Kërko

Françesku: ta lëvdojmë Zotin për mrekullinë e jetës

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit nga shtëpia Shën Martës, për shkak të një gripi të lehtë, Papa i siguroi besimtarët për gjendjen e tij shëndetësore: "Jam duke u përmirësuar". Në reflektimin e tij kujtoi takimin e Marisë me Elizabetën, “gra të lumtura për dhuratën e jashtëzakonshme të amësisë”. Soditja e tyre është nxitje për të kuptuar se janë afër "shenjat e jashtëzakonshme të veprimit shëlbues të Zotit". Më pas, bekimi tradicional i Krishtit Fëmijë që vendoset në betleheme

R.SH. / Vatikan

Sot të dielën e katër të kohjës së Ardhje “ Ungjilli na paraqet Marinë që, pas lajmërimit të Engjëllit, viziton Elizabetën, kushërirën e saj të moshuar (shih Lk 1,39-45), edhe ajo në pritje të një foshnjeje” - këto, fjalët e para të lutjes shqiptuar në Shtëpinë e Shën Martës, e të ndjekura, si zakonisht nga Sheshi i Shën Pjetrit, përplot me njerëz ardhur nga gjithë bota e i stolisur nga Betlehemi e Bredhi i Krishtlindjes.

Dhurata e jashtëzakonshme e amësisë

Ungjilli i kësaj së diele na paraqet Marinë, e cila, pas njoftimit të Engjëlli të Zotit, viziton Elizabetën, të afërmën e saj të moshuar (shih Luka 1,39-45), edhe ajo në pritje të një fëmije. Prandaj, takimi i tyre është takimi i dy grave të lumtura për dhuratën e jashtëzakonshme të amësisë: Maria pret, kohët e fundit, Jezusin, Shëlbuesin e botës (shih Luka 1,31-35) ndërsa Elizabeta, pavarësisht nga mosha e shtyrë, pret Gjonin, që do të përgatisë rrugën para Mesisë (shih Luka 1,13-17).

Të dyja kanë shumë arsye për t'u gëzuar dhe ndoshta ne mund t'i ndjejmë të largta, protagoniste të mrekullive kaq të mëdha, që normalisht nuk ndodhin në përvojën tonë. Por mesazhi, që dëshiron të na japë Ungjilltari,  pak ditë para Krishtlindjeve, është tjetër:

“Soditja e shenjave të jashtëzakonshme të veprimit shëlbues të Zotit nuk duhet të na bëjë të ndihemi larg tij, por të na ndihmojë të rinjohim praninë e tij dhe dashurinë e tij pranë nesh, për shembull në dhuratën e çdo jete, të çdo fëmije të mbartur në barkun e nënës”.

Në Shesh Papa shikon nënat me fëmijët e tyre, e ndoshta ka edhe nga ata që janë në “pritje”.

Mrekullia e jetës

Nëna në pritje, bukuri e jetës në vijim:

“Ju lutem, të mos qëndrojmë indiferentë ndaj pranisë së tyre, të mësojmë të mahnitemi nga bukuria e tyre dhe, siç bënë Elizabeta e Maria, t’i bekojmë nënat tona dhe t'i japim lavdi Zotit për mrekullinë e jetës!”.

Vëllezër dhe motra - vijon lutja e Engjëllit të Zotit - duke kujtuar këto ditë krejt të pazakonta, kur na pëlqen të krijojmë një atmosferë festive me drita, dekorime dhe muzikë Krishtlindjesh:

“Të kujtohemi, megjithatë, të shprehim ndjenja gëzimi sa herë takojmë një nënë që mban fëmijën e saj në krahë ose në prehër”.

Bekuar je mbi gjithë gratë

Kur të ndodhë kjo, të lutemi në zemrat tona dhe të themi me vete, si Elizabeta: "Bekuar je mbi gjithë gratë e bekuar fryti i barkut tënd!" (Lk 1:42); E të këndojmë si Maria: "Shpirti im e madhëron Zotin" (Lk 1,46), që të jetë e bekuar çdo amësi e në çdo nënë të botës të lartohet e të falënderohet emri i Zotit, që ua beson njerëzve pushtetin për t'u dhënë jetë fëmijëve!

Të falënderojmë, o Zot, që u bëre njeri, si ne

Së shpejti do të bekojmë “shtatoret e vogla” që keni sjellë - kujtoi Papa, duke soditur në ekran fëmijët me shtatoret e Krishtit Fëmijë, në pritje të bekimit. Atëherë mund të pyesim veten: a e falënderoj Zotin pse u bë njeri si ne, për të ndarë gjithçka, përveç mëkatit? A e lavdëroj dhe e bekoj Atë për çdo fëmijë që lind? A e mbështes dhe e mbroj vlerën e shenjtë të jetës së fëmijëve, që nga zënia e tyre në barkun e nënës?

“Maria, e Lumja mbi gjithë gratë, na bëftë të aftë të provojmë habi e mirënjohje përpara misterit të jetës, që lind”.

 

22 dhjetor 2024, 12:59

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >