Kërko

 Pasojat e një sulmi izraelit në Khan Younis Pasojat e një sulmi izraelit në Khan Younis 

Lindja e Mesme, Françesku: armëpushim në të gjitha frontet

Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa bëri thirrje të re që konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit të mos përhapet dhe kërkoi të heshtin armët “duke nisur nga Gaza, ku situata humanitare është e paqëndrueshme”. “Dashuria e mposht urrejtjen e hakmarrja mund të çarmatoset me falje” - shton Papa, që na fton të lutemi “për Ukrainën e martirizuar, Mianmarin dhe Sudanin”, Pakistanin dhe Afganistanin, në mënyrë që të marrë fund diskriminimi, veçanërisht ndaj grave.

R. SH. - Vatikan

Në audiencën e përgjithshme, rifilluar pas pushimit në korrik, Papa Françesku nuk e fshehu shqetësimin e tij për situatën në Lindjen e Mesme. Ndërsa rritet frika për një sulm të mundshëm të Iranit kundër Izraelit dhe tensionet me Libanin vazhdojnë, Papa kërkoi përsëri, në fund të përshëndetjeve në italisht për shtegtarët e mbledhur në Sallën Pali VI, të marrin fund armiqësitë:

“Ripërsëris thirrjen time për të gjitha palët e përfshira, që konflikti të mos përhapet dhe zjarri të pushojë menjëherë në të gjitha frontet, duke filluar nga Gaza, ku situata humanitare është shumë e rëndë dhe e paqëndrueshme”.

Të fitojë dashuria

Papa uron që dashuria të mbizotërojë dhe armiqësitë të zgjidhen me falje:

“Lutem që kërkimi i sinqertë i paqes të shuajë mosmarrëveshjet, dashuria të mposhtë urrejtjen dhe hakmarrja të çarmatoset nga falja”.

Mbretëroftë paqja në Ukrainë, Mianmar dhe Sudan

Françesku shpreh edhe shqetësimin për Ukrainën dhe fton besimtarët të luten për vendin e Evropës Lindore e për ato kombe në luftë, ku njerëzit vazhdojnë të vuajnë, të kalojnë vështirësi dhe të provojnë dhimbje të rënda në korp e në shpirt:

“Ju kërkoj të bashkoheni në lutjen time për Ukrainën e munduar, Mianmarin, Sudanin. Këto popullsi, aq të provuara nga lufta, e gjetshin shpejt paqen e shumëdëshiruar”.

Të marrin fund diskriminimet në Pakistan e Afganistan

Së fundi, Papa - i cili këtë mëngjes priti në audiencë një delegacion nga Shoqata e Bashkësisë Afgane në Itali - na kërkon të lutemi edhe për Pakistanin dhe Afganistanin, ku vijon diskriminimi.

T’i bashkojmë përpjekjet dhe lutjet tona për të zhdukur diskriminimin etnik në rajonet e Pakistanit dhe Afganistanit, veçanërisht diskriminimin kundër grave.

07 gusht 2024, 13:09