Kërko

2024.10.20 Dal momento di preghiera a conclusione del Sinodo digitale 2024.10.20 Dal momento di preghiera a conclusione del Sinodo digitale

Misionarë dixhitalë nga e gjithë bota luten së bashku për Sinodin

Dje, në Ditën Botërore të Misionarëve, nga Kapela Klementine e Bazilikës së Shën Pjetrit u transmetua një çast lutjeje online. Protagonistë, misionarët dixhitalë, të thirrur për të dhënë kontributin e tyre në rrugën sinodale. Imzot Luis Marín De San Martín, Paolo Ruffini dhe Imzot Lucio Ruiz e inkurajuan nismën, edhe me dëshmitë e të rinjve nga Lindja e Mesme

R.SH. / Vatikan

Ungjillëzimi i "hapësirave në të cilat njerëzit kërkojnë kuptim dhe dashuri" ishte koncepti i përsëritur disa herë në çastin e lutjes me "misionarët dixhitalë" të lidhur nga e gjithë bota, mbajtur dje, të dielën 20 tetor, në Kapelën Klementine të Bazilikës së Shën Pjetrit. Të pranishëm, Imzot Luis Marín De San Martín, nënsekretar i Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit; Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit për Komunikim dhe kryetar i Komisionit të Informacionit të Sinodit; Imzot Lucio Ruiz, sekretar i Dikasterit për Komunikim.

Së bashku, në ungjillizimin dixhital

Gjatë fjalës së tij, Imzot Ruiz caktoi një takim për Jubileun e ardhshëm të misionarëve katolikë dhe influencuesve dixhitalë më 28-29 korrik 2025. "Sa dhuratë e bukur që i keni bërë Kishës! A e shihni, a e ndjeni?" është lavdërimi i sekretarit të Dikasterit për Komunikim drejtuar misionarëve dixhitalë, duke vënë në dukje se puna e tyre përfshihet në "rrjedhën e madhe misionare të Kishës". "Të vazhdojmë ëndërrimin së bashku - shtoi ai - dhe të bëjmë gjëra të bukura, të cilët tregojnë gëzimin e Zotit në një botë që ka nevojë për shpresë". Fjalimi i tij u pasua nga një këngë në spanjisht, që paraqiste çastin e lutjes së përbashkët, ku pjesët e rezervuara normalisht për asamblenë, vijonin herë pas here nga të rinjtë e lidhur online.

Misionarët "pionierë" të një bote të re

Ruiz lexoi më pas Ungjillin e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën Botërore të Misionit të djeshëm, me temë “Shkoni dhe ftoni të gjithë në banket”, e cila u pasua nga reflektimi i Imzot Marín De San Martín, që e inkuadroi figurën e Jezusit si “ person i gjallë” dhe jo si “avatar” i thjeshtë ose “identitet dixhital”. Në përputhje me temën e Ditës së Misionarit, ftesa e ipeshkvit ishte të ruhen "dy urdhërimet", domethënë "shkoni e ftoni", duke braktisur "rehatinë" dhe "egoizmin" dhe duke dëshmuar "gëzimin e Zotit Jezus" me "entuziazmin e njerëzve që dinë të duan". Mision ky, i cili duhet të distancohet nga krijimi i “grupeve të zgjedhura” dhe “elitave arrogante dhe egoiste”, të afta të njollosen “me pluhurin e rrugës e me baltën e historisë”.

Dëshmia e dy binjakëve libanezë

Më pas u ndoqën disa dëshmi të të rinjve të prekur nga puna e misionarëve dixhitalë. Mes tyre, dy binjakë libanezë, të angazhuar në ndarjen e "bukurisë së krishterimit" online në Lindjen e Mesme. Interaktiviteti ishte edhe një herë protagonist i ngjarjes, kur disa misionarë ua shpjeguan synimet e lutjes të gjithë të pranishmëve, secilit në gjuhën e vet. Më pas atyre iu kërkua të shkruanin disa nga fjalët që karakterizonin punën misionare në rrjetet sociale dhe platformat e reja. Ndërmjet tyre, “vëllazëria”, “dëgjimi”, “gëzimi” por edhe “dhimbja”, “etja” dhe “nevoja për Zotin”.

Mision, që duhet kryer përvujtërisht

Së fundi, prefekti Ruffini mori fjalën dhe i ftoi të pranishmit për ndjenjën e përgjegjësisë përballë plagëve që prekin shoqërinë e sotme. “Nëse paradigma e kohës sonë, qoftë edhe ndër të pagëzuarit, duket se është ajo e urrejtjes, në vend të mëshirës,​​kujt duhet t’i përgjigjemi?”- ishte një nga pyetjet e shumta që bëri prefekti i Dikasterit të Komunikimit, i cili kujtoi Shën Palin si shembull i një komunikuesi të shkëlqyeshëm, "i aftë për të bërë me të vërtetë gjithçka për të gjithë", duke qenë mes njerëzve. Shën Pali i shërbeu Zotit "me përvujtëri të plotë e me lot" dhe kjo, sipas Ruffinit, është rruga që duhet ndjekur, duke zgjedhur gjithmonë "bashkimin, jo dallimin".

Një çast i fundit lutjeje, me kontributin dixhital të pjesëmarrësve, dhe ftesa përfundimtare nga Imzot Ruiz, përmbyllën aktivitetin, që la pas jehonën e thirrjes: "Shko! Deri në skajet e botës"

21 tetor 2024, 12:11