Kërko

Françesku mbërriti në Papua Guinenë e Re, për herë të parë në Oqeani

Nis sot etapa e dytë e udhëtimit të 45-të apostolik të Papës, në Port Moresby dhe Vanimo, e cila përfundon më 9 shtator. Programi i vizitës së Françeskut në Papa Guinea e Re, Oqeani, do të fillojë nesër me takimin me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, pasuar nga takimi me fëmijët me aftësi të kufizuara dhe në kushte të pafavorizuara, për të përfunduar me klerin dhe rregulltarët e Papua Guinea e Re dhe të Ishujve Salomon.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku mbërriti sot në Papua Guinea e Re, nga Indonezia, në etapën e dytë të udhëtimit të tij më të gjatë apostolik, për herë të parë në Oqeani, për të sjellë afërsinë e tij me katolikët, 25% të popullsisë, në një vend ndër më të varfërit në botë dhe më të goditur nga efektet e ndryshimeve klimatike.

Në aeroportin ndërkombëtar të Port Moresby (në orën 19.09 lokale, 11.09 me orë të Romës), e vetmja qendër urbane në vend ku 80% e popullsisë së tij jeton në zonat rurale, Papa Françesku u prit nga Zëvendëskryeministri dhe disa fëmijë me veshje tradicionale të Papua Guinea e Re që i dhuruan një tufë me lule, në shenjë të mirëseardhjes. Pas ceremonisë e prezantimit të delegacioneve përkatëse, Ati i Shenjtë u nda nga zv.kryeministri, për t’u transferuar me makinë në Nunziaturën Apostolike, ku do të kalojë pjesën tjetër të ditës së sotme duke pushuar nga udhëtimi.

Programi zyrtar i këtij shtegtimit apostolik në Papua Guinenë e Re do të nisë nesër, të shtunë, me një takim të Papës me Guvernatorin e Përgjithshëm, Bob Dadae dhe me një fjalim para autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik të vendit, në APEC Haus, ndërsa nesër pasdite, në orën 17:00 Papa do të vizitojë fëmijët e "Streete Ministry" dhe "Callan Services" në shkollën e mesme teknike të Cáritasit (Caritas Technical Secondary School), dhe më pas do të vizitojë Shenjtëroren e Zojës Ndihmëtare, vend ku do të mbahet takimi i Atit të Shenjtë me klerin e Papua Guinesë së Re dhe Ishujve Solomon.

Të dielën më 8 shtator, në orën 08:45, Papa do të kremtojë një Meshë në stadiumin "Sir John Guise" dhe pasdite do të udhëtojë për në Vanimo, dy orë larg me avion, një port dhe qyteti më i madh dhe më i populluar i provincës së Sandaun dhe rrethit të lumit Vanimo-Green, në bregun veriperëndimor të vendit. Këtu, para Katedrales së Shëna Kryqit Papa do të takohet me besimtarët e dioqezës së Vanimo.

Të hënën më 9 shtator, pas takimit me të rinjtë në stadiumin "Sir John Guise" në Port Moresby, Papa Françesku do të largohet nga Papua Guinea e Re për të shkuar në Dili, kryeqytetin e Timorit Lindor, etapën e tretë të këtij shtegtimi apostolik ndërkombëtar, që nisi më 2 shtator e do të zhvillohet deri më 13 shtator të ardhshëm.

Papua Guinenë e Re është në një vend me 826 gjuhë, por me shumicë të krishterë: 64% protestantë, 26% katolikë, me nunciaturë apostolike që nga viti 1977. Megjithëse e pajisur me një trashëgimi të pasur minerale (në veçanti ari e bakër) dhe burime të mëdha energjetike me ujë, bujqësi dhe pylltari, është një nga vendet më të varfra në Oqeani dhe është ende shumë e kushtëzuar nga ndikimet e jashtme, veçanërisht nga Australia e afërt. Rreth një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, me një jetëgjatësi prej vetëm 67 vjetësh, ndërkohë që shkalla e infektimit nga SIDA mbetet e lartë dhe as dy të tretat e popullsisë nuk janë të shkolluar.

06 shtator 2024, 12:22