Françesku: Kongo e Sudani i Jugut t’i thonë "jo" nënshtrimit, "po" shpresës

I sapokthyer nga shtegtimi apostolik në Afrikë, ku ishte nga 31 janari deri më 5 shkurtin e kaluar, Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, çasteve më domethënëse, duke kujtuar thirrjen "mjaft e shfrytëzuat Afrikën", shqiptuar në Kinshasa dhe etapën ekumenike në Juba: dialogun me kryepeshkopin e Canterbury-t dhe moderatorin e Kishës së Skocisë

R. SH. / Vatikan

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme të Papës Françesku, mbajtur paradite, në Sallën Pali VI, në qendër të vëmendjes ishte shtegtimi i kohëve të fundit, me dy ndalesa: e para, në Republikën Demokratike të Kongos; e dyta, në Sudanin e Jugut. Papa i quajti "ëndrra" të ëndërruara prej kohësh, për realizimin e të cilave i shprehu mirënjohjen Zotit, duke përshkuar, më pas, çastet kryesore të njërës e të tjetrës, të dyjave, në të cilat jehoi fuqimisht thirrja për paqe, për dialog, për të qenë, si të krishterë, dritë e botës e kripë e tokës". Françesku pohoi:

“Dy ‘ëndrra’: për të vizituar popullin kongolez, rojtar i një vendi të pafundmë, mushkëri e gjelbër e Afrikës, i dyti në botë njëherësh me Amazonën. Tokë e pasur me burime dhe e gjakosur nga një luftë që nuk mbaron kurrë, sepse gjindet gjithmonë dikush, që i fryn zjarrit.  E edhe popullin sudanez të jugut, në një shtegtim paqeje, së bashku me Kryeipeshkvin e Canterbury-t, Justin Welby dhe Moderatorin e Përgjithshëm të Kishës së Skocisë, Iain Greenshields: shkuam së bashku për të dëshmuar se është e mundur dhe e nevojshme të bashkëpunojmë në larmi, veçanërisht kur beson në të njëjtën fe në Krishtin”.

Kongo, diamant i grabitur

Papa Françesku e quajti Republikën Demokratike të Kongos "diamant"  për burimet e saj të shumta dhe për njerëzit e saj, duke kujtuar edhe se pasuritë e vendit janë bërë burim grindjesh, dhune dhe varfërimi:

“Është  situatë që vërehet edhe në toka të tjera afrikane e, përgjithësisht, në të gjithë kontinentin: një kontinent i kolonizuar, i shfrytëzuar, i plaçkitur. Përballë gjithë kësaj, thashë dy fjalë: e para, negative: “Mjaft më!”. “Mjaft me shfrytëzimin e Afrikës! (...) Fjala e dytë, pozitive: së bashku, së bashku, me dinjitet dhe respekt të ndërsjellë, së bashku, në emër të Krishtit, shpresës sonë, të ecim përpara. Mos shfrytëzoni dhe ecni përpara!”.

Së bashku me viktimat në lindje të vendit, “jo” dhunës

Papa kujtoi, më pas, një nga çastet më prekëse, që i jetoi në Kinshasa, kur u takua me disa viktima të dhunës në lindje të vendit, të shkatërruar nga lufta:

“Njerëzit jetojnë të pushtuar nga frika dhe pasiguria, të flijuar në altarin e biznesit të paligjshëm. Dëgjova dëshmitë tronditëse të disa viktimave, veçanërisht grave, të cilat i vunë armët dhe mjetet e tjera vdekjeprurëse tek këmbët e Kryqit. Së bashku me ta, i thashë ‘jo’ dhunës,‘jo’ dorëheqjes, ‘po’ pajtimit dhe shpresës. Vuajtën shumë dhe vazhdojnë të vuajnë”.

Papa kujtoi edhe takimin me të gjithë ata, që kujdesen për më të varfërit përmes shumë nismave bamirëse. E u bëri thirrje jo vetëm për ndihmë, por edhe për mbështetjen e zhvillimit të njerëzve. Më pas, edhe takimin "entuziazmues" me të rinjtë kongolezë. E akoma, në Katedrale, çastet e jetuara me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët e, së fundi, me ipeshkvijtë, të cilët i nxiti të jenë shenja të mëshirës, të afërsisë dhe të dhembshurisë së Zotit.

Në Sudanin e Jugut, të bashkuar për pajtim

Në Juba, kryeqytet i Sudanit të Jugut, vizita ishte "shtegtim ekumenik i paqes" - pohoi më pas Papa, duke folur për pjesën e dytë të udhëtimit. Me të ishin edhe krerët e "dy Kishave, të pranishme historikisht në atë tokë: Bashkimi Anglikan dhe Kisha e Skocisë". Françesku shpjegoi arsyen e edhe qëllimin e kësaj vizite të përbashkët:

“Ishte kulmi i një udhe, që nisi disa vite më parë, kur u mblodhëm në Romë, në vitin 2019, me autoritetet e Sudanit të Jugut, e u zotuam ta kapërcejmë konfliktin dhe të sigurojmë paqen. (...) Fatkeqësisht, procesi i pajtimit nuk shkoi aq përpara në Sudanin Jugor të porsalindur, viktimë e logjikës së vjetër të pushtetit, të rivalitetit, që prodhon luftë, dhunë, refugjatë dhe njerëz të shpërngulur brenda vendit. E falënderoj shumë zotin president për mikpritjen që na bëri dhe për mënyrën sesi po përpiqet ta drejtojë këtë rrugë aspak të lehtë për t’i thënë ‘jo’ korrupsionit dhe trafikut të armëve; ‘po’, takimit dhe dialogut. E kjo është e turpshme: shumë vende të ashtuquajtura të qytetëruara japin ndihma për Sudanin e Jugut. E ndihma është armë, armë, armë, për të nxitur luftën”.

Vlera e dëshmimit të vëllazërisë

Pastaj Papa nënvizoi rëndësinë dhe vlerën ekumenike të vizitës, në atë vend ku të gjithë u lutën së bashku:

“Në një realitet të ngarkuar fuqimisht me ndeshje, si ai i Sudanit të Jugut, kjo shenjë është themelore por jo e parashikueshme, sepse fatkeqësisht ka nga ata që e shpërdorojnë emrin e Zotit, për të justifikuar dhunën dhe abuzimin”.

Gratë dhe “të vegjlit”, shpresë për vendin

Nga vizita në Sudanin e Jugut, Papa kujtoi edhe takimin me "një grup të madh njerëzish të shpërngulur brenda vendit", me prani të fortë grash, që jetojnë në kampe. “Ato janë forca që mund ta transformojnë vendin – pohoi Papa - që i inkurajoi të gjithë të jenë fara e një Sudani të ri Jugor, pa dhunë, të pajtuar dhe të paqëtuar”.

Në kremtimin eukaristik, që mbylli vizitën, Papa Françesku kujtoi se i inkurajoi besimtarët për të qenë "kripë dhe dritë" në trojet e tyre. “Zoti  nuk shpreson tek të mëdhenjtë e të fuqishmit - pohoi - por tek të vegjlit dhe të përvuajturit”. E, pasi falënderoi vëllezërit që e shoqëruan në shtegtim dhe të gjithë ata, që punuan për suksesin e tij, përfundoi me ftesën që na drejtohet të gjithëve:

“Të lutemi që në Republikën Demokratike të Kongos, në Sudanin e Jugut dhe në të gjithë Afrikën të mbijnë farët e Mbretërisë së dashurisë, drejtësisë dhe paqes së Zotit!”.

08 shkurt 2023, 12:24

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >