Papa: ta përshkojmë Portën Shenjte, për t’u rinisur të bashkuar në bamirësi
R.SH. - Vatikan
Nga Poliklinika Gemelli Papa Françesku nënshkroi mesazhin e afërsisë për shtegtarët që morën pjesë në shtegtimin jubilar të Kryeipeshkvnisë së Napolit, por edhe për shumë besimtarë të tjerë, kryesisht nga dioqeza të ndryshme italiane, që do ta kalojnë sot Portën Shenjte. Duke i përshëndetur, shkruan se pikërisht në këto raste “shprehet uniteti që i mbledh si bashkësi rreth Barinjve dhe Ipeshkvit të Romës, si dhe dëshira që t’i gjegjen ftesës së Jezusit për të hyrë ‘nga dera e ngushtë’. Kështu është dashuria: na bashkon dhe na bën të rritemi së bashku. Prandaj, edhe pse kemi marrë rrugë të ndryshme, ju bashkoi këtu, te varri i Pjetrit, prej nga mund të niseni përsëri më të fortë në fe dhe më të bashkuar në bamirësi”.
Falënderimi për lutjet
Papa nënvizon mbështetjen që ndjeu gjatë kësaj periudhe të shtrimit në spital, “veçanërisht përmes lutjeve - shkruan ai - me të cilat më shoqëruat”. “Prandaj, edhe nëse nuk mund të jem fizikisht i pranishëm mes jush, ju shpreh gëzimin tim të madh duke ditur se jeni të bashkuar në Zotin Jezus me mua dhe mes jush si Kishë”. Në fund të tekstit, Françesku bekon dhe siguron se lutet për ta. Më pas, kërkesa e dëshiruar:
"Vazhdoni edhe ju të luteni për mua".