Papa: të dëgjohet zëri i popujve që kërkojnë paqe. Dinjitet për të burgosurit
R.SH. / Vatikan
Pas lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të shumë besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme, Papa Françesku bëri thirrje të re të lutemi për paqe:
"Vëllezër dhe motra, të vazhdojmë të lutemi për paqe. Fatkeqësisht në frontet e luftës tensioni është shumë i lartë, të dëgjohet zëri i popujve që kërkojnë paqe. Të mos harrojmë Ukrainën e munduar, Palestinën, Izraelin, Mianmarin e shumë vende që janë në luftë. Të lutemi për paqe".
Tension i lartë mes Libanit dhe Izraelit
Gjithnjë pas lutjes dhe bekimit të Engjëllit të Zotit të kësaj së diele, Papa Françesku vazhdoi duke u lutur për paqe, dhe përmendi retë e reja kërcënuese të luftës që mbulojnë Lindjen e Mesme. Në fakt, ndeshjet e tensioni mes Hezbollahut e Izraelit në ditët e fundit sa shkon e rritet.
Kush është në burg, kur të dalë, të mund të rifillojë jetën e ndershme
Kërkesa e Françeskut për të vazhduar lutjen për paqe vjen gjatë përshëndetjes drejtuar pjesëmarrëve në marshin sensibilizues për kushtet e të burgosurve, duke shtuar këto fjalë:
Duhet të punojmë që të burgosurit të jenë në kushte të dinjitetshme, të gjithë mund të bëjnë gabime: të jesh i burgosur do të thotë të mund të rifillosh më pas një jetë të ndershme.
Pranë atyre që i shohin të shkelura të drejtat e tyre
“Jam pranë atyre që i shohin të shkelura të drejtat e tyre themelore dhe pranë atyre që janë të përkushtuar për të mirën e përbashkët në përgjigje të thirrjes së të varfërve të Tokës”. Kështu tha akoma Papa Françesku sot në fund të lutjes të Engjëllit të Zotit nga dritarja e Pallatit Apostolik, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar "me dhimbje" vrasjen e ambientalistit Juan Antonio Lopez në Honduras.
Papa përshëndet Ekuadorin dhe Ditën e të sëmurëve me ataksi
Gjithnjë gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Zotit të kësaj së diele Papa përshëndeti, në veçanti, ekuadorianët rezidentë në Romë, të cilët kremtojnë Zojës e Cisnes; korin “Teresa Enríquez de Torrijos” nga Toledo, grupin e familjeve e të fëmijëve nga Sllovakia dhe besimtarët meksikanë. Së fundi, delegacionin e ardhur me rastin e Ditës së të sëmurëve nga ataksi, dhe shoqatën "La Palma" nga Castagnola di Massa