Këngë për Krishtlindje
R.SH. - Vatikan
Dashuria jote, Krisht, e vetmja shtyllë guri, që na shpëton nga çdo rrëzim!
Këngë për Krishtlindje
Këndoj për ty, o Zot Jezus,
ti fjalë e Zotit mishëruar,
fjalë gëzimi për të varfërit,
mëshire, për mëkatarët,
shërimi për të sëmurët,
ngushëllimi për të shkelurit
nën thembër të botës mizore!
Ti, fjalë dashurie që i shndërron
zemrat e fytyrat njerëzore.
Unë këndoj, o Krisht, për ty,
dritë e Atit zbritur në botë:
shkëlqim në errësirë,
prijës në shtegtim
që sytë të verbërve
i mbush plot me dritë,
e zemrat, me shpresë e gëzim!
Këndoj për ty, o Zot Krisht,
për ty, jetë e Hyjit në çdo krijesë,
jetë që mund vdekjen
jetë që sjell të mirën
Jetë e bijve të lindur
për paqen e për mëshirën!
Këndoj për ty, o Krisht,
bir i Hyjit-njeri
që në Betlehem u leve,
portat ia mbylle vdekjes
e shpatën e mëkatit e theve!
Tashti sytë tanë,
dy pika uji të pastër,
ndrisnin e kënga rilind:
në të gjejmë fillin e tretur
që zbret nga qielli Yt,
në sytë tonë gjithë ndriçim,
Dashuria jote:
e vetmja shtyllë guri
që na shpëton nga çdo rrëzim!