe zilia, ajri bëhet i rëndë, jeta e vështirë dhe mbledhjet bëhen më shumë rast për ankth, për trishtim dhe shkurajim, sesa për gëzim (shih Mt 19,22).

Ta pyesim veten, pra…

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, nga Dritarja e pallatit apostolik, niset porosia e javës së re, që po fillon…Papa na fton ta pyesim veten, çdo ditë, çdo minut ….

Të dashur vëllezër dhe motra - na kujton Papa Françesku - bashkimi dhe maturia janë vlera të rëndësishme për jetën tonë të krishterë dhe për apostullimin tonë, vlera të domosdoshme për një Kishë vërtetë misionare, në të gjitha nivelet. E më pas, si zakonisht në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, na drejton një breshëri pyetjesh, që do të na ndjekin pas gjatë gjithë javës.

Ta pyesim veten, pra: a ndjej kënaqësinë e shpalljes së Ungjillit, për të çuar, ku jetoj, gëzimin dhe dritën që vijnë nga takimi me Zotin? Për ta bërë këtë, a angazhohem të eci së bashku me të tjerët, të ndaj idetë dhe aftësitë me ta, me mendje të hapur e zemër bujare? E, së fundi, a di të jetoj një jetë të matur, të vëmendshme ndaj nevojave të vëllezërve të mi?

Këto, pyetjet që na bën këtë të diel Papa, e që nuk duhet të mbeten pa gjegje, nëse duam të jetojmë çdo ças si dishepuj të Krishtit, aty ku jemi e ashtu si jemi, duke kërkuar çdo çast ndihmën e Atij të lumit e të Nënës së tij, që është edhe Nëna jonë:

“Maria, Mbretëresha e Apostujve, na ndihmoftë të jemi dishepuj të vërtetë misionarë, në bashkësi dhe në thjeshtësinë e jetës”.

14 korrik 2024, 12:40

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >