Kërko

Gra izrealite manifestojnë për lirimin e pengjeve në Gazë Gra izrealite manifestojnë për lirimin e pengjeve në Gazë

Rachel Goldberg Polin: bëni si unë për ta bashkuar këtë botë të shkatërruar

100 ditë pas sulmit të Hamasit dhe pas kapjes së pengjeve, Rachel Goldberg Polin, nëna e Hershit, zëdhënëse e familjeve të pengjeve, e cila u takua me Papën Françesku nëntorin e kaluar, shkroi këtë artikull ekskluziv për gazetën vatikanase “L'Osservatore Romano”

R.SH. – Vatikan

Rachel Goldberg Polin - Tel Aviv

Të dielën, më 14 janar, u mbushën 100 ditë që kur më morën djalin tim të vetëm, Hersh.

Hersh është civil e po merrte pjesë në një festival muzikor. Para se të rrëmbehej, iu pre krahu deri në bërryl. Ai ka nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe izraelite. Nuk ka fjalë, që mund të përshkruajnë siç duhet si kanë qenë 100 ditët e fundit për mua dhe për familjen time. Që kur u rrëmbye, nuk dimë më asgjë për të.

Por, në këtë kohë të errët, na kanë mbushur me dhembshuri, hir, dashuri dhe mbështetje. Veçanërisht e rëndësishme ka qenë ndihma e bashkësisë së krishterë në mbarë botën. Kemi marrë qindra mijëra mesazhe nga të krishterë bujarë dhe plot vëmendje, të cilët na kanë çuar bekimet e tyre që Hershi të mbetet i fortë dhe të kthehet në shtëpi tek ne. Na kanë çuar fotografitë e tryezave familjare të darkës së Krishtlindjes, me një pjatë të zbrazët që mban emrin e Hersh dhe me njerëzit, që ndiznin qirinj për të, në meshën e mesnatës. U mallëngjyem thellë kur ndiemë një bukuri e një dhembshuri të tillë nga të afërmit tanë të krishterë anembanë botës.

Pata mundësinë unike të takoja Atin e Shenjtë si pjesë e një grupi të vogël familjesh të tjera të pengjeve. Ai na dëgjoi dhe ndau me ne dhimbjen. Papa Françesku tha diçka që më bëri të ndryshoj. Tha se gjithçka kishim përjetuar ishte terror dhe se terrori është "mungesë humanizmi". Gjë e thjeshtë, por e mençur dhe frymëzuese. Deri në atë çast, kisha filluar të dyshoja në humanizmin e njerëzve. Por pasi dëgjova ato fjalë, shpresa ime për botën u rikthye.

Që kur Hersh u rrëmbye, mbaj të ngjitur në vendin ku është zemra një shirit me numrin e ditëve që nga zhdukja e tij. Përdor një penë me bojë të zezë dhe e shkruaj numrin çdo mëngjes. Kohët e fundit, kam filluar t'i kërkoj botës të bashkohet me mua në vendosjen e këtij shiriti, ashtu si bëj unë. Është simbol solidariteti në botën tonë të shkatërruar. U kërkoj të gjithë njerëzve, të të gjitha feve, etnive, kombësive dhe moshave, të bashkohen me mua.

Në botën tonë, që vuan kaq shumë, në kaq shumë vende dhe në njëmijë forma, kjo është një mënyrë e thjeshtë për t’u mbledhur të gjithë e për të thënë... mjaft. Mjaft me vuajtjet e njerëzve në të dyja anët e konfliktit. Jo më lot. Mjaft me gjakderdhjen. Mjaft me dhimbjen. Mjaft!

Hapi i parë drejt dhembshurisë është uniteti. Hapi i parë drejt unitetit është solidariteti. Dhe hapi i parë drejt solidaritetit mund të jetë një simbol.

Bashkohuni me mua në simbolin e një nëne të vuajtur. Ashtu siç derdhi lot Shën Maria Nënë, edhe unë derdh lot për botën tonë të shkatërruar. Lutem dhe besoj se shpëtimi për Hershin dhe pengjet e tjera të dashura do të vijë së shpejti; ashtu si edhe për mijëra njerëzit e pafajshëm, që vuajnë në Gaza. Ka ardhur koha, tashmë. Amen. Ashtu qoftë.

15 janar 2024, 10:14