Kërko

Në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit dokufilmi me titull “Letra” Në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit dokufilmi me titull “Letra”

U paraqit dokufilmi “Letra”, frymëzuar nga “Laudato si’”

Dokumentari përqendrohet në takimet e Papës Françesku me liderë të ndryshëm, të impenjuar në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, të gjithësisë së krijuar nga Zoti

R.SH. – Vatikan

Në ditën e festës së Shën Françeskut të Asizit, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit dokufilmi me titull “Letra”, që përqendrohet në aftësinë e njerëzimit për t’i vënë fre krizës ekologjike. Dialogu ekskluziv me Atin e Shenjtë, në këtë dokumentar, që i ngjan mjaft filmit, i jep shikuesit informacione mbi historinë personale të Papës Françesku, duke shfrytëzuar edhe pamje të papublikuara të ngjitjes së tij në fronin e Shën Pjetrit.

Protagonistët e këtij dokumentari, premiera e të cilit në nivelin botëror fillon në orën 18.30, në sallën e re të Sinodit, në Vatikan, janë një indigjen nga Amazona, një refugjat nga Senegali, një aktiviste e re indiane dhe dy shkencëtarë amerikanë. Zëra, që përfaqësojnë edhe njerëz të tjerë, shpesh të padëgjuar, për çështjet kritike, që lidhen me ndryshimet klimatike. Disa çaste në dokumentar i lihen kardinalit Raniero Cantalamessa, i cili kujton rrënjët françeskane në bazën e mesazhit të enciklikës “Laudato si’”. Dokufilmi “Letra”, që i referohet letrës qarkore, pra, enciklikës së Papës kushtuar ekologjisë së gjithanshme, mund të shihet falas në kanalin YouTube Originals. U prodhua nga ekipi fitues i çmimit Oskar, “Off the Fence” (Jashtë gardhit), në bashkëpunim me lëvizjen “Laudato si’” dhe me Dikasteret vatikanase për Komunikimin dhe për Zhvillim e Gjithanshëm Njerëzor.

Trailer i dokufilmit "Letra"

Kriza ekologjike i prek të gjithë

Konferenca për shtyp u hap me ndërhyrjen e kardinalit Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Kardinali nënvizoi se “në enciklikën ‘Laudato si’’, Papa Françesku dëshiron të hyjë në dialog me të gjithë njerëzit e planetit, të shtëpisë sonë të përbashkët. Kriza mjedisore nuk është problem, që shqetëson vetëm katolikët. Ajo i prek të gjithë, si njerëzit e sotëm, ashtu edhe brezat e ardhshëm. Ky film është një britmë alarmi për njerëzit e mbarë botës: duhet të veprojmë së bashku e, duhet të fillojmë tani”, që sot, pa pritur të nesërmen.

Dëgjo intervistën e plotë në italisht të kardinalit Czerny

Në paraqitjen e dokumentarit foli edhe Hoesung Lee, president i Grupit Ndërqeveritar të Ekspertëve për Ndryshimet Klimatike, i cili u ndal në rëndësinë e aleancës ndërmjet fesë dhe shkencës për t’u vënë fre rreziqeve të shumta, që lidhen me ndryshimet klimatike. Bashkësia shkencore është gati të bashkëpunojë me artistë e me njerëz të fesë. Si feja, ashtu edhe arti, shpjegoi Lee, mund të frymëzojnë ndërhyrjen kolektive në favor të klimës. Për regjisorin Nicolas Brown, i cili shpjegoi strukturën e dokumentarit, sfida më serioze për njerëzimin është trajtimi i problemit të dyfishtë të ndryshimit të klimës dhe të humbjes së biolarmisë.

Të veprojmë së bashku për të frenuar pasojat e ndryshimeve klimatike

Kryetarja e Këshillit Administrativ të Lëvizjes “Laudato Si’”, Lorna Gold, kujtoi se mesazhi i Françeskut u drejtohet të gjithëve: çdo qenie njerëzore mund të japë kontributin e tij ose të saj në mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët. Shenjat e katastrofës ekologjike, vuri në dukje ajo, janë kudo. Ky film nxjerr në pah pasojat tragjike të mosveprimit, por tregon edhe rrugën për t’u ndjekur.

Dëgjo intervistën e plotë në italisht të Larna Gold

Në konferencën për shtyp foli edhe një nga protagonistët e filmit. Ishte Cacique Odair "Dadá" Borari, kreu i përgjithshëm i Territorit Indigjen Maró, në Pará (Brazil), që vuri në dukje përparësinë e mbrojtjes së territorit të Amazonës. “Unë flas në emër të pyllit dhe të popullsisë indigjene, që lufton për drejtësi”. “Shpresoj që presidentët e të gjitha vendeve të bashkojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe për ta mbrojtur Amazonën”. Urojmë, shtoi ai, që presidenti i ri i Brazilit të jetë në gjendje të zbatojë një "politikë të re", në të cilën nuk do të ketë vend për shkatërrimin e pyjeve.

04 tetor 2022, 16:42