Nënë Angelini në Sinodin e Ipeshkvijve Nënë Angelini në Sinodin e Ipeshkvijve

Nënë Angelini: arti sinodal i heshtjes, në dëgjim të Zotit

Në ditën e dytë të ushtrimeve shpirtërore për pjesëmarrësit e Sinodit, reflektimi i murgeshës benediktine mbi vlerën e heshtjes si lavd drejtuar Zotit. Një "art sinodal" i vërtetë, që të lejon të çlirohesh nga padurimi, aktivizmi dhe ankesat, për të dëgjuar fjalën e Zotit

R.SH. – Vatikan

 "Nëse e doni të vërtetën, doni heshtjen": një rresht nga Isak Siriani, mistik, teolog dhe ipeshkëv i Kishës Lindore në Ninive, nga viti 676 deri në vitin 680, ishte në qendër të meditimit të Nënë Maria Ignazia Angelini, sot paradite, 1 tetor, në ditën e dytë të ushtrimeve shpirtërore për anëtarët, delegatët vëllazërorë dhe të ftuarit e veçantë në sesionin e dytë të asamblesë XVI të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve.

Heshtja e Zotit, përmasë themeltare e fjalës njerëzore

Të pranishmëve në sallën e re të Sinodit, murgesha benediktine nga kuvendi i Viboldonit, në Itali, u shpjegoi temën e heshtjes si lavd drejtuar Zotit. "Në bazën e çdo lutjeje, të çdo "vepre të Zotit" - pohoi ajo - vibron Fryma e heshtur e Zotit. Duhet perceptuar", sepse, siç thotë shën Injaci i Antiokisë, "Hyjin e njohim në heshtjen e tij", në atë "boshllëk", që përfaqëson "përmasën themeltare të fjalës njerëzore". Heshtja është lavdi më i lartë aty ku s’mund të bëjmë tjetër, veçse të admirojmë veprën e Hyjit, theksoi Nënë Angelini, e cila bëri një paralelizëm me heshtjen gjatë diskutimeve sinodale. Ato nuk janë çaste të thjeshta pushimi, por kohë për të dëgjuar ç’kërkon Shpirti Shenjt nga pjesëmarrësit në Sinod, heshtje që u jep vlerë e përmbajtje shkëmbimeve ndërmjet tyre.

Të dëgjohet zëri i të varfërve dhe i Krijimit

Por ka edhe vështirësi për ta jetuar heshtjen, vërejti murgesha, sidomos kur theksohen më shumë konceptet, e kaluara, kur njeriu jeton apatinë e së tashmes dhe ankthin për të ardhmen. Në heshtje, duhet hapur zemra për Fjalën e Hyjit, për britmën e të varfërve dhe të gjithësisë, duke kërkuar të vërtetën e misterit hyjnor, që na rrethon, por edhe banon në çdo njeri. E duke hequr dorë nga aktivizmi i tepruar e nga padurimi, çdo pjesëmarrës i Sinodit duhet të bartë në vetvete pasionin, që heshturazi, e tërheq drejt plotësimit të vullnetit të Atit Qiellor.

Programi i ushtrimeve shpirtërore

Pas reflektimit të murgeshës benediktine, ushtrimet shpirtërore vazhduan me meditimet e atit dominikan Timothy Radcliffe. Pasdite, në orën 16.00, në sallën Pali VI, grupet e punës, ndërsa në orën 18.00 në Bazilikën e Vatikanit, lutja pendestare në prani të Papës Françesku.

01 tetor 2024, 10:58