Papa: të rrish me Jezusin, gjëja më e rëndësishme për dishepullin e Zotit
R.SH. / Vatikan
Në lutjen e Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e shën Pjetrit, në prani të shumë besimtarëve nga vende të ndryshme, Papa komenton fragmentin nga Ungjillit të kësaj të diele të dytë gjatë vitit kishtar nga Gjoni, i cili rrëfen takimin e dy dishepujve të parë me Jezusin dhe nënvizon tre kërkesa të nevojshme për ata që duan të ndjekin Mësuesin Hyjnor: "Para së gjithash duhet ta kërkojnë, të kenë zemër të hapur, jo të ngopur ose të kënaqur". Pastaj është e nevojshme të jesh dhe rrish me Të. Nga kjo vjen buron dëshira për të bashkëndarë dhuratën e marrë me të tjerët.
Duke komentuar faqen e Ungjillit, Ati i Shenjtrë Bergoglio kujtoi takimin e Jezusit me dishepujt e parë (shih Gjoni 1,35-42). Kjo skenë na fton të kujtojmë takimin tonë të parë me Jezusin, të ripërtërijmë gëzimin e ndjekjes së tij dhe ta pyesim veten: “Çfarë do të thotë të jesh dishepull i Zotit? Teksti na ndihmon të përgjigjemi, duke na kujtuar tri folje: kërko, qëndro, shpall. Para së gjithash, kërko!
Për të qenë dishepull i Zotit, kërko!
Dy dishepujt, falë dëshmisë së Gjon Pagëzuesit, filluan ta ndiqnin Jezusin e Ai, duke parë se ata po e ndiqnin, i pyeti: “Çfarë kërkoni?” (v. 38). Këto janë fjalët e para që Jezusi u drejtoi atyre: para së gjithash i ftoi të shikojnë brenda vetes, të pyesin veten për dëshirat që kanë ndër zemra. Zoti nuk dëshiron të bëjë prozelitë, nuk do “ndjekës” të cekët, por njerëz që vënë në dyshim vetveten, që e ndjekin Fjalën e tij”:
“Prandaj, për të qenë dishepuj të Jezusit, para së gjithash duhet ta kërkojmë atë, të kemi një zemër të hapur, kërkuese, jo të ngopur apo të kënaqur”.
Folja e dytë, ku banon
Le të shohim, pra, se çfarë kërkonin dishepujt e parë, nëpërmjet foljes së dytë: të banosh. Ata nuk kërkonin lajme as informacione për Zotin, as shenja, as mrekulli. Dëshironin të takonin Mesinë, të vajosurin e Hyjit, për të qenë me Të, për ta dëgjuar. Prandaj e pyesin menjëherë Jezusin: "Ku banon?" (v. 38). E Krishti i fton ta ndjekin: "Ejani dhe shikoni" (v. 39):
“Të jesh me Të, të rrish me Të, kjo është gjëja më e rëndësishme për dishepullin e Zotit. Ne jemi dishepujt e tij në masën që e takojmë, që dëgjojmë Fjalën e tij, dialogojmë me Të në lutje, e adhurojmë, e duam dhe i shërbejmë në vëllezërit tanë”.
Feja nuk është teori
Me pak fjalë, fe nuk do të thotë teori, por takim, do të thotë të shkosh e ta shikosh ku banon Zoti e edhe të banosh me Të:
“Ta kërkosh, të banosh me të e, më në fund, ta shpallësh!”
Takimi i parë me Jezusin ishte një përvojë kaq e fortë, sa që dy dishepujt nuk e harruan kurrë më orën kësaj ngjarjeje të mrekullueshme: "ishte rreth katër pasdite" (v. 39).
Gëzimi i Ungjillit është ngjitës
E zemrat e tyre ishin aq të mbushura me gëzim, sa ndien menjëherë nevojën për ta komunikuar dhuratën, që kishin marrë. Njëri nga të dy, Andreu, nxitoi për ta ndarë gëzimin me vëllain e tij, Simonin, të cilin Jezusi do ta quajë Pjetër. E, sapo e takon i thotë: “E gjetëm Mesinë” (v. 41) dhe e çon te Jezusi:
“Gëzimi i Ungjillit është gjithmonë shpërthyes, ngjitës, asnjëherë intim. Prej këtu lind dhe rilind gjithmonë dinamizmi i ungjillëzimit”.
Pyetje vetes, duke kujtuar takimin e parë me Zotin
Si zakonisht në përfundim të lutjes, Papa u drejtoi besimtarëve një breshëri pyetjesh, duke nisur nga…
“Vëllezër dhe motra, a e kujtojmë takimin tonë të parë me Zotin? A e kujtojmë e a e pyesim veten: jemi ende dishepuj të dashuruar, e kërkojmë Zotin apo kënaqemi nga një fe e krijuar prej zakoneve? A dimë të lutemi me Të, e edhe të heshtim me Të? E, së fundi, a e ndiejmë nevojën për të ndarë me Të edhe gëzimin tonë?”
Si zakonisht, Françesku e përfundoi lutjen e Engjëllit të Zotit të së dielës me lutjen drejtuar Zojës së Bekuar:
“Shenjtja Mëri, dishepulle e parë e Jezusit, na mbush me dëshirë që ta kërkojmë, të rrimë me Të e edhe ta shpallim”.