Vatikan: “The Economy of Francesco” on line, nga 19 deri më 21 nëntor
R.SH. - Vatikan
U paraqit sot në Vatikan “The Economy of Francesco” (Ekonomia e Françeskut), takim ndërkombëtar, që ka si protagonistë të rinj ekonomistë dhe afaristë nga e gjithë bota. Do të mbahet virtualisht nga data 19 deri më 21 nëntor e mund të ndiqet në faqen e internetit “francescoeconomy.org”. Në përfundim të tri ditëve, edhe Papa Françesku, që e ka dashur me të gjitha forcat këtë reflektim mbi ekonominë e së nesërmes, do të marrë pjesë virtualisht në takim.
Takimi duhej të ishte mbajtur në mars
Kujtojmë se ftesën për t’u mbledhur në këtë ngjarje, që synon ta ndryshojë rrënjësisht konceptimin e botës, ua dërgoi të rinjve nën moshën 35 vjeç vetë Ati i Shenjtë, më 1 majin e vitit 2019, në festën e shën Jozefit Punëtor. Qëllimi i Papës është të fillojë, së bashku me protagonistët e rinj dhe me një grup të kualifikuar ekspertësh, një proces ndryshimi global, që ekonomia e sotme dhe e nesërme të jetë më e drejtë, më vëllazërore, më gjithëpërfshirëse dhe më e qëndrueshme, pa lënë askënd mbrapa. Takimi ishte parashikuar nga 26 deri më 28 mars në Asizi të Italisë, por u shty, për shkak të emergjencës së koronavirusit. Deri tani, për konferencat on line, që fillojnë më 19 nëntor, janë regjistruar 2000 të rinj ekonomistë nga 120 vende të ndryshme. Asizi mbetet zemra e ngjarjes, pasi nga qyteti i shën Françeskut e nga vendet historike françeskane si Bazilika e shën Françeskut, kisha e shën Damianit, shenjtërorja e Rivotortos, Bazilika e shën Kiarës, shenjtërorja e Zhveshjes, Pallati Monte Frumentario, do të nisen lidhjet e drejtpërdrejta me mbarë botën.
Tematikat e konferencës
Gjithnjë në internet, do të mbahen konferenca me figura të njohura botërore, për të diskutuar mbi temat, propozimet, perspektivat e “Ekonomisë së Françeskut”. Do të ketë çaste meditimi e reflektimi. 12, të ashtuquajturat “fshatra tematike”, që të rinjtë i kanë mbushur on line, me mendimet e ëndrrat e tyre, gjatë këtyre muajve. Kanë të bëjnë me punën e kujdesin; administrimin e pasurisë e dhurimin; financën e humanitetin; bujqësinë e drejtësinë; energjinë e varfërinë; fitimin e thirrjen e Zotit; biznesin e paqen; me politikat për uljen e gazit serë dhe me ato për arritjen e lumturisë. Të shumtë pjesëmarrësit me famë botërore. Mjafton të përmendim njërin prej tyre, Çmimin Nobel për Paqen, Muhammad Yunus, ekonomist e bankier bengalez, shpikësi i mikrokreditit.
Bruni: “ekonomia green” nuk ka interes për të varfërit
Interesante, ç’tha sot në konferencën për shtyp, profesori i ekonomisë politike në Universitetin Lumsa të Romës, Luigino Bruni, duke përvijuar thelbin e konferencës së ardhshme. “Nuk mjafton një ekonomi e gjelbër për të qenë ekonomi e Françeskut. Duhet të përfshijë edhe të varfërit, protagonizmin e të rinjve, kultivimin e një jete shpirtërore. Sot, kemi një ekonomi të gjelbër, që nuk ka asnjë interes e vëmendje ndaj të varfërve e pabarazive. Ekonomia e Françeskut nuk mund të jetë vetëm ekologjike. Britma e tokës dhe e të varfërve është po ajo, siç na kujton enciklika ‘Laudato si’’ e tani, edhe ‘Fratelli tutti’. Vëllazërimi me tokën, që nuk përfshin edhe vëllazërimin me të fundmit e kësaj bote, nuk është i plotë. Ekonomi e Françeskut është edhe krijimi i një kapitali shpirtëror global, për të cilin ekonomia ka jashtëzakonisht nevojë”. “Ekonomia e djeshme ka qenë krejtësisht e jashtme, gjithçka luhej mbi pasuritë e dukshme, duke lënë kështu mënjanë shumë pasuri të padukshme, si marrëdhëniet ndërpersonale dhe të mirat morale”, nënvizoi Bruni, sipas të cilit “kapitali shpirtëror” është mungesa më e madhe në ndërmarrjet e sotme, gjë që ka shkaktuar e vijon të shkaktojë dëme të pallogaritshme.