Papa emëron ipeshkëv të Kotorrit në Mal të Zi Atë Mladen Vukšić
R.SH. / Vatikan
Të enjten, më 12 shtator, Papa Françesku emëroi At Mladen Vukšić, OFM, ish-famullitar i Famullisë së Zojës së Papërlyer në Posušje, në dioqezën Mostar-Duvno dhe Definitor i Provincës Françeskane të Zojës së Papërlyer, ipeshkëv të ri të Kotorrit, njoftoi zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë dhe Nunciatura Apostolike në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ipeshkvi ri imzot Mladen Vukšic, O.F.M., u lind më 28 dhjetor 1965 në Ljubuški. Pasi e kaloi novacionin e tij në Humac, shërbeu në ushtri në Shkup e Kumanovë (tani Maqedonia e Veriut). Më 16 shtator 1990 bëri kushtet solemne të jetës rregulltare françeskane në Kocerin dhe më 26 korrik 1992 u shugurua meshtar në Çitluk. Studime teologjike i kreu në Makarska (Kroaci) (1986-1989) dhe Bolonjë (Itali) (1989-1992); punoi si zëvendës famullitar i Shën Antonit të Padovës, në Humac (1992-1994); Kreu licencën në teologjinë baritore të rinisë dhe katekezë pranë Universitetit Papnor Salezian (1994-1997); Mjeshtër i Klerikëve, Zagreb (1997-2000); Kujdestar i Kuvendit Françeskan dhe Famullitar i Shëna Vlashit, në Slano (2000-2003); famullitar i Shën Françeskut të Asizit, në Posuški Gradac (2003-2010); Famullitari i Apostujve të Shenjtë Pjetër e Pal, në Kocerin (2010-2013); Famullitari i Zojës së Papërlyer, në Posušje (2013-2024).