Françesku: ta dëgjojmë me zemër britmën e tokës
R.SH. / Vatikan
Toka ka ethe. Papa e kujton tokën si të ishte njeri i sëmurë, për t’i sensibilizuar të gjithë lidhur me një temë, që tashmë është bërë shtyllë e Papnisë së tij: mbrojtjen e planetit. Një veprim në të cilin duhet të përfshihen të gjithë "në vetë të parë".
Toka ka ethe
Në video-mesazh, zëri i Françeskut përshkon pamjet e uraganeve, thatësirave, zjarreve, cunamit: duken njerëz që ikin nga katastrofat ambientale, migrantë ambientalë… një fëmijë që ecën mbi plasat e thella të tokës, që ka etje e, ashtu si fëmija, kërkon një pikë uji për të njomur buzën e tharë e të plasaritur… Përmes synimeve të lutjes për shtatorin, Papa Françesku bën një thirrje të fortë që, përballë provave, e nis duke pyetur para së gjithash nëse toka është shurdhuar e anestitizuar:
“Nëse masim temperaturën e planetit, do të shikojmë sakaq se Toka ka ethe. Se ndihet keq, si çdo i sëmurë. Po ne, a e ndjejmë këtë dhimbje? A ndjejmë dhimbjen e miliona viktimave të fatkeqësive ambientale? Ata që vuajnë më shumë nga pasojat e këtyre fatkeqësive janë të varfërit, janë ata, që detyrohen të lënë shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve, valëve të të nxehtit a të thatësirës”.
Nevojiten përgjigje të integruara
Papa shikon gjithmonë shëndetin "e plotë" të qenies njerëzore, me të cilin duhet domosdoshmërisht të përkojnë përgjigje po aq të integruara, shumëdisiplinore, që kanë parasysh mjediset e kryqëzuara, ku ushtrohen veprimet tona dhe zgjedhjet tona. E me që gjithçka është e ndërlidhur, Papës i pëlqen të përsërisë:
Të përballosh krizat mjedisore të shkaktuara nga njerëzit, si kriza klimatike, ndotja ose humbja e biodiversitetit, kërkon jo vetëm përgjigje ekologjike, por edhe sociale, ekonomike dhe politike. Ne duhet të angazhohemi për luftën kundër varfërisë dhe mbrojtjen e natyrës, duke ndryshuar zakonet tona dhe të bashkësisë sonë.
Koha e Krijimit
Thirrja e Papës ushton në prag të Ditës Botërore të Lutjes për Kujdesin e Krijimit (1 shtator) – sivjet me temë "Shpreso dhe vepro me krijimin" - e cila, nga ana tjetër, përuron Kohën e Krijimit (deri më 4 tetor), një nismë e organizuar nga Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor. Në këtë kohë Kisha tradicionalisht mobilizohet për të reflektuar mbi kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët. Për më tepër, ka shumë këmbana alarmi: vlerësohet, për shembull, se deri në vitin 2050, ndryshimet e pakontrolluara klimatike do të detyrojnë mbi 200 milionë njerëz të migrojnë brenda vendeve të tyre dhe do t’i katandisin 130 milionë vetë në varfëri.
Atë Fornos S.J.: tepër interesa na verbojnë, të zgjohemi!
Atë Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, rrjet që realizon këto video mesazhe, na fton të kujtojmë tragjeditë e jetuara në shumë vende dy vitet e fundit: nga zjarret e pamasa të pyjeve në Kanada - deri tek ato, po aq shkatërruese, në Australi; nga përmbytjet katastrofike në Pakistan, të cilat përmbytën një të tretën e vendit - deri te përmbytjet e shpejta në Gjermani dhe Belgjikë; nga thatësira e madhe në Amazon, e cila kërcënon biodiversitetin unik të këtij rajoni - deri te nxehtësia ekstreme e regjistruar në Indi. Pandemia, komenton jezuiti, mund të kishte qenë kohë për të riorientuar shoqërinë tonë, por nuk e bëri këtë, "sepse shumë interesa na verbojnë". Të zgjohemi!