Kujtimi i viktimave të sulmit që goditi bashkësinë druze të Majdal Shams të shtunën e kaluar Kujtimi i viktimave të sulmit që goditi bashkësinë druze të Majdal Shams të shtunën e kaluar  (ANSA)

Papa: mos e mbytni fjalën e Zotit të paqes, lëreni të jetë fryt në botë

Në përfundim të lutjes së Engjëllit, Françesku bëri thirrje për paqe në Tokën Shenjte, përpara se konflikti të përhapet. “Sulmet, si dhe vrasjet, nuk mund të jenë kurrë zgjidhje”, pohoi, duke kujtuar më pas Venezuelën. Të gjitha palët duhet të kërkojnë të vërtetën dhe të shmangin dhunën, nënvizoi Papa. Një lutje edhe për viktimat e përmbytjeve në Indi dhe për të Lumin e ri libanez Stefano Douayhy

R. SH. - Vatikan

Situata në Lindjen e Mesme dhe rreziku i përhapjes së luftës nga Gaza dhe Izraeli, në vende të tjera, pas ngjarjeve të ditëve të fundit, e shqetëson shumë Papën. Shqetësim që e shprehu pas Lutjes së Engjëllit. Shpresohet që ky konflikt "tashmë veçanërisht i dhunshëm dhe i përgjakshëm, të mos përhapet më tej". Prandaj Françesku lutet për të gjitha viktimat, "veçanërisht për fëmijët e pafajshëm" dhe "për popullsinë në Palestinë, Izrael dhe Liban", duke u shprehur veçanërisht afërsinë me bashkësinë Druz në Tokën Shenjte, të dëmtuar javën e kaluar nga një raketë, e cila goditi e vrau 12 fëmijë dhe adoleshentë, që po luanin në një fushë futbolli.

Sulmet dhe vrasjet nuk mund të jenë kurrë rrugëzgjidhje

Papa kërkon "guxim për rifillimin e dialogut, që zjarri në Gazë dhe në të gjitha frontet të pushojë menjëherë dhe pengjet të lirohen", e popullsia të shpëtohet me ndihma humanitare. Bombat, vrasjet dhe dhuna nuk kanë asnjë dobi:

“Sulmet, edhe ato të përcaktuara mirë, e edhe vrasjet, nuk mund të jenë kurrë zgjidhje. Nuk ndihmojnë për të ecur në rrugën e drejtësisë, në rrugën e paqes, por lindin edhe më shumë urrejtje e hakmarrje. Mjaft, vëllezër e motra! Mjaft më! Mos e mbytni fjalën e Zotit të Paqes, por le të jetë e ardhmja e Tokës Shenjte, e Lindjes së Mesme dhe e mbarë botës! Lufta është një disfatë!”.

Të gjitha palët kërkojnë të vërtetën në Venezuelë

Të njëjtin shqetësim, pasi përmendi Lindjen e Mesme dhe Mianmarin, Papa e shprehu edhe për Venezuelën, "e cila po jeton një situatë kritike" pas rizgjedhjes së diskutueshme të Presidentit Maduro:

“U bëj thirrje të gjitha palëve që të kërkojnë të vërtetën, të ushtrojnë moderim, të shmangin çdo lloj dhune, të zgjidhin mosmarrëveshjet me dialog, të kenë në zemër të mirën e vërtetë të popullatës dhe jo interesat partiake”.

Lutja e Papës për viktimat e shirave në Indi

Françesku, pasi ia besoi vendin e Amerikës së Jugut ndërmjetësimit të Zojës së Coromotos dhe lutjes së të Lumit Josè Gregorio Hernandez,  kujtoi popullsinë indiane, veçanërisht atë të Keralas, "goditur rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm, të cilët shkaktuan rrëshqitje të shumta dheu me pasoja humbje të shumta jetësh, zhvendosje të jashtëzakonshme dhe dëme të mëdha”. Ati i Shenjtë i  ftoi të luten bashkë me të "për ata që humbën jetën dhe për të gjithë njerëzit e prekur nga një fatkeqësi e tillë shkatërruese".

Françesku kujtoi edhe se të premten e kaluar në Liban u shpall i lum patriarku maronit Stefano Douayhy. “Mësues i fesë dhe bari i vëmendshëm, ai ishte dëshmitar i shpresës, gjithnjë pranë njerëzve”, gjatë periudhës së udhëheqjes të Kishës Maronite nga viti 1670 deri në 1704, “epokë e vështirë, e karakterizuar edhe nga persekutime”:

“Edhe sot populli libanez vuan shumë! Në veçanti, mendoj për familjet e viktimave të shpërthimit në Portin e Bejrutit. Shpresoj që drejtësia dhe e vërteta të vihen në vend së shpejti”.

Në ditën e kujtimit të Famullitarit Shenjt të Arsit dhe kur në disa vende festohet Festa e Famullitarit, Françesku u shprehu afërsinë dhe mirënjohjen, "të gjithë atyre famullitarëve që me zell dhe bujari, ndonjëherë edhe në mes të shumë vuajtjeve, japin gjithçka kanë për Zotin dhe për njerëzit!”.

04 gusht 2024, 13:59