Shevchuk: Papa i shqetësuar për Ukrainën, gjithmonë pranë njerëzve
R.SH. – Vatikan
“Ishte një moment shpirtëror, ballafaqimi dhe reflektimi.” Kryeipeshkvi i Madh i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, imzot Sviatoslav Shevchuk, e përmbledh me këto tri fjalë audiencën me Papën sot paradite, 10 tetor, në prag të takimit të Françeskut me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky (“Faleminderit Zotit që presidenti ynë vjen për të dëgjuar Atin e Shenjtë”, pohon Shevchuk).
Kryeipeshkvi i Kyiv-Halych u prit nga Papa në Pallatin Apostolik të Vatikanit përpara punimeve të Sinodit mbi sinodalitetin, në të cilin ai merr pjesë, duke sjellë zërin e një popullsie të shtypur nga një konflikt, që duket pa fund, por edhe zërin e Kishave Lindore, të cilat në shumë vende në luftë rrezikojnë zhdukjen.
Fatkeqësia e luftës dhe shqetësimi për të pambrojturit
“Desha ta informoj Atin e Shenjtë për gjendjen në Ukrainë, për këtë luftë shkatërrimtare që po jetojmë dhe për sfidat, me të cilat do të duhet të përballemi tani që po afron dimri”, pohoi imzot Shevchuk për mediat e Vatikanit. “Ati i Shenjtë është vërtet i shqetësuar për popullsinë civile, për gjithçka që po ndodh në Ukrainë, për të pambrojturit, që vuajnë më shumë”.
Rezultatet e Sinodit të ipeshkvijve ukrainas
Kryeipeshkvi njofton edhe se e informoi Papën Françeskun për "jetën e Kishës ukrainase në këto rrethana", si edhe për Sinodin e Ipeshkvijve, mbajtur korrikun e kaluar me temën "qendrore" të ungjillëzimit: "Dmth, si të ungjillëzohet, si të shpallim fjalën e Zotit, e cila është gjithmonë fjalë shprese për një popull të dëshpëruar. I dorëzova frytin e punës së sinodit, që është një letër baritore e shkruar nga ne për luftën dhe paqen e drejtë. Është reflektimi ynë për situatën e sotme në Ukrainë”.
Mirënjohje për shërbimin “heroik” të Kishës
“Papa Françesku – pohon prelati – më falënderoi edhe për shërbimin heroik të Kishës sonë, të ipeshkvijve dhe të meshtarëve tanë, më siguroi për lutjet dhe bekimin e tij”. Si në raste të tjera në të kaluarën, imzot Shevchuk i shprehu edhe mirënjohjen Papës "për ndërhyrjet e shumta dhe për faktin se e kujton gjithmonë Ukrainën e 'martirizuar'", duke kontribuar gjithashtu në “lirimin e dy priftërinjve redemptoristë. Falënderoj për këtë ndërmjetësim, që e kanë bërë personalisht Papa dhe Selia e Shenjtë në favor të popullit tonë, të këtyre meshtarëve, edhe për të lehtësuar vuajtjet e të burgosurve”. Fjala është për dy rregulltarët Ivan Levytskyi dhe Bohdan Heleta, arrestuar në nëntor 2022 dhe liruar nga Rusia në një shkëmbim të burgosurish me Ukrainën, më 29 qershor. Rezultat për të cilin vetë presidenti Zelensky falënderoi, ndër të tjera, Selinë e Shenjtë për "përpjekjet" e bëra "që t'i sjellë këta njerëz në shtëpi".
Takimi me Zelensky-n
E, pikërisht Zelensky do të pritet nga Papa nesër, në herën e tij të tretë në Vatikan. “Presidenti ynë e respekton Atin e Shenjtë si zë dhe autoritet moral global”, komenton kryeipeshkvi Shevchuk. “Të ndahen dhimbjet e Ukrainës me të tjerët, të kemi mbështetjen e Papës dhe të Selisë së Shenjtë për vendin dhe popullin tonë të martirizuar është jetike për ne". “Faleminderit Zotit që presidenti ynë vjen për ta dëgjuar Atin e Shenjtë”.
Thirrje për solidaritet
Përpara se të kthehej në Sinod, kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare përmes mediave të Vatikanit: “Kërkojmë solidaritetin dhe lutjen tuaj. Gati 6 milionë ukrainas do të përjetojnë emergjencën ushqimore këtë dimër. Duhen ushqyer të uriturit. Gjithashtu - shton prelati - duhet t'u ofrojmë ngrohtësinë tonë, vëmendjen tonë, njerëzve që do të vuajnë nga i ftohti. Lutuni për Ukrainën, ne besojmë në solidaritetin tuaj".