Kërko

Pasojat e konfliktit Izraelo-Palestinez Pasojat e konfliktit Izraelo-Palestinez  (AFP or licensors) Editorial

100 ditë, pranë atyre që vuajnë

Ne nuk jemi neutralë. Jemi në anën e shumë palestinezëve, që vdiqën nën rrënojat e Gazës, 10,000 prej të cilëve, fëmijë. Jemi me të pafajshmit e vrarë në kibuci më 7 tetor dhe me pengjet izraelite. Jemi, me bindje të plotë, në njërën anë, në atë të viktimave dhe të të vuajturve

R. SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Të kujtosh kohën që ka kaluar pas një tragjedie, është shumë e trishtë. Ta kujtosh kur tragjedia është ende në vijim, është e tmerrshme.

Që nga 7 tetori, 136 burra, gra dhe fëmijë u mbajtën peng nga Hamasi në tunelet nën Gazë. Nuk dihet asgjë për ta as për gjendjen e tyre. Sot publikojmë një kontribut emocionues nga Rachel Goldberg Polin, plot dhimbje, por edhe plot dashuri. Asgjë nuk dihet për djalin e saj Hersh, 23 vjeç, që nga ai mëngjes tragjik, përveçse ai mund të ketë humbur një krah.

Jemi pranë Rashelit, jo vetëm për vuajtjet e saj dinjitoze, por mbi të gjitha, për ato që thotë e që shkruan. Për vetëdijen e saj të guximshme se edhe në anën tjetër të gardhit ka nëna si ajo, që vuajnë. E shumë që vajtojnë fëmijët e humbur. Zëri i saj i guximshëm, në rrethana ku mbizotëron zemërimi dhe hakmarrja, rrezikohet të ushtojë i vetmuar. Por nuk është kështu. Vetëm kur ndjen dhimbjen e të tjerëve, si të ishte jotja, mund të qetësohesh dhe të falësh.

Fjalët e Rakelës janë edhe tonat. E, doemos, edhe të Papës Françesku, që na fton për “afërsi”. Afërsi me ata që vuajnë, me ata që vdesin, me ata që  humbën gjithçka, gjithçka! Afërsia me të sëmurët nga të dyja anët shpesh interpretohet si ekuidistancë. Po ne nuk jemi asnjanës në këtë luftë.  Jemi, me bindje të plotë në njërën anë, atë të viktimave, të të vuajturve. Jemi në anën e 22 mijë të vdekurve nën rrënojat e Gazës, në anën e 10 mijë fëmijëve të vrarë. Jemi me njerëzit e pafajshëm të mbytur barbarisht në kibuci më 7 tetor. Jemi… Sepse flijimi i çdo jete është plagë e pashërueshme. Rakela e kuptoi këtë. E edhe ne, me të.

13 janar 2024, 16:33