Kërko

Papa: të lutemi që në vitin 2024 të hapen rrugët e paqes dhe pajtimit në botë

"Në këtë ditë, në të cilën kremtojmë Marinë, Nënën e Shenjtnueshme të Hyjit, ta lëmë nën vështrimin e saj të kujdeshëm kohën e re që na dhurohet. T'i lutemi Nënës së Zotit dhe Nënës sonë që, në vitin e ri, të rritemi në këtë dashuri të butë, të heshtur dhe të kujdeshme, që lind jetë e hap rrugë paqeje e pajtimi në botë" . Me këto fjalë Papa e nisi lutja e parë e Engjëllit të Zotit, në ditën e parë të Vitit të ri 2024

R.SH. / Vatikan

"Në këtë ditë, në të cilën kremtojmë Marinë, Nënën e Shenjtnueshme të Hyjit, ta lëmë nën vështrimin e saj të kujdeshëm kohën e re që na  dhurohet. T'i lutemi Nënës së Zotit dhe Nënës sonë që, në vitin e ri, të rritemi në këtë dashuri të butë, të heshtur dhe të kujdeshme, që lind jetë e hap rrugë paqeje e pajtimi në botë" . Me këto fjalë Papa e nisi lutja e parë e Engjëllit të Zotit, në ditën e parë të Vitit të ri 2024 duke na nxitur të shikojmë Marinë e me zemër mirënjohëse të mendojmë edhe për nënat tona, të cilat na duan me atë dashuri që kultivohet mbi të gjitha në heshtje, që di t'i lërë vend tjetrit, duke ia respektuar dinjitetin, duke i lënë lirinë e shprehjes, duke flakur tutje çdo formë pronësimi, shtypjeje dhe dhune.

Ndjek me shqetësim Nikaraguan, ku ipeshkvijtë dhe meshtarë janë privuar nga liria

“Ndjek me shqetësim atë që po ndodh në Nikaragua ku ipeshkvijve dhe meshtarëve u është hequr liria. Shpreh afërsinë time në lutje me ta, me familjet e tyre dhe me gjithë Kishën e këtij vendi. Sot të lutemi për Nikaraguan. Kështu tha Papa pas lutjes së Engjëllit të Zotit në ditën e parë të vitit të ri.

Të lutemi për paqen në Ukrainë, Palestinë, Izrael

"Ju lutemi të mos e harrojmë Ukrainën, Palestinën, Izraelin, që janë në luftë. Le të lutemi që të vijë paqja! Të gjithë së bashku". Kështu Papa Françesku në fund të lutjes së Engjëllit të Zotit, në ditën e parë të Vitit të Ri. Virgjëra Mari, Nëna e Shenjtë, e mbështettë me ndërmjetësimin e saj amnor qëllimin, përkushtimin për të qenë paqebërës në çdo ditë të vitit të ri. Çdo ditë paqebërës, për të sjell paqen".

Dashuria nuk mbyt kurrë, dashuria i lë vend tjetrit dhe e bën të rritet. Fjala e Papës gjatë lutjes së parë të Engjëllit të Zotit

Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Vitin e Ri!

Dita e parë e Vitit të ri 2024 nisi me këtë përshëndetje të Papës, e vijoi me fjalët e mëposhtme tejet prekëse:

“Në këtë ditë, në të cilën kremtojmë Marinë, Nënën e Shenjtnueshme të Hyjit, ta lëmë nën vështrimin e saj të kujdeshëm kohën e re që na  dhurohet”.

Sot Ungjilli na kujton se madhështinë e Marisë nuk duhet ta kërkojmë në kryerjen e ndonjë veprimi të jashtëzakonshëm; përkundrazi, ndërsa barinjtë, pasi morën njoftimin nga engjëjt, nxitojnë drejt Betlehemit (shih Luka 2:15-16), ajo hesht. Heshtja e nënës është tipar i bukur. Nuk është thjeshtë mungesë fjalësh, por heshtje e rrëmbushur me habi dhe me adhurim për mrekullitë që po bën Zoti. «Maria - vëren Shën Luka – […] i ruante të gjitha këto gjëra, duke i medituar në zemër të vet» (2,19). Në këtë mënyrë ajo i bën vend brenda vetes Atij që lindi; në heshtje dhe adhurim, e vë Jezusin në qendër dhe e dëshmon Shëlbuesin.

Kështu ajo është nënë jo vetëm sepse e mbajti Jezusin në kraharor dhe e  lindi, por sepse e vë në pah, pa zënë vendin e tij. E do të heshtë edhe nën kryq, në orën më të errët, e do të vijojë t’i bëjë vend Atij e ta lindë për ne.

Një rregulltar e poet i shekullit të njëzetë shkroi: «Virgjër, katedrale e heshtjes / […] ti e çon korpin tonë në qiell / dhe Zotin në korp» (D.M. TUROLDO, Laudario alla Vergine. «Via pulchritudinis», Bolonja 1980, 35). Katedralja e heshtjes: figurë e bukur. Me heshtjen dhe përvujtërinë e saj, Maria është "katedralja" e parë e Zotit, vendi ku mund të takohen Ai dhe njeriu!

Por edhe nënat tona, me kujdesin e tyre të fshehur, me mendimin e tyre, shpesh janë katedrale madhështore të heshtjes. Ata na sjellin në botë dhe më pas vazhdojnë të na ndjekin, shpesh pa u vënë re, në mënyrë që ne të rritemi. Le ta kujtojmë këtë: dashuria nuk mbyt kurrë, dashuria i lë vend tjetrit dhe e bën të rritet.

Vëllezër e motra, në fillim të vitit të ri e shikojmë Marinë dhe me zemër mirënjohëse mendojmë e shikojmë edhe nënat, për të mësuar atë dashuri që kultivohet mbi të gjitha në heshtje, që di t'i lërë vend tjetrit, duke ia respektuar dinjitetin, duke i lënë lirinë e shprehjes, duke flakur tutje çdo formë pronësimi, shtypjeje dhe dhune. E sotmja ka shumë nevojë për këtë! Siç kujton Mesazhi për Ditën e sotme Botërore të Paqes: "Liria dhe bashkëjetesa paqësore kërcënohen kur qeniet njerëzore i dorëzohen tundimit të egoizmit, interesave personale dhe ndjekjes së fitimit". Nga ana tjetër dashuria përbëhet nga respekti dhe mirësia: në këtë mënyrë ajo i shemb barrierat dhe ndihmon për të jetuar marrëdhënie vëllazërore, për të ndërtuar shoqëri më të drejta, më humane, më paqësore.         

T'i lutemi Nënës së Zotit dhe Nënës sonë që, në vitin e ri, të rritemi në këtë dashuri të butë, të heshtur dhe të kujdeshme, që lind jetë e hap rrugë paqeje e pajtimi në botë.

01 janar 2024, 12:55

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >