Papa në Engjëllin e Tënzot: kam një ëndërr, paqen. “Obrigado” Lisbonës, shtëpi vëllazërimi
R.SH. / Vatican News
Lutje e jashtëzakonshme e Engjëllit të Tënzot, kjo e sotmja në Lisbonë. Në festën e Shndërrimit të Zotit Jezu Krisht, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të të rinjve nga mbarë bota. Në Lisbonë, fizikisht - në Sheshin e Shën Pjetrit e në gjithë botën, shpirtërisht. Në të, “një fjalë jehoi fund e krye gjatë Engjëllit: ‘obrigado’- faleminderit!
Është e bukur ajo që sapo na tha Patriarku i Lisbonës - ishin fjalët e para të Papës - domethënë se “obrigado” shpreh mirënjohjen jo vetëm për atë që është marrë, por edhe dëshirën për t’i shpërblyer të mirat:
“Të gjithë ne, në këtë ngjarje hiri, kemi marrë shumë, ndaj tani Zoti na bën të ndiejmë nevojën që, duke u kthyer në shtëpi, ta ndajmë dhe ta japim me radhë çka morëm, duke i dëshmuar, me gëzim e falas, të mirat me të cilat Zoti i mbushi plot zemrat tona”.
Por para se t'ju përcjell - i tha Papa turmës së pafundme të të rinjve - dëshiroj t’ju them edhe obrigado. Para së gjithash kardinalit Clemente, dhe bashkë me të Kishës e mbarë popullit portugez!
Obrigado zotit President, i cili na shoqëroi në ngjarjet e këtyre ditëve; institucioneve kombëtare dhe vendase për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë; ipeshkvijve, priftërinjve, rregulltarëve dhe laikëve!
E obrigado edhe ty, Lisbonë, që do të mbetesh në kujtesën e këtyre të rinjve si "shtëpi vëllazërimi" dhe "qytet i ëndrrave"!
Obrigado kardinalit Farrell dhe atyre, që i përgatiten konferencat, si dhe atyre, që i shoqëruan me lutje.
Obrigado vullnetarëve, të cilët i meritojnë duartrokitjet e të gjithëve për shërbimin e madh që bënë! Falënderime të veçanta për ata që e vëzhguan DBR-në nga lart, nga qielli, domethënë shenjtorët pajtorë të ngjarjes: e mbi të gjitha Obrigado Gjon Pali II, që i solli në jetë Ditët Botërore të Rinisë.
Faleminderit, gjithë të rinjve!
Obrigado të gjithë ju, të dashur të rinj! - vijoi Papa – duke u dhënë të rinjve një varg porosish tejet të çmuara! Zoti e shikon sa të mirë jeni e vetëm Ai e di se çka mbolli në zemrat tuaja - u tha Papa - që më pas i porositi:
“Ju lutemi, ruajeni me kujdes kujtimin e kësaj dite. E mos i harroni orët më të bukura. Pastaj, kur vjen pashmangshmërisht një çast lodhjeje dhe çkurajimi, e ndoshta edhe tundimi për t'u ndalur rrugës ose për t'u mbyllur benda vetes, ringjallni përvojat dhe hirin e këtyre ditëve, sepse - mos e harroni kurrë këtë - ky është realiteti, kjo është ajo që jeni: popull i shenjtë i Zotit, që ecën në gëzimin e Ungjillit!”.
Një përshëndetje edhe për ata, që nuk ishin në Lisbonë
Me këto fjalë, që nuk mund të harrohen kurrë, i përcolli Papa të rinjtë, të prekur thellësisht në zemër. Pa harruar t'u dërgojë një përshëndetje edhe atyre, që nuk mundën të jenë këtu, por morën pjesë në nismat e organizuara në vendet e tyre nga Konferencat Ipeshkvnore dhe nga Dioqezat. E duke kujtuar posaçërisht vëllezërit dhe motrat subsahariane mbledhur në Tangier, në veçanti, ftoi për t’i shoqëruar me mend, me zemër e me lutje, ata që nuk mundën të vijnë për shkak të konflikteve dhe luftërave.
Ukraina dhe ëndrra e botës për paqe
Më pas, një kujtim që nuk i ndahet asnjëherë Papës: duke menduar për këtë kontinent - kujtoi - ndjej dhimbje të madhe për Ukrainën e dashur, e cila vazhdon të vuajë shumë. Miq, më lejoni, kështu plak siç jam, të ndaj me ju një ëndërr që s’më ndahet:
“Ëndrra e paqes, ëndrra e të rinjve që luten për paqe, jetojnë në paqe dhe ndërtojnë një të ardhme paqeje. Përmes lutjes së Engjëllit, ta lëshojmë të ardhmen e njerëzimit në duart e Marisë, Mbretëreshës së Paqes. E, duke u kthyer në shtëpi, vazhdoni të luteni për paqe. Ju jeni shenjë paqeje për botën, dëshmi që tregon sesi kombësitë, gjuhët dhe historitë mund të bashkojnë, në vend që të ndajnë e të ndahen. Ju jeni shpresa e një bote ndryshe. Faleminderit për këtë. Përpara!”.
Në obrigadon e fundit, falënderimi më i madh. Ia drejtojmë dy personave të veçantë, protagonistëve kryesorë të këtij takimi – theksoi Papa - Ata kanë qenë këtu, me ne, e janë gjithmonë me ne, nuk e humbasin kurrë nga sytë jetën tonë dhe e duan si askush tjetër:
“Obrigado Ty, o Zot Jezus; obrigado ty, Nëna jonë Mari, të lutemi me gëzim”.