Kërko

Papa: nga Kanadaja ftesa për harmoninë ndërmjet modernizimit e kulturave stërgjyshore

Në audiencën e përgjithshme, Françesku ripërshkoi etapat e “shtegtimit pendestar” në Kanada, nga 24 deri më 30 korrik, së bashku me popujt indigjenë. Shtegtim “kujtese, pajtimi, shërimi", prej nga buron “shpresa për Kishën”. Kujtoi se e ndjeu “si shuplakë” dhimbjen e të moshuarve që humbën fëmijët nga “politika e asimilimit”, por se “duhej t’ua kthenim faqen për të ndrequr gabimet tona, për t’i larë mëkatet tona”

R.SH. - Vatikan

Ishte shtegtim me popujt indigjenë, në udhën e “kujtesës, pajtimit, shërimit”, nga i cili “buron shpresa për Kishën: në Kanada dhe kudo”. Por dhe ftesë për të gjithë, për të rifituar “harmoninë që shkrin në një modernen me kulturat stërgjyshore, laicizimin me vlerat shpirtërore”. Ftesë nga Kisha, për të “mbjellë vëllazërinë universale që respekton dhe promovon pasuritë e shumta të “përmasës vendase”. Pati edhe çaste “shumë të dhimbshme” në të cilat - kujtoi - “m’u desh ta ndjej si shuplakë dhimbjen e atyre njerëzve, atyre të moshuarve, që humbën fëmijët e nuk e dinin se ku përfunduan, pasojë e kësaj politike asimiluese. Por duhej kthyer faqja për shuplakën, “përballë gabimeve tona, mëkateve tona”. Kështu i rikujtoi Papa Françesku ngjarjet kryesore të “shtegtimit pendestar” në Kanada, nga data 24 deri më 30 korrik, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, e para, pas ndërprerjes së muajit korrik, muaj pushimesh, që përfundoi me një shtegtim jo pak të lodhshëm.

Françesku në Kanada: dhurata e lotëve

Papa i rijetoi të gjitha fazat e mëdha të udhëtimit apostolik, nga Edmontoni në Quèbec në Ikaluit. Kujtoi edhe se u përsëriti autoriteteve të vendit, prijësve indigjenë dhe trupit diplomatik, vullnetin e patundur të Selisë së Shenjtë “për të promovuar kultura origjinale, me rrugë të përshtatshme shpirtërore dhe me vëmendje ndaj zakoneve dhe gjuhëve të popujve”. Nuk mungoi të padiste “mendësinë kolonizuese”, që sot fshihet “nën forma të ndryshme të kolonizimit ideologjik, të cilat kërcënojnë traditat, historinë dhe lidhjet fetare të popujve, duke rrafshuar dallimet” dhe shpesh duke i lënë fare mbas dore “detyrat ndaj më të ligshtëve, më të braktisurve”. Të gjitha popullsive vendase, Françesku u kërkoi të ndjekin shembullin e “veprimtarisë së fuqishme paqësore të popujve autoktonë të Kanadasë”, për të mos u mbyllur në vetvete, por përkundrazi, për t’ia ofruar “kontributin e tyre një njerëzimi më vëllazëror, që di ta dojë krijimin dhe Krijuesin”.

Rrugë pajtimi dhe shërimi

 “Shtegtim ndryshe nga të tjerët” - e quajti Papa - sepse arsyeja kryesore ishte “të takoja popullatat vendase, për t’u shprehur  afërsinë dhe dhimbjen time dhe për t'u kërkuar falje për dëmin e bërë nga ata të krishterë, duke përfshirë shumë katolikë, të cilët në të kaluarën bashkëpunuan me politikat e asimilimit të qeverive të kohës”. Françesku theksoi se në Kanada “ ka nisur tashmë përpjekja për të shkruar një faqe të re" të udhës, që Kisha po e bën prej disa kohësh së bashku me popujt indigjenë. Kjo është arsyeja pse motoja e shtegtimit ishte “Ecim së bashku”:

“Një rrugë pajtimi dhe shërimi, që presupozon njohuri historike, dëgjim të të mbijetuarve, ndërgjegjësim dhe mbi të gjitha kthesë, ndryshim mendësie”.

Papa gjatë audiencës së përgjithshme
Papa gjatë audiencës së përgjithshme

Kush e mbrojti dinjitetin e popujve indigjenë dhe kush jo

Një analizë e thellë, gjatë së cilës u kujtua edhe “se disa burra e gra të Kishës, ishin ndër mbështetësit më të vendosur dhe më të guximshëm të dinjitetit të popujve indigjenë, të cilët i morën nën mbrojtje duke kontribuar edhe në njohjen e gjuhëve dhe kulturave të tyre”. Po pati edhe të tjerë: priftërinj, rregulltarë, rregulltare e laikë “të cilët morën pjesë në programe që sot shihet qartë se janë të papranueshme dhe në kundërshtim me Ungjillin”:

“Për këtë shkova të kërkoj falje në emër të Kishës. Prandaj ishte  shtegtim pendestar! Kishte shumë çaste të gëzueshme, por kuptimi dhe toni i së tërës ishte reflektimi, pendimi dhe pajtimi”.

