Papa krerëve të Singaporit: promovoni një zhvillim të ekuilibruar, gjithëpërfshirës
R.SH. – Vatikan
Dita e dytë e Papës Françesku në Singapor, gjatë udhëtimit të tij në Azi e Oqeani, të cilit, pavarësisht se më i gjati i papnisë, po i vjen fundi. Vërtet, Ati i Shenjtë do të niset nesër për në Romë. Por sot, ai mori pjesë në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes në Parlament House të qytet-shtetit, i bëri një vizitë kortezie presidentit të Republikës Tharman Shanmugaratnam, si edhe djalit të kryeministrit të parë të Singaporit, që konsiderohet ati themelues i vendit, të cilit, këto ditë, i kremtohet 101-vjetori i lindjes. Pikërisht këtë përvjetor, Ati i Shenjtë e përmendi edhe në takimin e mëpasëm, atë me autoritetet, shoqërinë civile e Trupin Diplomatik, që u mbajt në Qendrën Kulturore Universitare NUS, në universitetin më prestigjioz të Singaporit, mes grataçelave të larta e moderne, të cilat Papa i kujtoi që në fillim të fjalës së tij, për të përshkruar zhvillimin e shoqërisë vendase.
“Nga zanafilla e përvuajtur, ky komb ka arritur një nivel të lartë zhvillimi, duke treguar se ai është rezultat i vendimeve racionale dhe jo i rastësisë: është rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm për të përfunduar projekte dhe nisma të mirëmenduara, në harmoni me karakteristikat specifike të vendit”.
Inteligjenca Artificiale të përdoret për të na afruar me njëri-tjetrin
“Drejtësia shoqërore dhe e mira e përbashkët mbahen në konsideratë të lartë”, nënvizoi Papa, duke lavdëruar administrimin e vendit e duke vënë në pah politikat e mira publike për banimin, arsimin e cilësisë së lartë dhe sistemin shëndetësor. E jo më pak, edhe përpjekjet për të mbështetur më të brishtët e popullsisë, si edhe emigrantët, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga përparimi i jashtëzakonshëm i vendit.
“Teknologjitë e sofistikuara të epokës dixhitale dhe zhvillimet e shpejta në përdorimin e inteligjencës artificiale nuk mund të na bëjnë të harrojmë se është thelbësore të kultivojmë marrëdhënie reale dhe konkrete njerëzore; dhe se këto teknologji mund të shfrytëzohen pikërisht për të na afruar me njëri-tjetrin, duke nxitur mirëkuptimin dhe solidaritetin, dhe jo për t’u izoluar rrezikshëm në një realitet fiktiv, që nuk preket me dorë”.
Singapori, mozaik etnish, kulturash e fesh
Singapori, vijoi Papa, është një mozaik etnish, kulturash e fesh, që bashkëjetojnë në harmoni. Ky realitet favorizohet nga paanshmëria e pushtetit politik, që impenjohet në një dialog konstruktiv me të gjithë, duke i dhënë mundësi secilit të japë kontributin e tij unik për të mirën e përbashkët dhe duke mos lejuar që ekstremizmi dhe intoleranca të vënë në rrezik paqen sociale.
“Respekti i ndërsjellë, bashkëpunimi, dialogu dhe liria për të shprehur fenë, duke i qëndruar besnik ligjit të pranuar nga të gjithë, janë kushte vendimtare për suksesin dhe stabilitetin e arritur nga Singapori, janë kërkesa për një zhvillim jo konfliktual dhe kaotik, por të balancuar dhe të qëndrueshëm”.
Roli i Kishës Katolike në shoqërinë e Singaporit
Papa Françesku vuri në dukje rolin e Kishës Katolike në shoqërinë e Singaporit, që nga zanafilla e saj, kur etërit e Missions étrangères de Paris (MEP) ngritën kapelën e parë, më 1833, atë që u bë më pas katedralja e Bariut të Mirë. Katolikët janë pakicë në popullsinë e këtij qytet-shteti, ku 75% e popullsisë janë kinezë, prandaj, shumica ndjekin fenë budiste. E Kisha, përveç veprave bamirëse, ku spikat veprimtaria e motrave të Nënë Terezës, është shumë aktive në dialogun ndërfetar. Ati i Shenjtë vuri në dukje 43-vjetorin e marrëdhënieve të Singaporit me Selinë e Shenjtë dhe sqaroi qëllimin e vizitës së tij.
“Ajo synon t’i përforcojë katolikët në fe dhe t'i nxisë të vazhdojnë, me gëzim dhe përkushtim, bashkëpunimin me të gjithë burrat dhe gratë vullnetmira, për ndërtimin e një shoqërie civile të shëndetshme dhe të bashkuar, për të mirën e përbashkët dhe për një dëshmi kristaline të fesë së tyre”.
Për vëllazërimin e njerëzve dhe të kombeve
Papa kujtoi, më pas, rolin e Singaporit në arenën ndërkombëtare, duke e inkurajuar vendin të punojë për vëllazërimin e njerëzve dhe të kombeve, pa marrë parasysh vetëm interesin e ngushtë personal. Kërkoi të forcohet roli i familjes e t’i mundësohet asaj transmetimi i vlerave për brezat e rinj. Vuri në pah pozicionin unik të vendit, që i jep mundësinë të ketë kapitale, teknologji e talente për t’i bërë ballë krizës së ambientit e të impenjohet për zhvillimin e qëndrueshëm.
“Singapori – përfundoi Ati i Shenjtë - është shembull i ndritshëm i asaj, që mund të realizojë njerëzimi kur punon së bashku në harmoni, me ndjenjë përgjegjësie dhe me frymë gjithëpërfshirjeje dhe vëllazërimi. Ju inkurajoj ta vazhdoni këtë rrugë, duke besuar në premtimin e Zotit dhe në dashurinë e tij atërore për të gjithë… Zoti e bekoftë Singaporin!”