Papa kujton Hiroshimën dhe Nagasakin: lutemi për viktimat e të gjitha luftërave
R.SH. - Vatikan
Ishte kujtimi i rreth 220 mijë të vdekurve, viktima të njërës prej tragjedive më të rënda të njerëzimit, bombës atomike të hedhur në Hiroshima dhe Nagasaki, e edhe dhimbja për qindra mijëra vdekje sot, të shpërndara copa-copa në këtë "luftë III botërore" që po luftohet në të katër anët e botës! Fjalët e Françeskut në përfundim të Engjëllit këtë të diel, 11 gusht, ishin të shkurtra, por të ngarkuara me dhimbje.
Përvjetori i një tragjedie
Duke parë nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa, pas katekizmit dhe lutjes mariane, në radhë të parë kujtoi përvjetorin e bombardimeve atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit (6 dhe 9 gusht 1945), dy qyteteve japoneze që i vizitoi në Nëntor 2019 me rastin e shtegtimit apostolik në Tokën e Diellit që lind. U ndalua edhe në Memorialin e Paqes, në Hiroshima, ku përshëndeti edhe disa të mbijetuar; çast ky, që i la “mbresa të thella” Papës, siç u shpreh edhe ai vetë publikisht. Përvjetori i tragjedisë së gati tetëdhjetë viteve më parë i krijoi Ipeshkvit të Romës mundësinë t'i naltojë Zotit lutjen për viktimat e çdo lufte, të çdo vendi e çdo kohe:
“Ndërsa ne vazhdojmë t'ia besojmë Zotit viktimat e atyre ngjarjeve dhe të të gjitha luftërave, përsërisim lutjen tonë për paqen, veçanërisht për Ukrainën e martirizuar, Lindjen e Mesme, Palestinën, Izraelin, Sudanin dhe Mianmarin”.
Lutjet për Ukrainën, Lindjen e Mesme, Sudanin, Mianmarin
Si gjithmonë në lutjen e Engjëllit dhe në audiencat në përgjithësi, edhe sot Papa Françesku përshkroi listën e trojeve ku po zhvillohet dhuna brutale: Ukrainën, ku numri i të vdekurve vazhdon për shkak të sulmeve me dronët rusë dhe lufta merr forma të reja; Lindjen e Mesme, nga e cila dje mbërritën fotografitë dhe lajmet e një prej sulmeve më dramatike të këtyre dhjetë muajve të luftës: në shkollën Al-Tabai'een, në sektorin Al-Sahaba në qytetin e Gazës, me të paktën 100 viktima dhe dhjetëra të plagosur, përfshirë fëmijë, siç raportojnë autoritetet palestineze. Më pas Sudanin, ku konflikti po përhapet, duke i detyruar banorët dhe të gjithë misionarët të ikin, dhe Mianmari, krizë e harruar shpesh nga opinioni publik, tokë e munduar dhe e vuajtur në të cilën kanë ndodhur tragjedi të tilla, si sulmi i djeshëm me dron kundër Rohingya-ve, në ikje drejt Bangladeshit fqinj, që vrau dhjetëra njerëz. Mes tyre, edhe familje me fëmijë.
Për të gjithë këta njerëz, Papa kërkon lutje. Ashtu siç na kërkon të lutemi për viktimat e rrëzimit të avionit në Brazil më 9 gusht.
Përshëndetje shtegtarëve dhe besimtarëve
Së fundi, duke parë shtegtarët e pranishëm në sheshin e mbushur plot e duke pasur parasysh periudhën e mesit të gushtit, Papa kujtoi festën e sotme të Shën Kjarës së Asizit. Më pas përshëndeti të gjitha Klariset, veçanërisht ato të Vallegloria, me të cilat, kujtoi, "më lidh një miqësi e bukur". Është fjala për manastiri në Spello, Umbria, të cilin Papa e vizitoi papritur më 2019 dhe 2021, si pjesë e vizitave të tij në Asizi.
Përshëndeti edhe studentët e Seminarit Minor të Bergamos, të cilët mbërritën në këmbë në Romë, nga Asizi, pas një shtegtimi disaditor. "A u lodhët?" - i pyeti Papa. "Jo" gjegjen djemtë në kor. "Jo? Jeni të mirë”- përgjigjet Francesco.
Prej këndej, urimi drejtuar të gjithëve për një "të dielë të gëzuar" dhe kërkesa e zakonshme e lutjes për të.