Papa: Shpirti Shenjt na çliron nga frika e na bën ta ndjejmë dashurinë e Zotit
R.SH. / Vatikan
Para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa nënvizoi se për Rrëshajë dishepujt, të mbyllur në çenakull, sepse të tronditur keqas nga vdekja e Jezusit, e shpresëhumbur, e marrin Shpirtin Shenjt nga Krishti i Ngjallur dhe nisin ta kumtojnë lajmin e mirë pa frikë e pa zori! Edhe ne, kur jemi të paralizuar nga frika e tjetrit, nga i huaji e deri nga vetë Zoti, Shpirti Shenjt na sjell afërsinë e Krishtit, “na ndriçon rrugën e na ndihmon në çaste të vështira”.
Festa e Rrëshajëve i kujton mbarë njerëzimit dhuratën më të madhe që ka nga Krishti Gjallë, atë të Shpirti Shenjt. E me emrin e Shpirtit Shenjt e nisi edhe Papa lutjen e sotme mariane të Mbretëreshës Qiellore:
“Sot është solemniteti i Rrëshajëve, e Ungjilli na çon në çenakull, ku apostujt ishin strukë pas vdekjes së Krishtit (Gjn 20,19-23). Në mbrëmjen e Pashkëve i Ngjalluri paraqitet pikërisht në këtë situatë frike e ankthi dhe duke fryrë mbi ta, thotë: “Merreni Shpirtin Shenjt” (v. 22):
“E kështu, me dhuratën e Shpirtit, Jezusi dëshiron t'i çlirojë dishepujt nga frika, e cila i mban të mbyllur në shtëpi, që ata të mund të dalin jashtë dhe të bëhen dëshmitarë dhe lajmëtarë të Ungjillit”.
Le të ndalemi, pra, te Shpirti, që na çliron nga frika - ftoi në vijim Papa.
Dishepujt, në labirinthin e shqetësimeve
Dishepujt i kishin mbyllur dyert, na kujton Ungjilli - e na e kujtoi edhe Françesku në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore të këtij Solemniteti të madh, që po e kremtojmë sot. - I kishin mbyllur "nga frika" (v. 19):
“Vdekja e Jezusit i kishte tronditur, ëndrrat e tyre ishin shkatërruar, shpresat, zhdukur. Atëhere u mbyllën brenda”.
Dua ta theksoj këtë - tha në vijim Papa - u mbyllën brenda!
Mbyllja, humbje e guximit për ecur përpara
E pasi shqiptoi fjalën “mbyllje”, Françesku shpjegoi çfarë është mbyllja brenda vetes e pse shpesh mbyllemi, duke nisur me një pyetje retorike:
“Sa herë mbyllemi edhe ne brenda vetes? Sa herë, për shkak të ndonjë situate të vështirë, ndonjë problemi personal apo familjar, vuajtjes që na shtyp apo së keqes, që e thithim rreth nesh, rrezikojmë të rrëshqasim ngadalë në humbjen e shpresës dhe na mungon guximi për të ecur përpara? E pastaj, si apostujt, mbyllemi brenda, duke humbur në labirintin e shqetësimeve”.
T’ia mbyllim dyert frikës, jo zemrës
E Papa shpjegoi më pas ç’do të thotë “t’ia mbyllësh dyert frikës”. Vëllezër dhe motra - vijoi - kjo mbyllje në vetvete ndodh kur në situatat më të vështira e lejojmë frikën të na pushtojë dhe të luajë me ne. E kështu, si reagim, mbyllen dyert e zemrës, siç ndodh kur ndjehet sirena e alarmit brenda një ndërtese. Shkaku, pra, është frika. Frika se nuk do të shpëtosh, se je vetëm përballë betejave të çdo dite, se rrezikon për të mbetur më pas edhe më i pakënaqur, se zgjedh rrugët e gabuara!
Ku ka frikë, ka mbyllje
Pasi përshkroi frikën, që e shoqëron çdo çast jetën e njeriut, Françesku kujtoi se frika të bllokon, të paralizon. E të izolon! Të mendojmë për frikën nga tjetri, nga i huaji, nga i ndryshmi, nga njeriu që mendon ndryshe prej nesh. E mund të kesh frikë edhe nga Zotit: frikë se do të më dënojë, se e ka me mua…:
“Nëse e lëmë të livadhisë këtë frikë false, portat mbyllen: mbyllet porta e zemrës, porta e shoqërisë, e edhe portat e Kishës! Ku ka frikë, ka mbyllje. E kjo nuk është gjë e mirë!”.
Ungjilli na ofron ilaçin .
Ungjilli na ofron ilaçin e të Ngjallurit: Shpirtin Shenjt. Ai të çliron nga burgjet e frikës:
“Kur marrin Shpirtin Shenjt apostujt - këtë e festojmë sot - dalin nga çenakulli dhe shkojnë në botë për të falur mëkatet e për të shpallur lajmin e mirë. Falë Tij frika kapërcehet dhe dyert hapen. Sepse kjo është ajo që bën Shpirti: ai na bën të ndiejmë afërsinë e Zotit dhe kështu dashuria e tij nxjerr frikën, ndriçon rrugën, ngushëllon, mbështet në fatkeqësi”.
E këtu Françesku kujtoi fjalët e Benediktit XVI:
“Kudo që hyn Shpirti i Zotit, e dëbon frikën; na bën ta dimë dhe ta ndiejmë se jemi në duart e gjithëpushtetit të dashurisë: çkado të na ndodhë, dashuria e tij e pafund nuk na braktis” (Homelia e Rrëshajëve, 31 maj 2009)”.
Përballë frikës dhe mbylljeve, pra, le të thërrasim Shpirtin Shenjt për ne, për Kishën dhe për mbarë botën, që Rrëshajët e reja ta largojnë frikën, e cila na sulmon dhe të rindezin zjarrin e dashurisë së Zotit.
Këtë theksoi Papa, duke e përfunduar, si zakonisht, uratën me lutjen drejtuar Virgjërës Mari:
“Shenjtja Mari, e para që u mbush me Shpirtin Shenjt, ndërmjetësoftë për ne!”.