Papa i shkruan nuncit në Ukrainë: fjala e fundit për këtë tragjedi do të jetë e Zotit

Françesku i dërgon një letër kryeipeshkvit Kulbokas për një mijë ditët e konfliktit në vendin evropianolindor, duke e falënderuar që "i qëndroi pranë" popullsisë gjatë kësaj periudhe të gjatë vuajtjeje. Papa i lutet Zotit që "t’i kthejë zemrat dhe t'i bëjë ato të afta për të nisur rrugën e dialogut, pajtimit dhe harmonisë", duke shpresuar që fjala "PAQE" të jehojë në familje, shtëpi dhe sheshe. Zoti, pohon Ati i Shenjtë, do të kërkojë llogari për lotët

R.SH. – Vatikan

         Një përqafim për gjithë ukrainasit, "kudo që janë". Pastaj, lutja dhe heshtja, si ajo me të cilën në orën 9 të mëngjesit, banorët e Kievit dhe të qyteteve të tjera kujtojnë viktimat e konfliktit dhe të burgosurit "në kushte të mjerueshme". Më tej, thirrja që të pushtetshmit e kësaj bote të nisin "udhë dialogu, pajtimi dhe harmonie". Por edhe siguria se Zoti "mbetet pranë nesh, edhe kur përpjekjet njerëzore duken të pafrytshme dhe veprimet jo të mjaftueshme". Papa Françesku i shpreh me tone e ndjenja personale mendimet e tij në një çast të trishtë, atë të një mijë ditëve nga fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë, në letrën, që i dërgon sot (19 nëntor) nuncit apostolik në Kiev, kryeipeshkvit Visvaldas Kulbokas. E quan agresionin ushtarak kundër vendit evropianolindor, një “tragjedi të madhe”, pavarësisht se për Jorge Mario Bergoglio-n, fjalën e fundit e ka Zoti.

Të bëjmë kthesë në zemra

Nuk janë “fjalë të thjeshta” ngarkuar me solidaritet, ato që Papa i dërgon përfaqësuesit të Vatikanit në atë tokë, të cilën e ka quajtur gjithnjë “të martirizuar” e, shton në letër, edhe “të dashur”. Françesku i larton “një lutje të zjarrtë Zotit, burimi i vetëm i jetës, shpresës dhe urtisë, që t’i kthejë zemrat dhe t’i bëjë të afta të nisin rrugë dialogu, pajtimi dhe harmonie".

Fjala "PAQE" të kumbojë kudo

Papa nënvizon se është i vetëdijshëm që "asnjë fjalë njerëzore nuk është në gjendje ta mbrojë jetën e tyre nga bombardimet e përditshme, as t’i ngushëllojë ata që vajtojnë të vdekurit, as t’i shërojë të plagosurit, as t’i riatdhesojë fëmijët, as t’i lirojë të burgosurit, as të zbusë pasojat e dimrit të ashpër, as të rivendosë drejtësinë dhe paqen”. Megjithatë, mbetet shpresa që fjala "PAQE" - e shkruar nga Ati i Shenjtë me shkronja të mëdha për të theksuar rëndësinë e këtij urimi - "fatkeqësisht e harruar nga bota e sotme", mund sërish "të kumbojë në familjet, shtëpitë dhe sheshet e Ukrainës së dashur”. “Fatkeqësisht, të paktën tani për tani, nuk është kështu!”, vëren Papa.

Bashkuar me lutjet e ukrainasve

Më pas, Françesku siguron se do ta bashkojë lutjen e tij me ukrainasit, që "çdo mëngjes, në orën 9, me një 'minutë heshtjeje kombëtare', kujtojnë me dhimbje viktimat e shumta të shkaktuara nga konflikti, fëmijë dhe të rritur, civilë dhe ushtarë, si edhe të burgosurit, të cilët shpesh gjenden në kushte të mjerueshme”. “Unë bashkohem me ta, që të jetë më e fuqishme britma lartuar Qiellit, prej të cilit vjen ndihma: “Ndihma ime vjen prej Zotit, i cili krijoi qiellin e tokën”, përmend Papa Psalmin 121.

Lotët për të cilët Zoti do të kërkojë llogari

Letra përfundon me një lutje drejtuar Zotit që, "ndërsa mbledh të gjitha lotët andej e këtej" për të cilët "do të kërkojë llogari", t’i ngushëllojë zemrat dhe ta forcojë shpresën e pranisë së Tij: "Do të jetë Zoti – këto, fjalët e fundit të Papës Françesku – që do ta thotë fjalën e fundit për këtë tragjedi të tmerrshme”.

Pastaj, bekimi për "gjithë popullin ukrainas, duke filluar nga ipeshkvijtë dhe meshtarët, me të cilët ti vëlla i dashur - shkruan Ati i Shenjtë për imzot Kulbokas - u qëndrove pranë bijve dhe bijave të këtij kombi, gjatë këtyre një mijë ditëve të vuajtjes".

19 nëntor 2024, 17:00