Vatikani: gjatë Javës së Madhe të Pashkëve të respektohen masat kundër koronavirusit
R.SH. - Vatikan
Këshilla për ipeshkvijtë, që kanë për detyrë të vlerësojnë gjendjen konkretisht dhe të marrin masa për të mirën shpirtërore të barinjve të Kishës e të besimtarëve të saj, gjatë Javës së Madhe të Pashkëve 2021. Ky është qëllimi i Notës së Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, që u bë e njohur sot në Vatikan.
“Jemi akoma përballë tragjedisë së pandemisë Covid-19, e cila ka sjellë shumë ndryshime edhe në mënyrën e kremtimit të liturgjisë. Menduar për kohë normale, normat dhe direktivat e librave liturgjikë nuk janë plotësisht të zbatueshme në kohë të jashtëzakonshme krize si këto. Prandaj, ipeshkvi… duhet të marrë vendime të matura që kremtimet liturgjike të vijojnë frytshëm për popullin e Zotit dhe për të mirën e shpirtrave, që i janë besuar, duke respektuar masat për mbrojtjen e shëndetit dhe ato të vendosura nga autoritetet përgjegjëse për të mirën e përbashkët”.
Rrjetet shoqërore të nevojshme, por edhe problematike
Në Notë kujtohet dekreti i vitit të kaluar e nënvizohet se ato linja udhërrëfyese vlejnë edhe për sivjet. Ndërsa u kërkohet ipeshkvijve t’i lexojnë sërish (Dekret i 25 marsit 2020, prot. N. 154/20), vihen në dukje disa aspekte, që kanë dalë në pah nga përvoja e kaluar. Përdorimi i rrjeteve shoqërore, nënvizohet në Notë, u dha mundësinë besimtarëve të ndiqnin kremtimet, kur u detyruan të mbyllen në shtëpi, por pati edhe problematikat e veta. Gjatë Javës së Madhe, Kongregata vatikanase këshillon “të lehtësohet e të privilegjohet përhapja mediatike e kremtimeve të kryesuara nga ipeshkvi, duke i inkurajuar besimtarët, që nuk mund të shkojnë në kishën e tyre, të ndjekin kremtimet dioqezane, në shenjë bashkimi”.
Mesha e Bagmit mund të zhvendoset
Në të gjitha kremtimet, vijon Nota më tej, u duhet kushtuar vëmendje masave kundër koronavirusit, sidomos në disa çaste e në disa gjeste. Mesha e Bagmit mund të zhvendoset në një ditë më të përshtatshme, nëse është e nevojshme, pasi në të duhet të marrë pjesë një përfaqësi e rëndësishme e barinjve dhe e besimtarëve të Kishës. Për kremtimet e së Dielës së Larit, të së Enjtes së Madhe, të së Premtes së Madhe e të Vigjiljes së Pashkëve, vlejnë këshillat e vitit të kaluar. Kongregata për Kultin Hyjnor inkurajon përgatitjen e doracakëve të veçantë për lutjen personale e familjare, duke vlerësuar disa pjesë të Liturgjisë së Orëve.
Në plan të parë, e mira e përbashkët
Së fundi, Kongregata falënderon ipeshkvijtë për impenjimin e tyre në këtë kohë pandemie e nënvizon se vendimet e marra prej saj “nuk kanë qenë gjithnjë të lehta për t’u pranuar nga ana e barinjve dhe e besimtarëve laikë. Megjithatë, - theksohet në Notë – e dimë se janë marrë për t’u siguruar që misteret e shenjta të kremtohen në mënyrën më të frytshme të mundur për bashkësitë tona, duke respektuar të mirën e përbashkët dhe shëndetin publik”.