Françesku: në Mozambik, besim në demokracinë, drejtësinë dhe paqen
R. SH. - Vatikan
Të lutemi për të gjithë popullsinë e Mozambikut, që situata aktuale të mos na bëjë të humbasim besimin në rrugën e demokracisë, drejtësisë dhe paqes.
Kjo, ftesa e Papës Françesku në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit. Françesku i quan “shqetësuese” lajmet që vijnë nga vendi i Afrikës juglindore dhe u bën thirrje të gjithëve “për dialog, tolerancë dhe kërkim të palodhur zgjidhjesh të drejta". Ngjarjet e fundit flasin për të paktën 30 persona të vrarë që nga fillimi i demonstratave, që denonconin mashtrimet e kryera gjatë zgjedhjeve të 9 tetorit të kaluar.
Solidaritet i ipeshkvijve të Afrikës së Jugut
Konferenca Ipeshkvnore e Afrikës së Jugut u shpreh mbështetjen e saj drejtuesve të Kishës së Mozambikut për denoncimin e mashtrimit zgjedhor në zgjedhjet e fundit dhe dënon autorët.
Lutje për paqe
Diçka që nuk duhet ta harrojmë: Papa na kërkon përsëri "të lutemi për Ukrainën e martirizuar, ku goditen edhe spitalet e ndërtesat e tjera civile" dhe "për Palestinën, Izraelin, Libanin, Mianmarin, Sudanin". Kërkon e shton: “Të lutemi për paqen në mbarë botën”.
I Lumi i ri
E Françesku përmend edhe lumnimin e Don Giuseppe Torres Padilla, kemtuar të shtunën, 9 nëntor, në katedralen e Seviljes. Bashkëthemeluesi i Kongregatës së Motrave të Shoqërisë së Kryqit mbahet mend si “prift, si rrëfyes, si prijës shpirtëror e dëshmitar i “bamirësisë së madhe ndaj nevojtarëve”. Trashëgimia e tij "i mbështestë priftërinjtë në shërbesën e tyre" - uroi Papa - i cili u kërkoi besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit "një duartrokitje për të Lumin e ri”.