Kard. Parolin: multilateralizmi është në krizë sot, të kërkohen formula për paqen

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin mori pjesë dje në Gregoriana në konferencën "Ndërmjetësimi papnor si mjet për arritjen e paqes", në 40-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit ndërmjet Argjentinës dhe Kilit për Kanalin Beagle: "Duhet të rizbulojmë besimin e ndërsjellë dhe të punojmë së bashku”

R.SH. – Vatikan

Me synimin për të reflektuar mbi sukseset dhe mbi kontributin e qëndrueshëm të ndërmjetësimit papnor dyzet vjet më parë, kur Kili dhe Argjentina ishin një hap larg luftës për çështjen e Kanalit Beagle, u mbajt më 25 nëntor, në Universitetin Papnor Gregorian, konferenca me temë “Ndërmjetësimi Papnor si mjet për arritjen e paqes: 40 vjet pas Traktatit të Paqes dhe Miqësisë Argjentinë-Kili”. Paradite, delegacionet e dy vendeve u pritën nga Papa Françesku. Ndërsa pasdite, në konferencë, mori pjesë edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Të projektohen në të ardhmen mësimet e së kaluarës

Në fjalën e tij, kardinali Parolin kujtoi rëndësinë e ndërmjetësimit të Selisë së Shenjtë në zgjidhjen e konflikteve, nëpërmjet mjeteve të diplomacisë, shpesh në heshtje e pa bujë. Ai vuri në pah tre aspekte të rëndësishme në zgjidhjen e konflikteve: promovimin e dialogut, ushtrimin e multilateralizmit të vërtetë dhe kërkimin e mjeteve, që ndihmojnë në arritjen e paqes. 40-vjetori i nënshkrimit të “Traktatit të Paqes dhe Miqësisë Argjentinë-Kili”, nënvizoi, nuk është vetëm përkujtim i ngjarjes, por edhe projektim në të tashmen dhe në të ardhmen i mësimeve, që dalin nga kjo marrëveshje.

Probleme globale, përgjigje globale

“Mësimi aktual i kësaj ngjarjeje është se i shërbeu Argjentinës dhe Kilit për të shmangur luftën dhe për të filluar bashkëpunimin”, nënvizoi kardinali Parolin. “E dimë se ky bashkëpunim është zgjeruar në fusha të ndryshme dhe vazhdon edhe sot. Është shembull për zgjidhjen e konflikteve, veçanërisht në botën tonë, ku ato shumohen dhe ku duhet të kërkojmë formula, që na lejojnë të gjejmë një zgjidhje”. Prandaj, Traktati ka "një përmasë të tashme e të ardhme", pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke u ndalur në temën e "krizës" së bashkëpunimit shumëpalësh.

Sot në botë ka shumë probleme globale, që kërkojnë zgjidhje globale, por pa bashkëpunimin e të gjithëve nuk mund të merren vendimet e duhura për këtë, theksoi ai. “Sot, multilateralizmi është në krizë, siç ka thënë edhe Papa Françesku. Njerëzit, shtetet e konsiderojnë veten kundërshtarë deri në atë pikë sa të bëhen armiq”, denoncoi kardinali Parolin. “Duhet ta kapërcejmë këtë qëndrim dhe të rizbulojmë besimin e ndërsjellë, duke punuar të bashkuar për interesa të përbashkëta. Sot, ka shumë probleme globale, që duhen zgjidhur globalisht, nëse nuk ka besim dhe bashkëpunim, nëse nuk ka bashkëpunim shumëpalësh, pra, pjesëmarrje nga ana e të gjithëve, nuk mund të gjendet zgjidhja”.

26 nëntor 2024, 15:47