Kërko

Në dialog me të rinjtë e të gjitha feve, fjalët e fundit të Françeskut në Singapor

Papa u nis për në Romë nga metropoli i Azisë Juglindore, etapa e katërt e udhëtimit të tij të gjatë në Azi dhe Oqeani. "Fetë janë gjuhë të ndryshme në udhëtimin për të arritur tek Zoti. Nëse dialogoni kur jeni të rinj, do të dialogoni edhe si të rritur, si qytetarë, si politikanë. Rrezikoni, mos kini frikë". Për të moshuarit dhe të sëmurët: “Lutja juaj është shumë e rëndësishme para Zotit”

R.SH. – Vatikan

Në orën 12.25 me orën lokale, Papa Françesku u nis nga Singapori për fluturimin e kthimit, që e sjell në Romë këtë mbrëmje, pas udhëtimit të gjatë, ku përveç qytet-shtetit ishullor, Ati i Shenjtë shkoi edhe në Indonezi, Papua Guinea e Re dhe Timor, që nga 2 shtatori. Në aeroport, Papa mbërriti nga Kolegji Katolik Junior, një nga institucionet më të rëndësishme edukative të Kishës vendase, ku pati veprimtarinë e fundit të kësaj vizite: një takim ndërfetar me protagonistë të rinjtë e feve të ndryshme, ndërsa liderët ishin ulur në rreshtin e parë për të dëgjuar dialogun e tyre me Papën Françesku.

Dëshmitë e të rinjve

Ishte një diskutim i gjallë, në të cilin Papa - siç pati bërë me rininë e Timorit Lindor - iu përgjigj lirisht dëshmive dhe pyetjeve të tyre, duke e lënë mënjanë fjalimin e përgatitur. Raaj, një i ri hinduist, i rrëfeu ndjenjën e hidhur se po çonte përpara dialogun ndërfetar sikur të ishte "brenda një flluske": "Ka ditë kur qaj - tregoi ai - sepse e ndiej se pikërisht kur bëjmë hapa përpara në promovimin e miqësisë ndërmjet të rinjve, befas, dëgjojmë për dhunë globale dhe humbje jetësh në emër të fesë”. Preet, një sikh i ri, e pyeti Atin e Shenjtë si të "kapërcejë frikën nga paragjykimet, duke pasur parasysh presionin e fortë për të pasur rezultate të mira në çdo aspekt të jetës". Nicole, një edukatore e re katolike, ngriti temën e inteligjencës artificiale dhe përdorimit të saj ndërmjet së vërtetës dhe manipulimit, madje edhe për çështje fetare.

“Dialogu i sinqertë” në përgjigjet e Papës

Duke u përgjigjur, Françesku foli për guximin, që duhet të ketë secili, duke i lejuar të tjerët edhe ta kritikojnë, në një "dialog të sinqertë". Sepse kushdo që zgjedh të jetojë gjithmonë pa probleme “është i ri, që veç i dhjamoset mendja. Prandaj, u them të rinjve: rrezikoni, dilni, mos kini frikë, frika është qëndrim diktatorial, që paralizon”. Për mediat dhe mjetet e reja dixhitale, Papa përsëriti ftesën për t'i përdorur, pa u bërë skllevër të tyre. Ai përmendi përsëri plagën e bullizmit dhe kërkoi respekt për njerëzit me aftësi ndryshe.

Fetë janë “gjuhë të ndryshme" në "rrugën për të arritur tek Zoti"

Përsa i përket ndryshimeve ndërmjet feve, Françesku ftoi të shihen si "gjuhë të ndryshme" në "rrugën për të arritur tek Zoti". "Nëse fillojmë të themi 'feja ime është më e bukur dhe më e vërtetë se e jotja' përfundojmë në grindje", komentoi ai. “Por Zoti është Zot për të gjithë. Dhe ashtu si Hyji është Hyj për të gjithë, ne jemi të gjithë bij të Zotit". Ati i Shenjtë i nxiti të pranishmit e të gjitha feve "të luten në heshtje për njëri-tjetrin".

"Nëse dialogoni që kur jeni të rinj, do të dialogoni edhe kur të rriteni,  do të dialogoni si qytetarë, si politikanë. E dua t’ju them diçka për historinë: çdo diktaturë në histori, gjëja e parë që bën është ndërprerja e dialogut”.

Deklarata e rinisë së Singaporit

Në fund të takimit, të rinjtë lexuan së bashku një deklaratë ku shkruhet: “Ne, brezi i ardhshëm, zotohemi se do të jemi fener bashkimi dhe shprese në nxitjen e bashkëpunimit dhe të miqësive, që ushqejnë bashkëjetesën e harmonishme të njerëzve me fe të ndryshme”. Me ta, edhe Papa Françesku përfundoi simbolikisht, me një penelatë, një pikturë, që do të mbetet kujtim i kësaj dite dhe i këtij angazhimi.

Takimi me klerin dhe me të moshuarit

Para takimit ndërfetar me të rinjtë, Françesku priti privatisht meshtarët, rregulltarët dhe ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore lokale, e cila bashkon Malajzinë, Singaporin dhe Brunein. Më pas, ashtu si në secilën nga etapat e shtegtimit të tij apostolik, Papa takoi disa të moshuar dhe të sëmurë, që ndihmohen nga strukturat lokale katolike, në Shtëpinë e Shën Terezës, themeluar në vitin 1935 nga Motrat e Vogla të të Varfërve. “Ju kërkoj të luteni për Kishën dhe për njerëzimin – u tha Ati i Shenjtë. – Lutja juaj është shumë e rëndësishme para Zotit”.

13 shtator 2024, 10:18