Papa: kemi nevojë për "mrekullinë e dhembshurisë" që na shoqëron në prova
R.SH. / Vatikan
“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata, që po më dëshmojnë afërsinë e tyre në lutje: faleminderit nga zemra, të gjithëve! Lutem edhe unë për ju”.
Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Zotit, nga apartamenti i tij në katin e dhjetë të Poliklinikës Gemelli, në Romë, ku u shtrua për shkak të pneumonisë bilaterale që nga 14 shkurti. Në katekizimin e Papës, ndjekur në mesditë - pas Meshës kryesuar nga kardinali Michael Czerny në Sheshin e Shën Pjetrit për Jubiluen e botës së Vullnetariatit - nuk harrohen mjekët, vullnetarët, personeli i Kuries, popujt e luftës. Në mendimet e Papës është një botë e tërë! Si zakonisht! Një botë që ofron dhurata dhe kujdes falas, një botë që e ndihmon të qeverisë Kishën, një botë që vuan.
Në natën e dhimbjes ndjehet nevoja për dhembshuri
Në vijim të shtrimit të tij të zgjatur në spital, Papa falënderon punonjësit e shëndetësisë për kujdesin e tyre të vëmendshëm:
E ndërsa jam këtu, mendoj për shumë njerëz që, në mënyra të ndryshme, rrinë pranë të sëmurëve dhe janë për ta shenjë e pranisë së Zotit. Kjo na duhet, “mrekullia e butësisë”, e cila i shoqëron ata që janë në provë, duke sjellë pak dritë në natën e dhimbjes.
Përtej logjikës së fitimit, vullnetarizmi është shenjë shprese
Koha dhe aftësitë e vëna në dispozicion nga ata që përfshihen në botën e vullnetarizmit, janë arsye për mirënjohje të mëtejshme nga ana e Françeskut: ato rizgjojnë shpresën - kujton - E vijon të përdorë fjalët kyçe: butësi dhe afërsi.
Në shoqëritë tona, tepër të nënshtruara ndaj logjikës së tregut, ku çdo gjë rrezikon të jetë subjekt i kriterit të interesit dhe të kërkimit të fitimit, vullnetarizmi është profeci dhe shenjë shprese, sepse dëshmon epërsinë e bujarisë, solidaritetit dhe shërbimit ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.
Vazhdoni të bëni thirrje për paqe
E ndërsa bashkohet shpirtërisht me Kurien Romake, që sot hyn në javën e Ushtrimeve Shpirtërore, e cila do të drejtohet në Sallën Pali VI deri më 14 mars nga atë Roberto Pasolini, predikatar i Shtëpisë Papnore, Papa na nxit t’i jetojmë Kreshmët si "kohë pastrimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore, e edhe si udhëtim rritjeje në fe, shpresë e bamirësi". E, siç bën çdo ditë me përpikmëri, vijon të kërkojë lutje, duke i siguruar edhe të tijat për kombet në luftë, të cilët vijon t’i përmendë vazhdimisht:
Së bashku vijojmë të kërkojmë dhuratën e paqes, veçanërisht në Ukrainën e martirizuar, në Palestinë, në Izrael, në Liban dhe në Myanmar, në Sudan dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Në veçanti, mësova me shqetësim për rifillimin e dhunës në disa zona të Sirisë: shpresoj që ajo të pushojë përfundimisht, me respekt të plotë për të gjithë përbërësit etnikë dhe fetarë të shoqërisë, veçanërisht civilët. Ju besoj të gjithëve ndërmjetësimit amtar të Virgjërës Mari.
Gëzuar të dielën e mirupafshim!