Popujt origjinalë dhe harmonia me krijimin

Papa Françesku kthehet me kujtesë tek gjashtë takimet në Vatikan me përfaqësuesit e popujve vendas të Kanadasë “në përgatitje të këtij takimi” dhe tek tri fazat kryesore të shtegtimit: “e para, në Edmonton, në pjesën perëndimore të Vendit. E dyta, në Québec, në pjesën lindore. E treta, në veri, në Iqaluit”. Kujtoi takimin e parë, në Masqwacis, “Kodra e Ariut”, ku prijësit dhe anëtarët e grupeve kryesore indigjene u mblodhën nga i gjithë vendi: Kombet e Para, Métis dhe Inuit.

“Së bashku kujtuam: sollëm në mendje kujtimin e mirë të historisë mijëravjeçare të këtyre popujve, në harmoni me tokën e tyre: kjo është një nga gjërat më të bukura të popujve origjinalë, harmonia me tokën. Ata kurrë nuk e keqtrajtojnë krijimin, kurrë. Në harmoni me tokën. Gjithashtu u ndaluam tek kujtimi i dhimbshëm i abuzimeve pësuar edhe në shkollat rezidenciale nga politikat e asimilimit kulturor”.

Një rrugë që sjell shpresë për të gjithë Kishën

Hapi i dytë i shtegtimit “ishte ai i pajtimit”, i kuptueshëm - shpjegoi Françesku në vijim të audiencës së përgjithshme - jo “kompromis ndërmjet nesh - do të ishte iluzion, inskenim – e jo pajtim me Krishtin, i cili është paqja jonë”. Hapi i tretë i shtegtimit, ai i shërimit, u hodh - kujton Françesku – “në brigjet e liqenit Sant'Anna, në ditën e festës së shenjtorëve Joakim dhe Anna”. Atje, “në Jezusin, pamë afërsinë e Atit që na i shëron  plagët e na i fal mëkatet”. Një udhëtim kujtimi, pajtimi dhe shërimi nga i cili, për Papën, “gurron shpresa për Kishën, në Kanada dhe në çdo vend. Dishepujt e Emaus-it, pasi ecën me Jezusin e ringjallur, me Të dhe falë Tij,  kaluan nga dështimi në shpresë”.

Angazhim për të promovuar kulturat e origjinës

Krahas rrugëtimit me vendasit “shtyllë kurrizore e këtij shtegtimi apostolik”, Papa Françesku, pati dy takime me kishën dhe me autoritetet e vendit. Si u përsëriti mirënjohjen për mirëseardhjen, ripohoi çka u pati thënë qeveritarëve, prijësve indigjenë dhe trupit diplomatik. Domethënë:

“Vullnetin e Selisë së Shenjtë dhe të bashkësive katolike vendase për të promovuar kulturat origjinale, me rrugë të përshtatshme shpirtërore dhe me vëmendje ndaj zakoneve dhe gjuhëve të popujve”.

Jo mendësisë kolonizuese, që kërcënon historinë e popujve

Papa theksoi  edhe  se mendësia  kolonizuese paraqitet sot nën forma të ndryshme të kolonizimit ideologjik, të cilat kërcënojnë traditat, historinë dhe lidhjet fetare të popujve, duke rrafshuar dallimet, duke u përqendruar vetëm në të tashmen dhe shpesh duke i lënë pas dore detyrat ndaj më të dobtit dhe më të brishtit.

Prandaj, bëhet fjalë për të rivendosur ekuilibrin e shëndetshëm, harmoninë ndërmjet modernes dhe kulturave stërgjyshore, ndërmjet laicizimit dhe vlerave shpirtërore. Dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me misionin e Kishës, të dërguar në mbarë botën për të dëshmuar dhe për ‘të mbjellur’ vëllazërinë universale, që respekton dhe promovon përmasën vendase me pasuritë e saj të shumëllojshme”.

Dhimbja e njerëzve m’u duk si shuplakë…

Më pas, duke folur lirisht, Françesku falënderoi ipeshkvijtë kanadezë për unitetin e tyre. E gjithë kjo - kujtoi - u bë e mundur, sepse ipeshkvijtë ishin të bashkuar. Aty ku ka unitet, mund të ecësh përpara! E Papa e përfundoi rrëfimin për këtë ngjarje të jashtëzakonshme, duke kujtuar takimin e fundit “nën shenjën e shpresës”, në tokën e inuitëve, me të rinj e të vjetër:

“Ju siguroj se në këto takime, sidomos në këtë të fundit, m’u desh ta ndjej si shuplakë dhimbjen e atyre njerëzve, që humbën shumë...dhimbjen e të moshuarve, që humbën fëmijët e tyre dhe nuk dinin se ku përfunduan, pasojë e politikës asimiluese. Ishte çast shumë i dhimbshëm, por më duhej t’u sillja faqen: duhet ta sjellim faqen, përpara gabimeve tona, mëkateve tona”.

Nga popujt indigjenë të Kanadasë, një shembull për të gjithë

Edhe në Kanada, përfundoi Papa - ky është një binom - kyç, shenjë e kohëve: të rinj e të vjetër në dialog për të ecur së bashku në histori ndërmjet kujtesës dhe profecisë:

“Qëndrueshmëria dhe veprimi paqësor i popujve autoktonë të Kanadasë, le të jetë shembull për të gjitha popullatat origjinale, që të mos mbyllen në vetvete, por të japin kontributin e tyre të domosdoshëm për një njerëzim më vëllazëror, që di ta dojë krijimin dhe Krijuesin”.

03 gusht 2022, 10:51

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >