Himni i Ditës Botërore të Rinisë, Lisbonë 2023
R.SH. - Vatican News
"Há Pressa no Ar", himni i Ditës Botërore të Rinisë, Lisbonë 2023, frymëzohet nga tema e takimit“Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim» (Lk 1:39), domethënë, nga Virgjëra Mari dhe nxitimi i saj për të takuar kushërirën, Elizabetën, siç e tregon fragmenti biblik. Teksti i "Há Pressa no Ar" është krijim i João Paulo Vaz, meshtar: muzika, e Pedro Ferreira, profesor dhe muzikant, të dy nga dioqeza e Coimbras, në Portugalinë qendrore. Aranzhimet janë të muzikantit Carlos Garcia.
Tema e himnit të Ditës Botërore të Rinisë, Lisbonë 2023, u regjistrua në dy variante: në atë portugez dhe në variantin ndërkombëtar në pesë gjuhë (portugeze, angleze, spanjolle, frenge dhe italiane). Ndërsa këndojnë këtë himn, të rinjtë nga mbarë bota ftohen të ndjekin Marinë Virgjër, duke u vënë në dispozicion për shërbimin, misionin dhe shndërrimin e botës. Teksti ngjall gëzimin që buron nga takimi me Zotin. Nga Himni, me katër strofa e po aq refrene, përkthyem lirisht në shqip dy strofa me refrenin përkatës. Që të mund të kumbojë në festën e madhe rinore, edhe në gjuhën tonë!
HÁ Pressa no AR
(Edhe ajri nxiton!)
Varianti italian – përkthyer lirisht
Himni zyrtar i DBR-së së Lisbonës, 2023
Në këtë qytet, nga bota mbarë
Vrapojmë nëpër qiell e dhé,
me Zojën përsërisim "Po-në",
sipas planit të Zotit për ne!
Jezusit duam t'i japim jetën,
si bijtë e tij! E bijat e tija!
Me "Po"-në e Saj, është Nëna me ne!
Me ne është vetë lumturia!
Kthesa:
E zëri ynë do të lartohet,
Me krahët përpjetë, vrapojmë,
Me Jezusin nuk jemi kurrë vetëm
E duam gjithmonë t’i këndojmë!!
Ti që kërkon të kuptosh se kush je:
me të gjitha velat lundro gjithmonë!
Jemi bashkë e detin përshkojmë,
çdo mur kapërcen forca jonë:
e dashuria është me ne,
mos qaj, hë! Këndoi jetës,
se edhe ti ke fe,
e je edhe ti, lajmëtar i së Vërtetës!
Kthesa:
E zëri ynë do të lartohet,
Me krahët përpjetë, vrapojmë,
Me Jezusin nuk jemi kurrë vetëm
E duam gjithmonë t’i këndojmë!