Kërko

Zoja e Këshillit të Mirë, me augustinianet spanjolle, te Papa Zoja e Këshillit të Mirë, me augustinianet spanjolle, te Papa

Papa, rregulltareve: “Një shenjt i trishtuar është një lloj i trishtë shenjtori”

Në audiencën e sotme me motrat augustiniane të Talavera de la Reina në Spanjë, Papa Françesku u bën thirrje të gjitha murgeshave dhe të gjithë rregulltarëve të vlerësojnë hiret e shumta, që gëzojnë si pjesë e bashkësive fetare. Gjithashtu, i ftoi të mos e humbasin sensin e humorit dhe të thonë çdo ditë lutjen e Shën Tomas Morit për humorin e mirë

R.SH – Vatikan

“Shenjtëria është gjithmonë e gëzueshme… Të keni buzëqeshjen, që vjen nga zemra – jo të rreme, por të sinqertë dhe të plotë”. Këtë u kujtoi sot Papa Françesku rregulltareve augustiniane spanjolle të Talavera de la Reina, në audiencë me rastin e 450-vjetorit të kuvendit të tyre, që e kanë festuar edhe me një shtegtim në Romë.

Meqenëse murgeshat vijnë nga Spanja, Papa e përsëriti lutjen e tij për banorët e Valencias që "po vuajnë shumë" nga përmbytjet, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e mbi 200 njerëzve.

“Këto ditë, ndihem shumë afër Spanjës, për shkak të tragjedisë në Valencia”, vërejti Ati i Shenjtë.

Të jetojmë gëzimin e krishterë

Duke reflektuar mbi jetën rregulltare, Papa Françesku i ftoi murgeshat të japin shembull për jetën shpirtërore, duke u bërë “mjeshtre në artin e lutjes”.

"Shpresoj që shkolla juaj të nxjerrë në pah, ndërmjet gjithë njohurive që u jepni fëmijëve, aftësinë për të folur me Zotin, për ta dëgjuar Atë, për ta ndjerë praninë e Tij në çdo çast të jetës dhe për t’i pranuar me bindje frymëzimet, që vijnë prej Tij”.

Papa i ftoi të gjitha rregulltaret e të gjithë meshtarët të mos e humbin kurrë gëzimin, ose sensin e humorit, përndryshe “thartohen” si të ishin “diçka e ruajtur në uthull".

"Kërkojini Zotit sensin e humorit, i cili na mban të freskët në shërbimin ndaj Zotit", nënvizoi Françesku. "Po e përsëris: një shenjt i trishtuar është një lloj i trishtë shenjtori".

Të vlerësohen hiret e jetës fetare

Murgeshat dhe rregulltarët, vijoi më tej Papa Françesku, duhet të kenë parasysh nevojat e të tjerëve dhe sigurinë relative, që gëzojnë si pjesë e një bashkësie rregulltare.

“Kur ndokush ankohet se ka shumë punë, të mendojë për ata që nuk kanë”, theksoi. “Kur hyni në kuvend apo në famulli, kujtohuni se u sigurohet gjithçka”.

Në ditët me borë a me shi, rregulltaret duhet t’i kenë parasysh njerëzit, që flenë jashtë, shtoi ai.

Lutja e shën Tomas Morit për humor të mirë

Në përfundim, Papa Françesku i ftoi motrat spanjolle augustiniane të thonë çdo ditë lutjen e Shën Tomas Morit për humorin e mirë:

Ma fal, o Zot të lutem, një stomak

që nuk të trazon e s’ankohet aspak,

pse e di që ia jep diçka për ta mbushë

e kurrë nuk e len krejt bosh me u  përpushë.

Më jep një shpirt të butë e të mirë,

 E mbushe përlot me gaz e me hir,

 edhe me forcë, që të mos mëkatojë më kot

por të bëjë çka do, ti o i lumi im Zot!

Më jep një shpirt, që nuk mërzitet kurrë

po i bën ballë së keqes me forcë, porsi burrë

 që s’ rri gjithnjë veç duke u ankuar

pse do veç vetveten e shumëdashuruar.

Më jep ti, o Zot, dëshirën të qesh,

ndihmomë që krahët për ditë t’i përvesh,

edhe pak gëzim, jo vetëm për mua,

por dhe për miqtë,  ma jep, që i dua!

(Përkthim krejt i lirshëm)

07 nëntor 2024, 12:14