Papa: kërkoj që armët të heshtin menjëherë!
R.SH. - Vatikan
E diela e sotme ishte e pazakontë, e shumëpritur, ende me jehonën e Rruzareve, që një turmë e madhe i përsëriti, duke iu lutur me gjithë shpirt Zotit të vinte kjo ditë… Ditë që erdhi! Erdhi dhe e solli Papën atje ku pritej: në mes të popullit, që e quan “Atë”.
Ndonëse në dalje nga spitali, Papa përshëndeti turmën e mbledhur para spitalit Gemelli dhe gjeti aq forca sa ta krijonte rishtas atmosferën e lutjes së Engjëllit në një ditë si kjo, e pazakontë, plot gëzim! Nga kati i dhjetë i Poliklinikës, Ati i Shenjtë bekoi besimtarët, duke dalluar, mes tyre, një grua me lule të verdha, simbol i flamurit vatikanas.
"Faleminderit të gjithëve! - tha Papa. - E po shoh atë zonjën me lule të verdha. Sa e mirë!"
Durimi i Zotit…
Edhe kësaj së diele, teksti i reflektimit papnor për Engjëllin e Tënzot u botua nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Shëmbëlltyra që gjejmë në Ungjillin e sotëm - kujton në të Papa - na flet për durimin e Zotit, i cili na nxit ta bëjmë jetën tonë kohë kthimi në fe. Jezusi përdor figurën e një fiku pa kokrra, që nuk ka dhënë frytin e dëshiruar të cilin, megjithatë, fshatari nuk do ta presë: dëshiron ta plehërojë rishtas për të parë "nëse do të japë fryte në të ardhmen" (Lk 13:9). Ky fshatar i duruar është Zoti, që e punon me kujdes tokën e jetës sonë dhe e pret plot besim kthimin tonë tek Ai.
e durimi i Papës…
Në këtë periudhë të gjatë shtrimi në spital - vijon Papa - pata rastin ta jetoj durimin e Zotit, të cilin e pashë të pasqyruar edhe në kujdesin e palodhur të mjekëve e të punonjësve shëndetësorë, si dhe në vëmendjen dhe shpresat e të afërmve të të sëmurëve.
Ky durim besimplotë, i ankoruar në dashurinë e pashuar të Zotit, që nuk mungon kurrë, është vërtet i nevojshëm në jetën tonë, veçanërisht për të përballuar situatat më të vështira dhe më të dhimbshme.
Me trup në spital, me zemër në viset e martirizuara
Më hidhëroi shumë rifillimi i bombardimeve të rënda izraelite në Rripin e Gazës – thekson dhimbshëm Papa - me aq shumë vdekje dhe plagosje:
Kërkoj që armët të heshtin menjëherë; e të kemi guximin të rifillojmë dialogun, në mënyrë që të gjitha pengjet të lirohen dhe të arrihet armëpushimi përfundimtar. Situata humanitare në Rrip është rishtas shumë e rëndë, ndaj kërkon veprim urgjent nga palët ndërluftuese dhe bashkësia ndërkombëtare.
Jam i kënaqur, ndërkaq, që Armenia dhe Azerbajxhani ranë dakord për tekstin përfundimtar të Marrëveshjes së Paqes. Shpresoj të nënshkruhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kështu të kontribuojë për vendosjen e paqes së qëndrueshme në Kaukazin e Jugut.
Falënderim i dalë nga zemra!
Ju po vazhdoni të luteni për mua me kaq shumë durim e këmbëngulje - këto fjalët e falënderimit, që u drejton Papa besimtarëve:
Faleminderit shumë! Edhe unë lutem për ju. E, së bashku, lutemi të marrin fund luftërat e të bëhet paqe, veçanërisht në Ukrainën e martirizuar, në Palestinë, Izrael, Liban, Myanmar, Sudan dhe Republikën Demokratike të Kongos.
Në përfundim, si zakonisht, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:
Virgjëra Mari na ruajtë dhe vazhdoftë të na shoqërojë!